Gripi i pulave (shpendëve) si dhe disa këshilla për vaksinën anti-grip

3647
Dr. Ndue Nikaj 
Kohët e fundit po trumbetohet me ankth të madh rreziku i epidemisë nga gripi dhe sidomos me nofkën “gripi i shpendëve ose pulës”. Si pas ekspertëve është fjala për një stereotip virusi të “gripit A” e llojit Havjar H5N1, i cili bashkëvepron me atë të njeriut dhe bën që të ballafaqohemi me një epidemi të rëndë deri në tmerrin e pandemik (epidemi botërore) si ajo e gripit spanjoll në vitin 1918. Por duhet të themi se, në realitet, deri tani nuk është vërtetuar akoma asnjë rast i kalimit të virusit H5N1 nga njeriu tek njeriu, gjë që është sadopak anë pozitive dhe qetësuese, por që kërkon të rritet vigjilenca në të gjitha drejtimet dhe të merren masat e duhura parandaluese. Gripi i shpendëve i shkaktuar nga lloji Havjar në nofkën e medias “gripi i pulave” është një infeksion nga një virus i familjes orto-mixoviride H5N1. Pra bëhet fjalë për një transformim (mutacion) të virusit A të gripit. Ky virus prekë si shpendët e egër dhe ato shtëpiak dhe në radhë të parë pulat dhe është shumë ngjitës midis shpendëve dhe në disa raste ka prekur dhe personat, të cilët kanë qenë në kontakt të ngushtë me shpendët. Ky virus transmetohet dhe te njerëzit sikurse ndodh me gripin e derrave, i cili u përhap në Hong-Kong,Vietnam në vitin 1997 e 2003. 
Si transmetohet virusi nga shpendët tek njeriu?
Mendohet se është fjala për kontaktin e vazhdueshëm me sekrecionet e frymë-marrjes, jashtëqitjen ose dhe me anë të konsumimit të mishit apo vezëve të pa ziera mirë. Nga ana klinike paraqitet më temperaturë të lartë, rrufë, skuqje sysh dhimbje e skuqje gryke, kollë dhe vështirësi të rëndë në frymë-marrje, pra një distres respirator sikurse në rastin e SARS-it që çon deri në vdekje. 
Për fat të mirë me gjithë alarmet e mediave nuk është vërtetuar asnjë rast transmetimi nga njeriu tek njeriu. Duhet të qetësohemi për faktin se mjekësia botërore është përballur dhe më parë me sëmundje të tjera të rënda si SARS-i në 2003 dhe ka arritur të shmangë përhapjen e epidemis. Sipas ekspertëve e vetmja masë parandaluese krahas vaksinimit është zhdukja e kafshëve të infektuara ose shpendëve duke i djegur e groposur dhe në këtë mënyrë minimizojmë kërcënimin. Por gjithashtu duhen shtuar masat e kontrollit në të gjitha pularit, ndërmarrjet e rritjes së shpendëve deri në kontrollin e pëllumbave ,dhe nga ana tjetër të kontrollohet çdo mish i importuar nga vendet e burimit që dyshohen ose janë përshkuar nga epidemia e gripit të shpendëve të egër apo të pulave. Po ashtu duhen të merren masa të mira higjienike duke filluar nga larja dhe dezinfektimi i duarve , dezinfektimi i ambienteve të higjienës personale sepse rruga aerogjenë është më e mundura për të gjithë viruset e gripit.
Cili është trajtimi? 
Në këtë rast të gripit të shpendëve mendohet se është efektiv ilaçi antiviral Tamiflu dhe relenza si dhe vaksinimi anti-grip ndaj virusit përkatës. 
A kanë ndikim vaksinat që përdoren kundër gripit sezonal për periudhën 2017 të tipit “Aventis- Paesteu” Flaurix apo ajo kineze që jepet falas për të sëmurët kronik e pensionistët?
Mund të themi se këto vaksina në përbërjen e tyre kanë dy nën tipa të gripit A me mutacionet më të fundit të fundvitit 2016 dhe të pranverës së 2017 që përfshijnë periudhën prill 2016 deri në prill 2017. Por nuk dihet me siguri a mund të mbroj kundër gripit të shpendëve (pulës). Në fakt këto vaksina janë me virus inaktiv (virus i fragmentuar që përmban antigjen të kultivuar në embrionin e vezës dhe është ekuivalent me tipat dhe nëntipat si në vijim: Antigjen i tipt A / Kaliforni 7-2004 (H3N2 variant A-New York -55-2004 NM e x 157). Antigjeni tip A new –caledonia -2009(H1N1 ) variant A new –caledonia 2009 (ivr-116).
Antigjen i tipit B shangia 361-2002, variant B-Jang-Su -10.2003.
Këto vaksina janë konform rekomandimeve të OMS (OBSH) dhe për vitin 2017-2018. Këto përmbajnë 5Mmg hemo-aglutinin të çdo stereotipi të rekomanduar. Vaksinat rekomandohen në parandalimin e gripit në të rritur dhe fëmijë mbi 6-muajsh, rekomandohen veçanërisht tek moshat mbi 60-vjeç dhe tek të sëmurët kronik: të semur me sëmundje të zemrës dhe të enve të gjakut, me diabet, fibrozë cistike (mukofishidoza) sëmundje kronike të aparatit respirator (BPCO) insuficencë renale, imunodeficencë e lindur apo e fituar etj. Vaksina mund të rekomandohet për arsye të profesionit që kanë rrezik të madh infeksioni si personeli shëndetësor, personeli i kujdesit, aviacionit, policisë etj. Mënyra e përdorimit ; përdoret në të rritur dhe fëmijë mbi 36 muajsh dhe aplikohet në dozë 0.5 ml nën lëkurë ose muskulore. Duhet të kini kujdes se për fëmijët që nuk janë vaksinuar më parë duhet dhe një dozë e dytë pas një muaji. Kjo vaksinë që të jetë efektive duhet të përdoret në fillim të periudhës gripale sipas të dhënave epidemiologjike dhe alarmit që jepet nga vendet partnere për epidemitë. Duhet të keni kujdes që vaksinën DETYRIMISHT ta bëni nën lëkurë në personat që vuajnë nga trombocitopenia ose turbullime të kuagolimit të gjakut, sepse futja në muskul në këto raste pasohet me hemorragji. Në asnjë rast NUK DUHET të administrohet në venë. Ku nuk rekomandohet vaksina: në raste kur personi paraqet ndjeshmëri të lartë qoftë ndaj lëndëve aktive (përbërëse) të vaksinës ose nuk toleron vezën ose proteina të pulës, ndaj gentamcinës, farmaldehidi ose dezoksidkolatit të natriumit. Duhet të tërhiqet vëmendja për përkujdes të veçantë si çdo vaksinë tjetër që të mos aplikohet në sëmundje me temperaturë të lartë. Nga ana tjetër rrufa minore nuk përbën pengesë,por si për çdo vaksinë tjetër duhet të jeni të përgatitur të jepni ndihmën kundër reaksionit alergjik sido që fatmirësisht takohet rallë.Përsa i takon ndërveprimit me ilaçe të tjera – mund të interferojnë ilaçet imunosupresor, por mund të përdoret me vaksina të tjera në se ka nevojë. Studimet e kontrolluara tregojnë se të vaksinuarit duhet të ndiqen për sinjalizim shenjash për 7 ditë pas vaksinimit, por për çdo ndodh duhet të sinjalizojnë deri në 1-muaj pas vaksinës. Duhet të mos trembeni sepse reaksionet e rënda janë shumë të rralla. Për sa i takon efektit në të rriturit 18-60 vjeç efekti mbrojtjes ka qenë mbi 70% ndërsa në të moshuarit kjo mbrojtje është më e ultë 60%. 
Vaksina është me një ngjyrë lehtësisht opake ose pangjyrë por para përdorimit çdo vaksinë duhet të kontrollohet mirë në aspektin fizik , të mos ketë grimca apo lëndë të huaja. Nëse ka çfarëdo lloj devijimi nga norma nuk duhet të aplikohet. Dhe në vendin tonë ka 2-3 javë që ka filluar fushata e vaksinimit dhe akoma vazhdon. Jeni të lutur ta aplikoni këtë vaksinë sido që mediat publikojnë çdo ditë firma të ndryshme . Vaksina e çdo firme është standardizuar dhe e pranuar nga OBSH me shtamet që u paraqitën më lartë. Por theksojmë dhe një herë që efekti i saj filloj 2-3 javë pas aplikimit dhe duhet të dini që asnjë vaksinë e çdo lloji nuk ka mbrojtje 100%. Po ashtu duhet të dihet se vaksina është për të gjithë përjashtuar ato që kan e indikacione si reaksion ndaj vezës etj . Dhe pse nuk është 100% e sigurt kjo nuk është një arsye për të mos u vaksinuar . Është i gabuar mendimi i shumë njerëzve që gripi është një sëmundje e “mirë” e pa rrezikshme, gjë e cila është krejt e kundërta , gripi është një sëmundje e rëndë dhe shumë e rrezikshme. Si dhe hiqni mendimin që vetë vaksina shkakton gripin. Por nuk mbron nga të gjitha viruset e gripit e as nuk mbron nga sezoni në sezon dhe ka një afat mbrojtës nga 6-muaj deri në 1-vit. Jeni të lutur nëse ju prek gripi dhe jeni të pa vaksinuar konsultohuni me mjekun tuaj që t’ju jap ndonjë medikamet antiviral siç është theksuar në fillim dhe jo antibiotikë që s’janë të efektshëm ndaj viruseve të gripit, por ndaj baktereve (mikrobeve). Dhe mos merrni mendimin e të afërmve mbi ilaçet që do përdorni. Drejtohuni tek mjeku.
Sigal