Aminoacidet thelbësore për organizëm të shëndetshëm

316
Sigal

Aminoacidet janë përbërësit themelorë të proteinave, një ndër lëndët më të rëndësishme ushqyese për trupin e njeriut.

Sinteza e hormoneve, enzimave dhe neurotransmetuesve, janë procese të cilat nuk do të zhvilloheshin pa praninë e aminoacideve.

Ato janë të rëndësishme për rritjen e muskujve, rigjenerimin e indeve, formimin e lëkurës, flokëve dhe eshtrave etj.

Në këtë artikull ju njohim me 9 aminoacidet thelbësore për shëndetin dhe funksionin e tyre në organizëm.

Cilat janë aminoacidet thelbësore?

Ekzistojnë 20 lloje aminoacidesh, nga të cilat 11 prodhohen nga trupi ynë.

Aminoacidet thelbësore, njeriu i merr nga ushqimi që konsumon.

Kur një ushqim i ka të nëntë aminoacidet thelbësore, ai klasifikohet si ushqim me proteinë të plotë.

Ndërsa ushqimet që përmbajnë disa, por jo të gjitha aminoacidet thelbësore, quhen proteina jo të plota.

Aminoacidet thelbësore mund të gjenden tek ushqimet e pasura me proteina, qofshin ato me bazë shtazore ose bimore.

Burimet më tipike të këtyre aminoacideve janë proteinat shtazore si mishi, vezët dhe produktet e qumështit.

Edhe proteinat bimore përmbajnë aminoacide, por shumë prej tyre janë proteina jo të plota, këtu mund të përmendim arrat, farat, perimet dhe drithërat.

Megjithatë ka disa burime bimore të proteinave të plota, duke përfshirë kinoan, sojën dhe farat e kërpit.

Ekspertët shpjegojnë se nuk keni pse t’i konsumoni të gjitha aminoacidet thelbësore në një vakt për të korrur përfitimet.

Nëse regjimi juaj ushqimor është i larmishëm, trupi është në gjendje të marrë të gjitha aminoacidet e nevojshme gjatë ditës.

Si trupi i përdor aminoacidet

Secili nga nëntë aminoacidet thelbësore mëposhtë, shërben për funksione dhe role të ndryshme në trup.

Histidina

Histidina prodhon disa hormone dhe është e rëndësishme për funksionin normal të veshkave, sekretimin e stomakut dhe funksionin imunitar.

Fasulet, drithërat, makarona me grurë të plotë, janë disa nga burimet kryesore.

Izolucina

Ndihmon në shërimin e plagëve, detoksifikimin qelizor, mbështet sistemin imunitar dhe promovon sekretimin e shëndetshëm të hormoneve të ndryshme.

Është e rëndësishme për rregullimin e sheqerit në gjak dhe lufton lodhjen.

Burimet kryesore janë: thjerrëzat, arrorët, farat dhe fasulet.

Leucina

Leucina mbështet sintezën e proteinave dhe funksionet metabolike, duke përfshirë rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak, prodhimin e hormoneve të rritjes, rritjen dhe riparimin e indeve të muskujve dhe kockave.

Ndihmon në parandalimin e prishjes së proteinave si përgjigje ndaj stresit ose traumës.

Zakonisht gjendet tek fasulet dhe kungujt.

Lizina

Ajo mbështet sintezën e proteinave, prodhimin e energjisë, hormoneve dhe enzimave.

Nxit funksionin imunitar, formimin e kolagjenit dhe ndihmon në thithjen e kalciumit.

Duke zvogëluar nivelet e përgjithshme të kortizolit, ndihmon gjithashtu me stresin dhe ankthin.

Ajo gjendet tek fasulet dhe bizelet.

Metionina

Ndihmon në detoksifikimin, riparimin dhe mbrojtjen e indeve dhe qelizave kundër ndotësve dhe plakjes.

Gjithashtu ndihmon në shpërbërjen e metaleve të rënda në mëlçi, për të ndërtuar ADN -në dhe vepron si një antioksidant.

Fasulet, drithërat, arrat braziliane dhe farat e susamit, janë disa nga burimet kryesore.

Fenilalanina

Fenilalanina ndihmon në krijimin e neurotransmetuesëve, lajmëtarëve kimikë që dërgojnë informacion tek qelizat nervore.

Ky aminoacid prodhon disa enzima, që ndihmojnë në krijimin e aminoacideve të tjera jo thelbësore.

Për shkak se këto molekula kontribuojnë në përgjigjen tonë ndaj stresit dhe ndjenjës së kënaqësisë, fenilalanina konsiderohet të ketë efekte të mundshme terapeutike për ankthin dhe depresionin.

Burimet më të mira janë: fasulet, farat e lulediellit dhe arrorët.

Threonina

Ajo luan rol në funksionin imunitar dhe në strukturën e proteinave të ndryshme që përbëjnë lëkurën dhe indet lidhëse, të tilla si kolagjeni dhe smalti i dhëmbëve.

Burimet kryesore janë: farat e lirit, arrorët, thjerrëzat, fasulet, bizelet dhe patatet e ëmbla.

Triptofani

Vepron si një pararendës i neurotransmetuesit serotoninë, i cili rregullon gjendjen shpirtërore, gjumin dhe oreksin.

Ju keni nevojë për këtë aminoacid për rritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm, si dhe prodhimin e niacinës (vitamina B3), thonë ekspertët.

Tërshëra, arrorët, farat, fasulet dhe farat e lirit janë burimet kryesore.

Valina

Valina është e rëndësishme për stimulimin e rritjes, rigjenerimit të muskujve, si dhe prodhimit të energjisë.

Mund të ndihmojë në luftimin e lodhjes, ruajtjen e fuqisë mendore, kontrollin emocional, si edhe forcën e masës muskulore.

Kikirikët, kërpudhat, drithërat, fasulet, bizelet dhe tërshëra janë burimet kryesore.