Zija Çela: O ndaluni, pash sytë e ballit, ndaluni !

129
Sigal

Apeli drithërues i shkrimtarit të shquar për çatdhesimin. Përse shqiptarëve po u ikën nga zemra vetë Shqipëria? Prej emigrimit masiv në qyteza e fshatra të shkretuara shihen lot në sytë e prindërve të vetmuar. Thonë se, kur për fëmijët nëna bën vaj, sa ka deti kripë, aq kanë lotët e saj

Pyetjet për emigrimin masiv po marrin gjithfarë përgjigjesh gjatë debateve. Ndërkaq, në qyteza e fshatra të shkretuara shihen lot në sytë e prindërve të vetmuar. Por një si rrëqethje e vetvetishme, e pandalshme e trishtuese, tashmë po bëhet e përgjithshme në familjet tona. Sepse është e dhimbshme kur sheh shqiptarët të ikin vrullshëm nga Shqipëria. Dhe akoma më e dhimbshme dilema: Përse shqiptarëve po u ikën nga zemra vetë Shqipëria?

“O ndaluni, pash sytë e ballit, ndaluni!”, pata dëgjuar një nënë, që në portin e Durrësit u thërriste bijëve.

Me gjasë, donte t’u thoshte se shpresa nuk ka vdekur me gjithsej dhe, duke qenë e natyrës shpirtërore, ka njëkohësisht diçka hyjnore. Madje, në këtë rast ia vlen të theksohet fort: Për sa kohë njeriu është në jetë, ka dy gjëra për të cilat asnjëherë nuk duhet nxituar, vetëvrasja dhe çatdhesimi.

O ndaluni, ndaluni bre, se edhe sytë e ballit po u plasin pleqve prej hallit. Për këtë përvëlimin thonë… Hë pra, çfarë thonë? Thonë se, kur për fëmijët nëna bën vaj, sa ka deti kripë, aq kanë lotët e saj.