Mjekja zbulon si të dalloni shenjat e Covid-19: Nëse shqetësimet iu kalojnë për 3 ditë, mos u merakosni

230
Sigal

Mjekja okuliste pranë poliklinikës qendrore në Tiranë, Anjeza Kuçi deklaron se stina në të cilën ne ndodhemi është pikërisht stina e virozave dhe luhatja e temperaturave herë pas here bëjnë që si rezultat i tyre, pacientët e specialitetit ORL dhe të tjerë të shtohen.

Në një intervistë për ATSH, mjekja Kuçi tha se ka pacientë të cilët paraqiten rregullisht tek ne për bllokim të frymëmarrjes nga hunda, sinuset, sinositet kronike, me otitet pra me infeksionet e veshit, me dhimbje të fytit si faringitet me tonsilitet, pra që në momentin e parë që pacientët kanë një virozë të lehtë, të traktit të sipërm respirator, domethënë me bllokimin e frymëmarrjes nga hunda, me dhimbje fyti, me dhimbje të lehtë të veshit dhe me një temperaturë të lehtë.

“Ne në këto raste këshillojmë që nëse ditën e parë pacienti i ndjen këto shqetësime mund të marrë një mjekim lokal, sic janë sprajt të fytit që është mirë të kenë origjinë bimore, propolis, që mund të jenë të përbërë nga anti inflamator. Mund të marri qetësues dhimbjeje ose për uljen e temperaturës por ka edhe solucione mukolitik që mund të shërbejnë për fytin e thatë dhe për kollën.

Nëse kjo është një gjendje virale dhe zgjat 2-3 ditë dhe pacienti qetësohet atëherë mund të vazhdoj jetën normalisht pa u shqetësuar se mund të ketë diçka të rëndë. Nëse këto simptoma pas kalimit të maksimumi 4-5 ditëve janë prezentë pacienti duhet të paraqitet tek mjeku ORL sepse pas fazës virale kalojmë në fazën bakteriale për ta zgjidhur problemin tek mjeku”, shprehet ajo.

Gjithsesi prezenca e infeksionit COVID19 që ne po kalojmë, vijoi ajo, ka bërë që vizitat tek mjekët specialistë të jenë më të shpeshta.ORL është një specialitet që përfshinë tre nga organet nga më të prekurat nga ky infeksion dhe sigurisht që pasojat janë edhe më të mëdha kur ne përballemi me të.

Doktoresha Anjeza Kuçi shpjegon më specifikisht se cilat janë shenjat të cilat na bëjnë të kuptojmë për prezencën e COVID-19 në mënyrë që të bëjmë edhe diferencën e tij nga virozat e tjera stinore.

“Nëse përveç shenjave që cituam më sipër kemi edhe shenja sikurse janë temperatura që vazhdon më shumë, djegie fyti e zgjatur, kalimi i infeksionit viral apo bakterial në traktin e poshtëm respirator që përfshijnë dhimbje të kraharorit, kollë e thatë, dobësi muskulare, është mirë që të drejtohet tek mjeku i familjes për të bërë testin e COVID.

COVID-19 lë pasoja edhe në sferën ORL duke qenë se përfshihen 3 organe bashkë, por si fillim dua të them se në përvojën time konstatoj se kemi fare pak ndryshime nga virozat që kemi pasur vitet e tjera dhe me COVID- 19 që kemi prezent këtë vit”, tha ajo.

“Unë merrem me sferën e marrjes së mendsh, humbjen e ekuilibrit apo probleme me veshin e brendshëm dhe konstatoj se pacientët që kanë kaluar COVID-19, por sidomos ata që e kalojnë në gjendje të rëndë, veç trajtimit me antibiotik, janë shtuar trajtimet më kortizonik dhe kanë ndikuar tek sëmundjet bazë sistemike si tensioni dhe diabeti që pacientët i kanë të cilat lidhen edhe me sindromin vertiginoz dhe sidomos problemet hipertensive që COVID ka lënë.

Te njerëzit me probleme si marrje mendsh dhe të vjella apo humbjes së ekuilibrit si rezultat i luhatjes së tensionit apo qoftë edhe të luhatjes së temperaturave në këtë kohë, duhet të paraqiten në mënyrë të shpeshtë tek ne”, apelon mjekja.

“Veç këtyre kemi edhe pacient që paraqiten si rezultat i gjendjes së ankthit. Kjo sëmundje ka prekur edhe rrugët e poshtme të frymëmarrjes, por shqetësimi më i shpeshtë tek pacientët i cili edhe ka ndikuar në cilësinë e jetës, janë çrregullimi i nuhatjes dhe të shijes. Ky shqetësim apo më saktë largimi i shijes dhe nuhatjes ndodh kryesisht ditën e 4 apo ditën e 5 dhe me qetësimin e shenjave klinike është rishfaqur. Kam pacient që më kontaktojnë nëpërmjet telefonit duke më thënë se edhe pas 3-4 muajsh akoma nuk është kthyer shija dhe nuhatja. E keqja është se në këto raste kemi shumë pak në dorë që mund të bëjmë sepse jemi në fillimet e kësaj sëmundje dhe nuk kemi studime të mirëfillta të cilat do të na shërbenin për të zgjidhur problemin dhe të rikthenim shijen dhe nuhatjen”, u shpreh ajo.

Sipas saj, ekziston edhe problemi i alternimit të shijes, pra shumë pacientë ndjejnë një aromë të keqe duke alternuar nuhatjen që do të thotë se të gjitha erërat apo aromat perceptohen si një e vetme.

“Ndërhyrja e menjëhershme që ne bëjmë është dhënia e kortizonit, qoftë nga goja qoftë në formë spraj-nazal por sipas studimeve të fundit ndihmon edhe marrja e zingut si një element shumë i rëndësishëm për membranat qelizore duke i ripërtërirë ato. Për mua si mjeke më ka rezultuar i suksesshëm në trajtimin e pacientëve të mi, unë e kam rekomanduar që pacientët të trajtohen me zing të paktën për tre muaj rresht.

Për të kuruar këtë infeksion që na ka vështirësuar jetën, na ndodh që duke u bazuar tek përvoja që kanë kaluar miq apo të afërm tanët, na ndodh që të përdorim një gamë të gjerë të medikamenteve.

Por janë edhe mjekët ata që na referojnë përdorimin e medikamenteve të ndryshëm që shpesh shfaqin edhe efekte anësore menjëherë pasi kemi kaluar infeksionin. Këto efekte anësore ndodh që t’i vuajmë për një kohë të gjatë ç’ka kthehet një shqetësim për shëndetin fizik por edhe atë mendor”, deklaroi ajo.

Lidhur me këtë mjekja shprehet se “përdorimi i medikamenteve të ndryshme ka të mirat dhe të këqijat e veta. Për shkak të COVID pacientët kanë marrë një gamë të gjerë të medikamenteve. Kanë marrë antibiotik, kortizon me doza të larta sepse pavarësisht medikamenteve ne mjekët të rëndësishme kemi jetën e pacientëve tanë.

Shpesh herë jemi ndjerë të gjykuar për medikamentet që kemi rekomanduar por duhet pasur parasysh që situata është e vështirë jo vetëm për ne por gjithë botën. Si pasoj e Covid ne kemi humbur shumë koleg mjek.

Efektet që këto medikamente janë kandidozat, infeksionet mykotike apo dizbakterioza që do të thotë çrregullimi i florës së traktit gastrointestinal por edhe të florës së traktit të sipërm respirator. Kemi vënë re ulçëra në gojë apo kandidoza të cilat me kalimin e kohës mund të rregullohen”.