Zgjedhjet e parakohshme shmangin përplasjen civile

721
Sigal

Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit

Djegia e mandateve po i bën kancelaritë e Evropës të kuptojnë se situata në vendin tonë është serioze dhe se ndryshimi në qeverisje është domosdoshmëri

Jakup B. GJOÇA

Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se raporti i DASH për Shqipërinë I publikuar së ditët e fundit ka informacione edhe nga burime të tjera, përveç ambasadës së SHBA në Tiranë, prandaj ka edhe handikap midis realitetit që përshkruan raporti i DASH për Shqipërinë me qëndrimet publike të ambasadës së SHBA në Tiranë.

Zonja Gjosha shpjegon për gazetën “Telegraf” se, shumë herë ndërkombëtarët duan që të ruajnë status quo-s në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, sepse ndryshimet e shpeshta në qeveri vështirësojnë bashkëpunimin me institucionet e tyre dhe pengojnë vazhdimësinë e implementimit të marrëveshjeve, prandaj edhe ndërkombëtarët fillimisht e quajtën “destabilizim” të Shqipërisë dorëzimin e mandateve të deputetëve nga opozita.

Por, zonja Gjosha shprehet se partnerët tanë ndërkombëtarë do të binden se opozita, duke dalë jashtë parlamentit sensibilizon opinionin për rreziqet e demokracisë në Shqipëri nga regjimi i Edi Ramës, dhe mundësia për të shmangur tashmë përplasjen civile është vetëm zgjedhjet e parakohshme.

-Zonja Gjosha, mendoni se raporti i DASH për Shqipërinë për vitin 2018, shpreh edhe perceptimin e Administratës së Presidentit Trump për Shqipërinë?


– Raporti i DASH është një raport zyrtar dhe jo i bazuar në perceptime apo mendime individuale. Unë do ta cilësoja si një nga raportet më realiste mbi situatën në Shqipëri, shqetësimet mbi korrupsionin, trafikun e drogës, kriminalitetin dhe shumë aspekte të tjera. Nëse përfaqësuesit më të lartë të Kabinetit të Trump do të kërkonin informacion mbi Shqipërinë, ky do të ishte raporti kryesor informues për ta. 


–  A është ambasada e SHBA në Tiranë burimi i informacionit të DASH, mbi të cilin është formuluar ky raport?

-Ambasada është vetëm një pjesë e burimit. Zakonisht këto raporte bazohen si  në misione të posaçme me ekspertë që vijnë në Shqipëri me një detyrë të caktuar, burime konfidenciale dhe grupe te ndryshme interesi.

–  A ka një handikap raporti i DASH me qëndrimin zyrtar të ambasadës së SHBA në Tiranë, e cila publikisht nuk është shprehur për çfarë shkruan raporti i DASH, përkundrazi Ambasada e SHBA thekson se reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë?

– Ambasadat janë shërbime diplomatike dhe si të tilla tregohen shumë herë më të kujdesshme në artikulimin e tyre dhe në marrëdhënien me qeverinë.
–  Pse partnerët ndërkombëtarë deri tani cilësojnë “destabilizim” të Shqipërisë dorëheqjen e mandatit të deputetëve nga opozita dhe jo shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se 1 vit e gjysmë nga Mazhoranca?

– Në përgjithësi ndërkombëtarët kanë mbështetur ruajtjen e status quo-s në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, sepse ndryshimet e shpeshta në qeveri vështirësojnë bashkëpunimin me institucionet e tyre dhe pengojnë vazhdimësinë e implementimit të marrëveshjeve. Mos harrojmë që çdo akt politik në rajonin tonë mund të ketë një efekt zinxhir që e bën situatën të pakontrollueshme edhe nga vetë partnerët. Por kjo nuk do të thotë që ndërkombëtarët veprojnë drejtë në këtë mënyrë, pasi rreziku i vërtetë që çon drejt destabilizimit është mungesa e demokracisë, pamundësia për të pasur drejtësi, institucionet jofunksionale, një shtet i pakur dhe që nuk punon për qytetarët. Kjo është e vërteta, sado e dhimbshme që mund të tingëllojë.

–  A  mendoni se kancelaritë dhe presidencat e vendeve të fuqishme të BE dhe SHBA po informohen se çfarë ndodh në të vërtetë në Shqipëri, apo, ende mbizotërojnë opinionet që shprehin ambasadorët e tyre në Tiranë, se qeveria dhe parlamenti pa opozitën është e ligjshme?

–  Sot më shumë se asnjëherë kancelaritë kanë shtuar vëmendjen drejt Shqipërisë dhe aktualitetit tonë politik. Djegia e mandateve po i bën ata të kuptojnë se situata në vendin tonë është serioze dhe se ndryshimi në qeverisje është domosdoshmëri. Në fund të fundit akti i opozitës ishte sensibilizues edhe për atë pjesë të ndërkombëtarëve që ishin skeptik ndaj saj. Nuk ka rëndësi nëse ndërkombëtarët e pranojnë apo jo fenomenin e djegies së mandateve, e rëndësishme është që Shqipëria bashkë me ta t’i rikthehet punës për vlerat e vërteta të demokracisë.


-. Pse ende vendet e Bashkimit Evropian, derisa heshtin, e pranojnë, një anomali demokratike në Shqipëri, që parlamenti të funksionojë pa opozitën, e ca më keq, që edhe deklarojnë, sikurse OSBE-ja, që mund të njohin edhe zgjedhjet vendore pa pjesëmarrjen e opozitës?

– Ky është thjesht një provokim për të kuptuar sa e vërtetë dhe e vendosur është opozita në vendimmarrjen e saj. Nëse në ditët në vijim ata do të shohin që mbështetja e qytetarëve ndaj opozitës do të rritet, do të jenë të detyruar të pranojnë vendimin opozitar dhe të pjesës dërrmuese të shqiptarëve.

– .Kryeministri përditë deklaron se mazhoranca do të shkojë në zgjedhjet vendore pa opozitën dhe opozita do të hyjë në parlament vetëm pas vitit 2021. Sa real është një përplasje e dhunshme civile në Shqipëri?

– Vendimi i opozitës për djegien e mandateve ka shmangur deri diku një konflikt dhe një përplasje civile. Unë mendoj se Rama do të jetë i detyruar të pranoj kërkesën e qytetarëve për zgjedhje të parakohshme dhe me standarde për të krijuar kushte për votën e lirë. Në përgjithësi liderët autokrat e kanë të vështirë të tërhiqen, por në fund nuk kanë asnjë rrugëdalje. Rama duhet ta kuptoj se është më mirë të largohet si një burrë shteti, se sa si një lider që do detyrohet të fshihet nga frika e përballjes me qytetarët!

– Nëse kryeministri nuk pranon shpërndarjen e parlamentit, a do të mjaftohet opozita vetëm me protesta para parlamentit, sa herë ka seanca plenare?

– Protestat do të jenë të vazhdueshme qoftë para parlamentit, qoftë nëpër qytete të tjera të vendit apo protesta mbarë kombëtare siç do të jetë ajo e 13 Prillit. Çdo aksion opozitar në vazhdimësi do të vendoset në bashkëpunim me qytetarët.

– Opozita është (vetë)përjashtuar nga çdo procedurë e zbatimit të reformës në drejtësi, ndërkohë që mazhoranca ndërton institucionet e Drejtësisë pa marrë konsensusin e opozitës. Sikur të ndodhë, që të riformohet Gjykata Kushtetuese dhe kjo Gjykatë e re Kushtetuese, t’i japë të drejtë çdo animimi që do bëjë kryeministri, në këtë skenar politik, a është e humbura politike Opozita?

– Reforma në drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja apo edhe atyre ekzistente nuk varet më nga opozita. Mazhoranca mund t’i kishte ngritur ato prej shumë kohësh, por i ka munguar vullneti dhe dëshira. Humbja më e madhe sot është e qytetarëve shqiptarë që duhet të përballen çdo ditë me kapjen e shtetit, presionin policor të urdhëruar nga lart, papunësinë, mungesën e aksesit në arsim dhe shëndetësi, me taksat e larta, me vjedhjen e pronës dhe arrogancën qeverisëse. Kam bindjen se gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt dhe ne jemi këtu për të dhënë alternativën dhe për të mos lejuar kurrë humbjen e shpresës!

– Faleminderit!