Nga Besart Xhaferri/
Sot, fjalën time në Parlament ia dedikova problemit të çmimit të naftës, i cili prek direkt dhe indirekt çdo familje shqiptare, pasi efekti domino i rritjes së çmimeve, në vend që të parandalohet nga kjo qeveri, nxitet prej saj.
Në këtë kohë krize, çdo qeveri e përgjegjshme merr masa për të mbrojtur qytetarët e saj, ndërsa qeveria jonë monitoron dhe fërkon duart, pasi krizën dhe fatkeqësinë e qytetarëve të saj e shfrytëzon për të mbushur buxhetin, i cili më pas menaxhohet me “manualet 5D dhe 5B”.
Çmimi i naftës në Shqipëri është të paktën 60% më i shtrenjtë se në Kosovë apo në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nuk ia vlen të bëjmë krahasime me vendet e BE-së.
Por, sikur të mos mjaftonte kjo, po lulëzon edhe kontrabanda e naftës, pasi, ndonëse janë tonelata nafte që kanë hyrë pa doganë në portet ku nuk kapet asnjë gram kokainë, kjo naftë po u shitet shqiptarëve me çmime stratosferike.
Qytetarët dhe fermerët shqiptar po zhvaten si askund në Evropë, ndërsa kjo qeveri vijon të shesë naftë pa taksa oligarkët që parkojnë jahtet në Jon dhe Adriatik.
Kjo qeveri do të mbahet mend si njeriu që detyroi shqiptarët të marrin rrugët e rajonit për të blerë naftë me çmim më të lirë.



















