Nga Besart Xhaferri/
Në një kohë kur Shqipëria është kthyer në një parajsë të karteleve të drogës, të cilat shtetin e kanë shndërruar në noter të çështjeve të tyre ekonomike, gjithnjë e më shumë me ndihmën e ERTV-ve të Tiranës është krijuar perceptimi se shqiptarët kanë vendosur të nënshtrohen përballë krimit dhe se askush nuk mund ta sfidojë atë.
Pikërisht këtu të vjen ndërmend i ndjeri, Sokol Olldashi, ish Kryetar i FRPD (2002-2009) dhe një nga politikanët më të spikatur, më guximtar dhe më vizionar që kishte Shqipëria e tranzicionit.
Në vetëm dy vite në postin e Ministrit të Brendshëm, ai arriti të asgjësonte disa prej bandave më gjakatare në vend, si ato të Durrësit, Vlorës e Lushnjës, krerët e të cilave merrnin vetë pjesë në masakra dhe nuk i porosisnin nga klinikat e detoksifikimit, siç bëjnë këta të sotmit që i diktojnë Edi Ramës deputetët.
Sokol Olldashi na la trashëgimi një manual të shkëlqyer të luftës kundër krimit, si dhe vizionin se një shoqëri që të ecë përpara nuk mund të lihet kurrë në mëshirë të banditëve me kollare, por vetëm në mëshirë të guximit të sipërmarrjes.
A mund të mendohej në kohën e Olldashit në krye të Ministrisë së Brendshme që policët do korrnin kanabis për llogari të bandave apo që ekzekutimet të ndodhnin në mes të Rinasit dhe në sallë të gjyqit.
Ndarja e tij e parakohshme, më 20 Nëntor 2013, ishte një humbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për Partinë Demokratike dhe mbi të gjitha, për Shqipërinë që aq shumë e deshi!


















