Dr. Artan Koni: Problemet urinare tek fëmijët. Ja mjekimi

796
Sigal

Intervistë me androlog-urolog, FEBU, FEAPU/ Si bëhet diagnostikimi i refluksi urinar, patologjia më e shpeshtë te fëmijët me infeksione urinare të përsëritura

Dr. Artan Koni: Ja çfarë problemesh sjell përdorimi i tepërt i kripës tek fëmijët

Fëmijët janë vazhdimësia e jetës dhe si të tillë duhet kujdesur për ta dhe në rastet kur kanë probleme shëndetësore duhen kuruar dhe trajtuar më shumë kujdes.Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se tek fëmijët kripa bën keq, por nuk i kemi drejtuar pyetje një specialisti deri tani. Si i bën keq kripa fëmijëve, në cilën sasi, a sjell probleme tek fëmijët me probleme në veshka? Këtyre pyetjeve i përgjigjet një nga specialistët më të mirë të kësaj fushe në Shqipëri,  Dr. Artan Koni, androlog-urolog shumë i njohur dhe i suksesshëm, si specialist i fushës së urologjisë shpjegon me detaje një nga patologjitë më të shpeshta tek fëmijët me infeksione urinare të përsëritura.

-Doktor Artani, një pyetje ose më saktë disa pyetje që mundojnë prindërit gjatë gjithë kohës për fëmijët e tyre është, me aq sa kanë dëgjuar dhe lexuar, a i stimulon kripa gurët në veshka?
– Përshëndetje! Më vjen mirë që keni ndaluar në një çështje mjaft të rëndësishme për moshën pediatrike.. Kripa është një komponent i rëndësishëm për gurët në veshka. Megjithatë, vetëm sasia e tepërt e kripës në ushqim, nuk mjafton për të formuar gurë në veshka. Nëse konsumojmë shumë lëngje, kripa diluohet dhe nuk formon gurë. Në raste të tjera, mungesa e disa enzimave që ndihmojnë në parandalimin e gurëve, është më e rëndësishme se vetë sasia e kripës. Mund ta përmbledhim duke thënë se sasia e kripës është e rëndësishme, por nuk është i vetmi faktor.

– A është problem nëse ata konsumojnë në ushqime më shumë kripë se masa? Realisht sa është masa e kripës që duhet konsumuar?
– Kripa është e domosdoshme për rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Kështu që reduktimi i kripës te moshat pediatrike është e rrezikshme. Megjithatë, sasia më e madhe se mesatarja shton rrezikun për gurë në veshka. Rëndësi ka që ushqimet të jenë me kripë, por të mos i shtohet kripë shtesë gjatë ngrënies. Përveç kësaj, sasia e lëngjeve ditore duhet të jetë e bollshme, duke reduktuar mundësinë për formimin e gurëve në veshka.

– Një fëmijë më gurë në veshka, çfarë problemesh i sjell konsumimi i kripës? Ju si specialist çfarë këshillash jepni?
– Fëmijët me gurë në veshka si fillim duhet të ekzaminohen nëse kanë ndonjë problem tjetër metabolik, nëse ka mungesë apo tepricë të ndonjë enzime a hormoni në gjak. Për këta fëmijë, duhet bërë kujdes që përderisa kanë formuar njëherë gur në veshka, kanë shumë shanse që të formojnë përsëri pas 3 apo 5 vjetësh. Rrjedhimisht, duhen bërë ndryshime të kujdesshme në stilin e jetesës, duke e diskutuar edhe me prindërit. Them ndryshime të kujdesshme, sepse nuk duhet harruar që ndryshimet radikale mund të influencojnë zhvillimin normal të fëmijës.

-Dr. Koni, a mund të bëni një përshkrim mjekësor se çfarë është refluksi urinar, duke qenë se është një problem që është hasur shpesh apo jo?


– Po, është e vërtetë, refluksi është një patologji e lindur, e cila haset shpesh në popullsi. Një pjesë e këtyre kalon vetvetiu brenda vitit të parë të jetës, duke mos shkaktuar asnjëherë infeksione urinare te fëmijët. Një pjesë tjetër nuk kalon vetvetiu dhe na shfaqet në formën e infeksioneve të shpeshta urinare. Një pjesë relativisht më e vogël e reflukseve përkeqësohet me kalimin e viteve, e nxitur nga probleme të tjera të rrugëve urinare. Infeksionet urinare kurohen me antibiotikë, por infeksionet e shpeshta dëmtojnë gradualisht veshkën. Prandaj, në raste të infeksioneve të shpeshta urinare, nuk mjafton vetëm kura me antibiotikë. Dëmtimi i veshkave vjen gradualisht, nuk ndodh menjëherë, duke bërë kështu që ky problem të mos bjerë shumë në sy. Por, infeksionet e shpeshta urinare janë shkaktari kryesor i insuficencës renale në vendin tonë.
– Si bëhet diagnostikimi i këtij problemi?


-Diagnostikimi i këtyre fëmijëve mund të bëhet me disa mënyra, të cilat varen nga gjendja klinike e tyre. Cistouretrografia miksionale (VCU) është ekzaminimi më i rëndësishëm në rastet me refluks urinar. Megjithëse është e rëndësishme, VCU është një ekzaminim invaziv dhe mund të anashkalohet në paciente të veçantë. Kështu që jo të gjithë fëmijët duhet t’a bëjnë patjetër këtë ekzaminim, gjithçka varet nga gjendja klinike e fëmijës. Ultrasonografia (eko) është një ekzaminim tjetër shumë i rëndësishëm, jo vetëm për vendosjen e diagnozës, por edhe për ndjekjen në vazhdimësi të fëmijëve. Nëse veshkat apo kanalet urinare janë të zgjeruara, duhet konsultuar me një urolog pediatër për të përjashtuar refluksin urinar. Shintigrafia renale është një tjetër ekzaminim i rëndësishëm, i cili na jep informacion në lidhje me dëmtimin e veshkave. Në raste kur veshkat kanë filluar të dëmtohen, edhe trajtimi i refluksit bëhet në mënyrë më invazive. Pas moshës 1 vjeçare, dëmtimi i veshkave është i pakthyeshëm, për këtë arsye refluksi urinar është një problem, të cilit i duhet kushtuar rëndësia e duhur.

-…dhe si trajtohet refluksi urinar?

-Ka disa mënyra për të trajtuar refluksin urinar, e cila bëhet në bazë të gjendjes së fëmijës dhe sigurisht bisedës me prindërit. Në rastet me refluks të lehtë dhe pa infeksione urinare të shpeshta, ndjekja e fëmijës mund të jetë një zgjidhje, sepse një pjesë e reflukseve kalojnë vetvetiu.
– Si duhen marrë antibiotikët tek fëmijët?

– Dhënia e antibiotikëve me dozë të reduktuar është e rëndësishme te fëmijët me infeksione të shpeshta urinare, sepse parandalimi i infeksioneve do të thotë parandalim i dëmtimit të veshkave. Në rastet me refluks të rëndë, kirurgjia e refluksit bëhet e domosdoshme. Kirurgjia endoskopike preferohet vitet e fundit, sepse jo vetëm që është një operacion i shkurtër, por edhe nuk ka problemet e operacioneve të hapura.

– A është kirurgjia ajo që jep më shumë efekt në rastet me refluks?

– Kirurgjia endoskopike nuk është e efektshme në të gjitha rastet me refluks, kështu që zgjedhja e operacionit të hapur apo të mbyllur bëhet në varësi të gjendjes klinike të fëmijës, duke e diskutuar edhe me prindërit e tij. Operacioni i hapur zgjidh problemin e refluksit dhe ka pak komplikacione post-operatore. Gjithsesi, ky lloj operacioni preferohet te fëmijët me refluks të rëndë urinar.

-A duhet ndjekur fëmija që vuan nga kjo patologji në mënyrë konstante?
-Ndjekja në vazhdimësi e fëmijës është gjëja më e rëndësishme në rastet me refluks urinar, sepse refluksi mund të ndryshoje me kalimin e kohës, për mirë apo për keq. Mënyrat e ndryshme të kurimit mund të diskutohen me urologun pediatër sa herë që ndryshon gjendja klinike e fëmijës. Infeksionet e shpeshta urinare te fëmijët duhet të jenë një këmbanë për çdo prind, sepse refluksi urinar është sëmundje e fshehtë dhe nuk jep shenja, por dëmton veshkat me kalimin e kohës.