Xhaferri: Ekonomia në mëshirë të vizionit të sipërmarrësve të Manualit 5D, ndaj 39% e punonjësve nuk arrijnë ta mbyllin muajin!

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka reaguar për gjendjen ekonomike në vend përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ngriti shqetësimin për vështirësitë financiare të punonjësve shqiptarë dhe ndikimin e korrupsionit në ekonomi.

Sipas Xhaferrit, “ekonomia është lënë në mëshirë të vizionit të sipërmarrësve të Manualit 5D”, ndërsa theksoi se 39% e punonjësve në Shqipëri nuk arrijnë të mbyllin muajin.

NOA

Ai e cilësoi kriminalizimin e ekonomisë si “hanxhar mbi kokën e shtresës së mesme dhe veçanërisht të krahut të punës”, duke shtuar se Shqipëria mbetet i vetmi vend në Evropë ku, paratë e korrupsionit dhe të drogës ndikojnë masivisht në jetën e qytetarëve që jetojnë me të ardhura nga paga.

Xhaferri iu referua një raporti të fundit të Komisionit Europian mbi kushtet e punës dhe punën e qëndrueshme, publikuar në prill, sipas të cilit 39% e punonjësve shqiptarë deklarojnë se kanë vështirësi ose shumë vështirësi për të përballuar muajin, krahasuar me mesataren europiane prej 8%.

Deputeti opozitar argumentoi se kjo situatë është rezultat i një ekonomie që, sipas tij, nuk është ndërtuar mbi vizionin e sipërmarrjes së ndershme, por mbi babëzinë dhe ndikimin e elementëve kriminalë.

Postimi i Xhaferrit:

Ekonomia në mëshirë të vizionit të sipërmarrësve të Manualit 5D, ndaj 39% e punonjësve nuk arrijnë ta mbyllin muajin!

Kriminalizimi i ekonomisë është si një hanxhar mbi kokën e shtresës së mesme dhe veçanërisht, të krahut të punës.

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku paratë e korrupsionit dhe të drogës ndikojnë masivisht në jetën e atyre që jetojnë me të ardhurat e rrogës.

Të dhënat nga një raport i fundit i Komisionit Europian për anketimin mbi kushtet e punës dhe punën e qëndrueshme, që realizohet një herë në 5 vjet dhe u publikua në prill, tregojnë se 39% e punonjësve shqiptarë kanë vështirësi ose shumë vështirësi për ta mbyllur muajin, krahasuar me 8% që është mesatarja europiane.

Kjo e dhënë dramatike vjen si pasojë e faktit se ekonomia në këtë vend nuk iu besua vizionit të sipërmarrjes, por babëzisë së biznesmenëve të Manualit 5D  dhe tregtarëve që vijnë nga radhët e krimit.