Zgjedhjet e brendshme në 61 degët e PS, shtyhet afati i aplikimeve

145
Sigal

Partia Socialiste ka shtyrë deri më 31 maj afatin e aplikimeve dhe propozimeve për zgjedhjet e brendshme për kryetarët e 61 degëve të partisë në bashki. Ky vendim i Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë Socialiste është marrë pasi sot skadonte afati i përcaktuar. Sipas PS-së, kjo periudhë shtesë do të shërbejë jo vetëm për administrimin e kandidaturave të reja, por edhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm nga kandidaturat e deritanishme.

Deri ditën e djeshme, janë administruar mbi 400 emra si kërkesa për vetëkandidim dhe propozime nga Këshillat Socialiste në territor.

Njoftimi i PS

Në zbatim të vendimeve të Kongresit, Asamblesë Kombëtare dhe Kryesisë për fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kryetarët e 61 degëve të partisë në bashki, deri ditën e djeshme janë administruar mbi 400 emra si kërkesa për vetkandidim dhe propozime nga Këshillat Socialiste në territor.

Në kushtet kur afati i përcaktuar skadon sot, marrë në konsideratë interesi i lartë për pjesëmarrje në këtë proces, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste ka vendosur shtyrjen e afatit të aplikimeve dhe propozimeve deri në datën 31 Maj.

Kjo periudhë shtesë do të shërbejë jo vetëm për administrimin e kandidaturave të reja por edhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm nga kandidaturat e deritanishme.

Çdo kandidaturë duhet të ketë si dokumentacion shoqërues një CV, kërkesën për kandidim dhe formularin e vetdeklarimit për garantimin e integritetin ligjor. Platforma e kandidimit është një material i cili do të prezantohet para asamblesë së bashkisë përkatëse vetëm nga kandidatët të cilët kualifikohen për fazën finale të garës.