Zgjedhjet, Nishani dekreton 25 Qershorin

512
Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot 25 Qershorin si datën e re të zgjedhjeve, për të cilën u ra dakort në marrëveshjen e pak ditëve më parë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Po më datë 25 Qershor do të zhvillohen dhe zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Kavajës.
Në tekstin që shoqëron dekretet, presidenti Nishani shpjegon se vendimi i tij vjen në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të Kodit zgjedhor si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të shumicës dhe opozitës.
Po sot Parlamenti njoftoi, se me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, nesër pasdite do të mblidhet një seancë e jashtëzakonshme, me një rend dite që mbështetet në pikat e marrëveshjes politike. Parlamenti do të miratojë fillimisht ndryshimet në qeveri, si dhe zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës zgjedhore, i cili po nesër do të paraqesë një paketë ndryshimesh ligjore, të cilat do të kenë të bëjnë kryesisht me financimin e partive dhe ashpërsimin e masave për veprat penale që lidhen me zgjedhjet.
Po ashtu opozita do të paraqesë kandidaturat e saj për anëtarët e komisioneve që lidhen me procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Deputetët do të votojnë dhe për kreun e ri të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve i cili i kalon opozitës, dhe një anëtar të këtij komisioni.
Sigal