Ju pëlqen të hani në orët e vona? Mund t’ju krijohen këto probleme

473
Sigal

Ngrënia në orët e vona të mbrëmjes, mund të dëmtojë seriozisht shëndetin e zemrës, sugjeron një studim i ri. Hulumtimi, i prezantuar më 10 nëntor në takimin vjetor të Sesionit Shkencor të Shoqatës Amerikane të Zemrës, zbuloi se konsumi i ushqimit më vonë gjatë mbrëmjes, shoqërohej me një rritje të rrezikut të sëmundjeve të zemrës.

Njerëzit në SHBA por jo vetëm, kanë aktualisht një “stil jete të orëve të vona”. Ata shkojnë në shtrat më vonë gjatë natës, dhe flenë më pak orë gjumë, tha autorja kryesore e studimit, Nour Makarem, kardiologe dhe lektore në Universitetin e Kolumbias.

Dhe me këtë stil jetese të orëve të vona, njerëzit kanë normat më të larta të ngrënies së ushqimeve gjatë natës, tha ajo. Makarem dhe kolegët e saj, supozuan se ky afat vakt mund të luajë një rol në rritjen e normës së obezitetit, presionit të lartë të gjakut dhe diabetit të tipit A vitet e fundit.

Prandaj, ata vendosën të kryejnë një studim, për të parë nëse ky është vërtet rasti. Në studim, studiuesit përdorën një bazë të dhënash të quajtur Raporti Studimor mbi Shëndetin e Komunitet Hispanik, për të shqyrtuar informacionet nga më shumë se 12.700 të rritur hispanikë në SHBA, nga mosha 18 deri në 76 vjeç.

Në studim, ekipi shqyrtoi të dhënat nga 2 ditë të veçanta, në të cilat pjesëmarrësit raportuan mbi zakonet e tyre të të ngrënit, dhe e krahasuan këtë informacion me matje të tilla, si presioni i gjakut dhe sheqeri i gjakut. Ata zbuluan se mbi gjysma e njerëzve në studim, konsumonin 30 për qind ose më shumë nga kaloritë e tyre të përditshme pas orës 18.00 të pasdites.

Këta pjesëmarrës, kishin edhe nivelet më të larta të sheqerit në gjak, nivelet më të larta të insulinës (hormoni që rregullon sasinë e sheqerit në gjak), nivele më të larta të HOMA-IR (një indikator i rezistencës ndaj insulinës) dhe presion të lartë të gjakut, sesa pjesëmarrësit të cilët raportuan se konsumonin më pak se 30 për qind të kalorive të tyre ditore pas orës 18.00.

Një nivel i lartë i sheqerit në gjak, mund të konsiderohet një shenjë e prediabetit, sipas Klinikës Mayo. (Gjendja e prediabetit, do të thotë se nivelet e sheqerit në gjak të një personi janë të lartë, por jo aq të larta sa të konsiderohet si diabet).

Në fakt, studiuesit zbuluan se ata që konsumonin 30 për qind ose më shumë nga kaloritë e tyre të përditshme pas orës 18.00, kishin 19 për qind më shumë gjasa të prekeshin nga prediabeti, se sa ata që hanin më herët gjatë ditës. Shtatëdhjetë për qind e njerëzve me prediabet, vazhdojnë të zhvillojnë diabetin e tipit B, i cili është një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës, vuri në dukje Makarem.

Të njëjtit pjesëmarrës, kishin gjithashtu 23 për qind më shumë gjasa, të prekeshin nga hipertensioni, krahasuar me njerëzit që hanin zakonisht më herët gjatë ditës. Këto lidhje ishin veçanërisht të zakonshme tek gratë, shtoi Makarem.

Studimi zbuloi vetëm një lidhje midis kohës së ushqimit, dhe rrezikut të një personi për disa probleme mjekësore; por ai nuk dëshmoi shkakun dhe efektin. Megjithatë, Makarem tha se një shpjegim i mundshëm për këtë lidhje, është se problemet mund të lindin kur orët tona biologjike nuk janë të sinkronizuara me mjedisin tonë.

Gati çdo qelizë në trupin tonë mund të tregojë kohën, dhe ato veprojnë sipas një cikli 24 orësh. Një pjesë e vogël e trurit e quajtur bërthama suprakiazmatike, shërben si ora kryesore e trupit, duke marrë sinjale të jashtme të dritës (në mënyrë ideale nga dielli), dhe dikton pjesën tjetër të orëve në qelizat tona në përputhje me rrethanat, duke na treguar kur të zgjohemi, flemë apo hamë, thotë Makarem.

“Këto orë, kontrollohen nga ekspozimi i dritës së ndritshme, por edhe nga sjelljet, veçanërisht nga sinjalet ushqimore”- thekson Makarem. Pra, kur hamë në kohë të pazakonta – për shembull kur konsumojmë më shumë kalori në mbrëmje – orët tona biologjike, mund të çoroditen në raport me orën kryesore, duke çuar në probleme të metabolizmit, si dhe duke rritur rrezikun për sëmundje kronike, si diabeti, hipertensioni dhe sëmundje të zemrës, tha ajo.

“Provat janë mjaft të qëndrueshme se ngrënia më shumë, më vonë gjatë ditës, duket të jetë më e keqe ne aspektin metabolik”- tha Kristen Knutson, profesore e asociuar e neurologjisë dhe mjekësisë parandaluese në Universitetin e Feinbergut, e cila nuk ishte i përfshirë në hulumtim, por ishte e pranishme në prezantimin e studimit të Makarem. Këto probleme lindin sepse “ju nuk po hani në një kohë, që është optimale për sistemin tuaj cirkadian”- tha ajo