Zamira Çavo: Si po degradon kjo shoqëria jonë. Shikoni arsimin!

901
Sigal

 

 

Kryeministri, pasi ka 2 mandate që bën sikur merret me arsimin. Ministrja arrin e deklaron : ” Reforma në arsimin nuk ka dhënë rezultatet e pritshme!” Jo ! Unë them se të gjitha reformat kanë dhënë rezultatet e pritshme, sepse ashtu si u ndërtuan dhe u miratuan këto rezultate do kishte! Një vrimë në ujë.

Më vjen çudi që ky populli ynë, që ka kaluar kaq stuhi në jetë, ka tashmë një prirje të dukshme për degradim! Mbase kështu e ka patur edhe në histori. E bën si lopa: E mbush enën e pastaj i jep një shkelm e derdh qumështin! Më vjen të besoj se nuk dimë të gjykojmë me mëndjen tonë ndaj jemi vend i paradokseve të mëdha. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm politikisht. Shpesh jemi tërhequr nga e kaluara dhe rrallë kemi parë nga e ardhmja. Kështu veproi Haxhi Qamili dhe për shumë vite Shqipëria u tërhoq zvarë në shtetformimin e saj. Kështu vepruan vullnetarët e Enverit dhe për 30 vjet akoma antikomunistët komunistë vazhdojnë të fshehin degradimin e vendit nën luftën ndaj komunizmit! Kështu po ndodh edhe sot dhe Berishën! Të gjitha këto momente vërtetojnë që nuk dimë të gjykojmë me mëndje nga e ardhmja, por na tërheq e keqja, sepse jemi mësuar me të. E keqja na është futur në damarë e na ka bllokuar reagimin qytetar. Kështu ka ndodhur dje, kështu ndodh sot, e kam frikë se kështu do ndodh dhe nesër! Ndaj nuk dimë të bëjmë shtet! Dhe duke qenë se shteti gjithnjë është inegzistent në funksionet e tij kryesore ( jo në ato që kanë të bëjnë me pushtetin) shoqëria po zhytet në një degradim që po eçën me shpejtësi marramendëse! Hidhni thjesht një sy…

1-Shikoni arsimin!

Çfarë degradimi masiv, jo thjesht në arsimim e dije, por në edukim e qytetari! Nxënës, që në fjalorin e tyre të ngushtë nuk arrijnë të vendosin limitet e edukatës minimale! Klasa ku nxënësit filmojnë për qejf gjuhën banale, vulgare, fyese, të patoleruseshme që shoku përdor ndaj mësueses! Dhe mësuesja hesht. Nuk di ç’të thotë. Shikon veten në vidion virale të rrjeteve sociale dhe detyrohet të marrë raport e të mos duket në faqe të dheut! Thua se ajo është fajtorja!

Pse kështu?

-Sepse shoqëria jonë po degradon me shpejtësi. Sepse rrjetet sociale me mijëra mendime të ndryshme, shpesh nën nivelin vulgar të vidios, të përçudnojnë deri në marrëzi! Dhe shoqëria hesht! Madje fërkon barkun me frazën brilante të psikologjisë sonë :”Ooo sa u kënaqëm”! – Sepse për arsimin askush nuk e ka vënë ujin në zjarr! Sepse qëndrimi gati fyes i qeverisë ndaj arsimit është thjesht një rrugëz që i hapet injorancës të përforcuar me rrugaçëri, për të shfryrë kundër dijes, mësuesit e pedagogët!  Sepse kryeministri, pasi ka 2 mandate që bën sikur merret me arsimin, tashmë përsërit të njëjtat fraza të 8 viteve më parë! Sepse reformë pas reforme asgjë nuk lëviz dhe ministrja arrin e deklaron : ” Reforma në arsimin nuk ka dhënë rezultatet e pritshme!” Jo ! Unë them se të gjitha reformat kanë dhënë rezultatet e pritshme, sepse ashtu si u ndërtuan dhe u miratuan këto rezultatet do kishte! Një vrimë në ujë, një rrumpallhane dhe një degradim masiv të edukimit! Tashmë të rinjtë ikin nga sytë këmbët dhe sipas qeverisë fajin e ka arsimi ynë që vetëm nëse binjakëzohet më universitete të huaja, do i mbajë studentët këtu! Për të vënë duart në kokë! Fillimisht morën e sajuan programe nga vendet të tjera të botës dhe u shndërruam në qesharakë! Pastaj përkthyem librat e “shkollave më të mira” dhe harruam se çfarë mielli kemi këtu në këtë vend ku e liga është në palcë dhe etja për dije ështe shndërruar në uri për kartona! Dhe shkojmë e u mësojmë nxënësve në fillore, si prindërit e tyre bëjnë seks! Sepse kështu e ka bota! Dhe prindërit e papërgatitur për këtë argument si dhe mësuesit, mbeten keq dhe ua lenë në dorë fëmijëve të “vazhdojnë” të “eksplorojnë” me smartfonët e tyre dhe në grupe, të shikojnë realisht se si bëhën fëmijët! Sepse kur i jep fëmijëve një ‘armë”( pra një ide apo një instrument) më se pari duhet të jesh i bindur se ai është i përgatitur për ta kuptuar drejt mesazhin dhe për ta përdorur instrumentin. Por jo! Në Shqipëri askush nuk interesohet për të matur psikologjinë e fëmijëve, të prindërve, të trashëgimisë, të vetë shoqërisë.Askush nuk interesohet se cili nivel edukimi i përket shoqërisë sonë. Sepse në fakt na mungon EDUKIMI! Ndaj nuk jemi të gatshëm të thithim atë çka bota e ka përthitur ndër shekuj! Ama sërish do bëjmë reforma në arsim!!!!!! -Sepse me maskën e “lirisë” çdokush, pa asnjë gram mend të vetin, bën “të diturin”, i shfryhet mësuesit, arsimit, e bën arsimin pa vlerë dhe pa forcë vepruese. Sepse shqiptarit gjithnjë i është dukur vetja i ditur dhe kapadai! Harron gjendjen e tij dhe trashëgiminë. Dhe kur tashmë ka në dorë të thotë mendimin e tij “idiot”, e bën me qejf të madh dhe pas tij, nën sindromën e milingonës, të tjerët e thellojnë edhe më tej injorancën e të parit! -Sepse e gjithë propaganda jonë është vulgare, banale, çorientuese, degraduese! Mijëra njerëz të rinj e të vjetër, që shtyhen në rradhë për të përzgjedhur disa individë që për nga aftësitë e tyre nuk e di nëse ndonjë kompani serioze do t’i punësonte por i “punëson” ekrani! Ama ata e kanë të qartë kohën ku jetojnë: Më mirë në ekran se sa një diplomë! Fundja dhe diplomat kot janë! Janë çvlerësuar nga shteti, nga vetë institucionet, nga shoqëria!