Drejtuesi politik i PD për qarkun e Dibrës,Xhelal Mziu ka reaguar lidhur me gjendjen në zonën e Lurës, të cilën e cilëson si një prej pasurive më të mëdha natyrore të vendit, por të neglizhuar prej vitesh nga qeveria.
Ai përmendi vështirësitë me të cilat përballen banorët, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mbështetjes ekonomike, duke theksuar se rruga drejt zonës vijon të jetë e dëmtuar dhe pengesë për zhvillimin e turizmit.
Sipas tij, Lura me liqenet, pyjet dhe bjeshkët e saj është një nga mrekullitë më të rralla të natyrës shqiptare e cila meriton më shumë dhe se Partia Demokratike do të angazhohet për ta kthyer Lurën në një nga destinacionet më të vizituara turistike të Shqipërisë.
Ja reagimi i Xhelal Mziut:
Lura – bukuroshja shqiptare e harruar
Lura, kjo perlë e rrallë e natyrës shqiptare, me 7 liqenet e saj magjepsës, me pyje të dendura pishe e bjeshkë madhështore, është lënë në harresë të plotë nga qeveria.
Është e pafalshme që një nga mrekullitë më të rralla të natyrës shqiptare të mbetet ende e paarritshme, pa një rrugë të denjë që të çon atje.
Sot, Lura është e izoluar. Rruga që duhej të sillte jetë e zhvillim, vazhdon të jetë një rrugë e shkatërruar, duke vështirësuar jetën e përditshme të banorëve dhe duke i mbyllur derën turizmit.
Kjo zonë e bekuar nga natyra është zbrazur, vit pas viti, nën qeverisjen e Rilindjes. Jeta është bërë e papërballueshme. Të ardhurat janë minimale, ndihma ekonomike nuk mjafton as për bukën e gojës – vetëm 4 mijë lekë.
Bujqësia dhe blegtoria, dikur shtylla e ekonomisë së zonës, sot janë në rënie të lirë, pa asnjë përkrahje apo vizion.
Ne besojmë në fuqinë dhe bukurinë e Lurës.
Ne besojmë se kjo zonë meriton më shumë.
Ne angazhohemi ta kthejmë Lurën në një nga destinacionet më të vizituara turistike të Shqipërisë, ashtu siç e meriton