Këshilla, si të ruajmë shëndetin nga i ftohti

515
Ulja e temperaturave ka sjellë ditët e fundit një fluks në qendrat shëndetësore në Tiranë dhe rrethe, për qytetarë të cilët janë prekur nga gripi dhe virozat e stinës së ftohtë. Janë fëmijët dhe të moshuarit, dy kategoritë që janë prekur më shumë. Për këtë arsye Instituti i Shëndetit Publik u ka kërkuar qytetarëve që te kenë kujdes, duke u këshilluar ushqime që duhet të konsumojnë apo mënyrën e të veshurit.
Këshilla kryesore
Duke ngrënë ushqime të shëndetshme dhe duke u ekspozuar në diell, kur është e mundur, ndihmoni në shëndetin e kockave. Gjatë përgatitjeve për stinën e ftohtë, sigurohuni që të keni ushqimet e domosdoshme, si qumësht i konservuar, patate, oriz dhe makarona, si dhe ushqime të konservuara (peshk ton e mish kutie). Jeni 80% më të rrezikuar nga gripi apo ftohja në dimër nëse nuk keni imunitet të fortë. Prodhimet si djathi, qumështi dhe kosi janë burime të shkëlqyera të proteinave dhe vitaminave A dhe B12.
Kini parasysh të kontrolloni medikamentet që ju merrni. Sigurohuni që t’i keni në shtëpi ilaçet që ju merrni. Kushtojini kujdes të veçantë kur ju merrni katër apo më shumë medikamente. Konsultohuni dhe rishikoni mjekimin me mjekun e familjes si dhe sigurohuni të keni në shtëpi mjekime për probleme të tjera shëndetësore të zakonshme”, – janë disa nga këshillat që japin specialistët e ISHP-s.

Veshja
Vishuni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta. Evitoni të qëndroni gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë, dhe sidomos kur jeni lagur. Ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave. Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe frutat përmbajnë vitamina e minerale. Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi. Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here. Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23 gradë C dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë, për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Mund të mbani një enë me ujë te radiatori për të siguruar lagështinë e ajrit. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë.
Konsumoni sa më shumë lëngje e ujë
Përpiquni të konsumoni sasinë e nevojshme të lëngjeve (ujë, pije freskuese) dhe kujdes me sasinë e alkoolit që konsumoni, sepse në moshën e pleqërisë ju bëheni më të prekshëm nga efektet e tij. Rekomandohet që duhet të konsumoni 6-8 gota lëngje në ditë, ku përfshihen si lëngje të ngrohta, ashtu edhe të ftohta.Nëse temperatura e dhomës është shumë e ulët, kjo mund të rrisë rrezikun e kalimit të trupit tuaj në gjendje hipotemie si dhe rrit rrezikun për kriza zemre. Vishni triko kur shkoni nga një dhomë e ngrohtë në një më të ftohtë. 
Sigal