Xhevat Mustafa: Rotacioni politik, një akt normal demokratik…!

101
Sigal

“…rotacioni politik dhe qeverisës nuk është as gogol e as pëllumb, as ferr dhe as parajsë. Ai është një traditë e praktikë normale e paqësore në vendet me të vërtetë DEMOKRATIKE, kur një parti, koalicion, qeverisje është përmbytur nga korrupsioni i pafre, nga dështimet dhe skandalet, nga të paaftët e të papërgjegjshmit…!

Nga Xhevat Mustafa

Prej rreth 34 vitesh, në fillim më diskutueshëm e sot më bindshëm, përforcuar këto ditët e fundit edhe nga lista e gjatë e përfituesve të dhjetëra miliona dollarëve çdo vit prej USAID-SOROS, jo rastësisht shumica nga ish Zona e Parë Operative e Enverit, apo poshtë Shkumbinit, është kuptuar se vendet e gjyshërve, baballarëve, dajallarëve, xhaxhallarëve…, i kanë zënë dhe po i mbajnë “me thonj e dhëmbë” bijtë e bijat, nipat e mbesat, stërnipërit e stërmbesat, nuset e dhëndurët, me tesera, bindje, vota, kuleta… “majtas”…Për të lehtësuar gjëmat dhe mëkatet e të parëve të tyre trashëgimtarët e këtyre 11 viteve Rama-parti-qeveria me “çeta të kuqe” e “banda të bardha” po investojnë pa u kursyer e po mashtrojnë pa ndjerë vrasje në ndërgjegje e  turp për ta zbukuruar atë epokë baltë-blozë, gjak, djersë e lotë… përzier! Po bëjnë shumëçka për t’ua reklamuar diktaturën enverianetë lindurve pas vitit 1990 si të vështirë, por jo të ferrshme, sa për t’u mallkuar e sharë nga thellësia e shpirtrave e me plot gojën dhe zërat. Qëllimi i parë e final i tyre është rrëmbimi i mandatit të katërt e pas tij, edhe i të tjerëve me radhë! Njëkohësisht e jo çuditërisht po këta shprehin kujtesë të fortë për bëmat dhe gjëmat, që kanë bërë qeveritë PD-Berisha as tamam për 13 vjet!?Për më tepër e me dozë më të fortëdiskretitimi të vetvetes, i shtojnë dhe stërzmadhojnë të këqijat e qeverisjes “së djathtë”, sikur nuk i kanë përjetuar shumica e shqiptarëve, lindur dhe rritur pas vitit 1960-të!?

Për më keq, sikur nuk e dinë se 67 vjetët e qeverisjeve, apo të mbretërimit të tyre janë në të vërtetë 5 herë e dy vjet më shumë se 13 vitet e qeverisjes nga PD-Berisha, më shumë faktike e formale, sepse pushtetin ekonomik e rrëmbyen qysh më 1991 komunistët me maskat e socialistëve apo enveristët me maskat e nanoistëve, sorosianistëve,edramistëve, ballkanhapur-istëve?! Pa e idealizuar edhe qeverisjen e “të djathtës”, nuk mund as të mbulohen me gjethe fiqsh, as të justifikohen dhe harrohen edhe mungesat, gabimet, shtrembërimet, mosrealizimet, dështimet, bëmat dhe gjëmat, korrupsioni jo me përmasat e “epokës Rama”, gjatë 13 viteve të qeverisjes nga koalicioni i partive “të djathta” apo “PD-Berisha”! Por, nuk është as e logjikshme, as e drejtë, as e besueshme dhe e pranueshme të vihet shenja e barazimit apo e njëllojllëkut për të këqijat mes 67 viteve të qeverisjeve nga “e majta” dhe 13 viteve të qeverisjes nga “e djathta”!? Kushdo që e bën këtë shpreh qëllimshëm fanatizëm e militantizëm partiak; ligësi, mungesë sinqeriteti dhe ndershmërie, së pari me veten e pastaj me shqiptarët dhe ndërkombëtarët! Nën këtë kontekst, edhe në gjendjen aspak normale, të kënaqshme e fort nxitëse dhe optimiste që janë PD dhe opozita, më së shumti nga diversioni afro 34 vjeçar prej “të majtës” nëpërmjet “kuajve dhe pelave të Bllokut dhe Sigurimit enverian- ramizian e të Sorosit” se sa vetvetes, nuk është në të mirë të vendit e të shumicës së popullit të paragjykohet dhe bëhet si gogol ikja e “Rama-qeverisë”, rrotacioni dhe qeverisja nga “e djathta”, domethënë nga PD dhe partitë në koalicion me atë! Propaganda qeveritare e “së majtës”, pasi arritën me ndihmën edhe të Xhorxh dhe AleksSoros, të Blinken, të McGonigalit, YuriKim, Escobar…nongratizimin e Berishës, pjesë e skenarit përdobësimin sa më të madh e afatgjatë të Berishës e të opozitës, nuk reshtin si gjatë 33 viteve duke “i lemerisur” trimat “e majtë” dhe sidomos popullsinë fshatare, me shumicë dërrmuese me të këqijat që do të kenë nëse fiton koalicioni “i djathtë” dhe sidomos nëse rikthehet Berisha në pushtet!? Për më keq e paturpësisht, bëjnë sikur nuk e marrin me mend edhe se nëse ndodh kjo pak e mundshmja, ai nuk do të rikthehet kurrsesi 100% me mendtë, programin, politikat, grupin e deputetëve, ekipin qeverisës të 2013- tës!?As për revansh dhe hakmarrje ndaj atyre që e persekutuan dhe e braktisën në ditë të vështira, duke “harruar” edhe mirënjohjen, që e kanë shumë më të fortë se ata edhe qentë dhe macet shtëpiake! As për t’ia kaluar Rama- qeverive për korrupsion, kanabizim, kullëzim, varfërimin jetësor e njerëzor të vendit e shumë banorëve të tij, në qytete e fshatra; për abuzime në interes të familjeve të tyre, klaneve, oligarkëve shqiptarë e ndërkombëtarë…! As për “shitjen” thuajse badihavame fatura publike të copave të territorit, sovranitetit dhe interesit kombëtar shqiptar “investitorëve strategjikë”, që nëpërkëmbin hapur apo fshehur keq e trashë, me “gjethe të thata fiqsh”interesat gjeostrategjike të vendit e të kombit! Strategjia paraelektorale e Rama- qeverisë, me themele  drogrash, për të rrëmbyer mandatin e katërt, është bërë e qartë prej kohësh se po realizohet, së pari nëpërmjet SPAK- ut, duke goditur figurat më me fuqi politike, me mbështetjeje më masive poshtë në popullin e në frontin opozitar dhe më me mundësi për të ndikuar në suksesin e opozitës. U fillua një vit më parë me arrestin shtëpiak të Sali Berishës, u vazhdua me burgosjen e Ervin Salianjit dhe më 21 tetor 2024 me Ilir Metën. Nga këto arrestime, tipike për karakterin, natyrën dhe shpirtin e Edi Ramës, nënkuptohet edhe e vërteta lakuriqe nëse nga vetvetja, nga pozita, arrestohen ca Çyrbe, “kapterë” e “togerë”, nga opozita arrestohen “gjeneralë” apo krerë!?

E megjithatë, PD dhe koalicioni i “së djathtës”, duke flakur tej disa “kuaj të tejlodhur dhe të ndotur në moçale korrupsioni e flirtesh të pas kulisave”, paguar me firma e vula tenderash e lejesh ndërtimi”, ka figura, strategji dhe programe para e paszgjedhore, shanse e mundësi të shumta e reale për FITORE! Nënkuptueshëm edhe për një qeverisje shumë më të aftë, shumë më konstruktive, shumë më njerëzore e sociale, shumë më shqiptare e më të pastër se qeveritë Rama-rilindja! Natyrisht, pa anashkaluar e harruar faktin parësor apo përcaktues se kjo varet nga shumica e shqiptarëve, nëse ata do të mendojnë, reflektojnë e votojnë më shumë në të mirë të vetvetes, si POPULL, QYTETARË, SHQIPTARË e jo ngushtësisht apo thjeshtë si partiakë të verbër apo militantë…!Por, një kujtesë si për “të majtët” ashtu edhe për “të djathtët”: rotacioni politik dhe qeverisës nuk është as gogol e as pëllumb, as ferr dhe as parajsë. Ai është një traditë e praktikë normale e paqësore në vendet me të vërtetë DEMOKRATIKE, kur një parti, koalicion, qeverisje është përmbytur nga korrupsioni i pafre, nga dështimet dhe skandalet, nga të paaftët e të papërgjegjshmit, që postet e pushtetit i pandehin dhe shfrytëzojnë si kuaj e pela apo si “shtëpi publike”…!  Për t’u çliruar nga paranoja e rrotacionit politik na ndihmon edhe përvoja e freskët e dorëheqjeve, pa protesta popullore e kohëgjata, të kryeministrave dhe qeverive e të kalimit në zgjedhje të parakohshme në disa vende, si në Kanada ( Shtator 2021), Bullgari(Korrik 2022), Greqi( Maj 2023),Spanjë (Korrik 2023), Holandë(Nëntor 2023), Portugali (Mars 2024), Francë (Qershor 2024), Britaninë e Madhe (Korrik 2024), Japoni (Tetor 2024), Gjermani (Dhjetor 2024), Austri(Janar 2025)…Në të kundërt, me këto shembuj shumë shprehës dhe emancipues, kryeministri i Shqipërisë, që e ka mbushur jo kupën, por një autobot për dorëheqje, duket apo shpreh në shqip dhe edramisht se “nuk e njeh” nocionin, traditën, praktikën…”dorëheqje”! Ai pranon me gjysmë zëri e për reklamë sinqeriteti se gjatë 11 viteve të qeverisjes së tij ka pasur e ka varfërim, papunësi, emigracion në përmasa masive; korrupsion të lartë e gjerë shtrirës; mos përmbushje të shumicës së premtimeve e të objektivave të reklamuar me bujë të madhe gjatë fushatave elektorale…Por, bën sikur harron ekipin e dytë qeveritar nëpër qeli burgjesh, dënuar mëshirueshëm me akuzat e vërtetuara për korrupsion!? Nuk “i kujtohen” edhe skandalet, në të cilat ai është “personazh kryesor” si ai i rekrutimit në Tiranë e Uashington i ish zyrtarit të FBI-së, CharlesMcGonigal; ai i detyrimit të shtetit shqiptar për t’i paguar si dëmshpërblim biznesmenit italian Francesco Beçhetti rreth 110 milionë euro…!? Bën sikur harron edhe akuzat publike në 3 intervistat e ish zv.kryeministrit dhe ish ministrit të tij të financave, Arben Ahmetaj, të bollshme e të mjafta jo vetëm për “dorëheqje të vullnetshme”, por edhe për SPAK-un…! E megjithatë, kapur tek anemizmi i opozitës dhe mungesa e protestave popullore, ngjashëm si ato në Serbi, me kërkesën e fuqishme dhe të njëzëshme për dorëheqje të “sivëllait” të tij Aleksandar Vuçiç, ashtu si më parë, kryeministri Rama nuk e çon ndërmend ta bëjë këtë akt të merituar prej vitesh, pa shkuar në zgjedhjet e 11 majit 2025, me pretendimin absurd, sfidues deri në autokratizëm e paskrupull si“për të fituar” edhe mandatin e katërt. Nënkuptohet, njësoj si atë të tretë, me vota blerje e vjedhje masive; me deputetë si Jurgis Çyrbja, propozuar, mbështetur, financuar apo imponuar nga banda të mafias të Durrësit e Shijakut. Nuk mund të merret me mend se kush i fryn në vesh  apo me mesazhe më shumë Edi Ramës, që të qëndrojë si “shkëmb graniti në fron” e të mos i “dëgjojë” këmbanat për dorëheqje. Vetvetja, ambiciet cinike, frika e ndëshkimit për ato që ka bërë e nuk ka bërë? Shokët dhe shoqet e “tufës”, ortakët, oligarkët, bosët e çfarëdollojshëm, që kanë qenë ndër të fituarit më të mëdhenj prej firmave dhe vulave të tij dhe që do të jenë humbësit më të mëdhenj nga mungesa e tyre? “Baronë”, “pronarë” ndërkombëtarë, si Sorësët at e bir, të cilëve nuk u ka plotësuar 100% detyrat, kërkesat, objektivat, misionin …? Por, nëqoftëse Edi Rama nuk i mbush mendjen vetes për të dhënë dorëheqje ose për të ikur burrërisht, atëhere mbetet alternativa e detyrimit të tij, së pari me votë më 11 majt 2025,  për të mos u futur më në derën e kryeministrisë.