Prof. Dr. Kristaq Kume/ Reformë e thellë legjislative për demokraci funksionale

824
Sigal

Nga Prof. Dr. Kristaq Kume

Drejtor i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit te Zgjedhjeve

Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit te Zgjedhjeve u bën thirrje të gjithë partive politike të vendit, parlamentare dhe jo parlamentare, organizatave të shoqërisë civile, stafeve akademike universitare, specialistëve dhe ekspertëve n fushën e legjislacionit për t`u angazhuar në një proces gjithëpërfshirës për kryerjen e një reforme të thellë legjislative. Thirrja është konceptuar në formën e një Memorandumi, në të cilën janë rreshtuar problematika, çështjet që mund të jenë objekt i kësaj reforme si dhe rruga që mund të ndiqet për realizimin e saj. Së pari, Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë legjislative.

 

Objektiva të reformës

Reforma legjislative ka si objektiva kryesorë të saj:

 

  • Realizimin më të plotë dhe efektiv i parimit të sovranitetit të popullit, që Kushtetuta garanton.
  • Zhvillimin e mëtejshme të legjislacionit për ta bërë sa më mirë të mundshme dhe më efektive zbatimin e demokracisë përfaqësuese dhe të drejtpërdrejte, duke synuar:
  • Krijimin e kushteve ligjore për rritjen e mundësive të qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe në organet e qeverisjes vendore.
  • Zvogëlimin e hapësirave për keqpërdorimin e mandatit të nxitur prej interesave politike të të zgjedhurve.
  • Hartimin e një legjislacioni sa më “miqësor” me iniciativat e qytetarëve për ligj-bërje, vendimmarrje dhe referendum të përgjithshëm dhe lokal.
  • Krijimin e barrierave ligjore që do të pengojnë vendimet, veprimet dhe mosveprimet e që bien ndesh me parimet e shtetit ligjor dhe me interesin mbarëshoqëror, për zhvillimin e demokracisë funksionale, duke synuar:
  • Zvogëlimin e hapësirave për sjellje në kapërcim të ligjin dhe/ose të interesit publik prej institucioneve qeverisëse qendrore dhe/ose lokale.
  • Forcimin e kushtëzimeve ligjore që rritin mundësitë për presion efektiv qytetar dhe të ligjit mbi të zgjedhurit, institucionet qeverisëse dhe ligj-zbatuese, për zbatimin e ligjit.
  • Ndërtimin e instrumenteve ligjorë për të rritur hapësirat për transparencë në aktivitetet e organeve dhe institucioneve qeverisëse.
  • Rritjen e kërkesës së llogarisë për burimet e financimit, në veçanti për partitë politike.
  • Forcimin e kuadrit ligjor për të parandaluar interferimin e botës së krimit në proceset zgjedhore dhe në qeverisje.

Fokusi problemor i reformës legjislative: Ndryshime në Kushtetutë

 

KUVENDI I SHQIPËRISË

  • Me një ose dy dhoma.
  • Me 140, 120 apo 100 deputetë.
  • Zgjedhjet për Kuvend të zhvillohen çdo 5 (pesë) vjet

SISTEMI ZGJEDHOR

Duke pasur si objektiva kryesorë:

  • krijimin e kushteve më të favorshme për barazinë e fuqisë së votës dhe për përfaqësimin sa më proporcional të vullnetit të zgjedhësve në strukturën politike të Kuvendit,
  • rritjen e mundësive të zgjedhësve për të zgjedhur direkt përfaqësuesit e tyre,

Sistemi zgjedhor mund të ndryshojë në:

  • Sistem proporcional kombëtar, me lista të hapura.
  • Sistem proporcional rajonal me 5 njësi zgjedhore dhe listë korrektuese kombëtare, me lista të hapura.
  • Sistem i përzier, mazhoritar me 100 zona zgjedhore dhe proporcional kombëtar me listë 40 kandidatë, me listë të hapur dhe votim me një fletëvotimi.

Deputeti

Kufizimi i mundësive për “trafikimin” politik të deputetëve, të cilin e mundëson dispozita kushtetuese që parashikon mos ekzistencën e asnjë mandati detyrues për deputetin.

Parandalimi i mundësive për keqpërdorimin e të drejtës që ka deputeti për dorëheqje nga mandati.

Pacenueshmëria e përfaqësimit legjitim të vullnetit të zgjedhësve të shprehur me votë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë

Presidenti i Republikës

Objekt diskutimi mund të jenë:

  • Mënyra e zgjedhjes së presidentit:
  • Zgjedhje e Presidentit me votim popullor.
  • Zgjedhje e Presidentit nga Kuvendi me shumicë të cilësuar.
  • Të drejtat dhe detyrat e Presidenti si Kryetar i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit të popullit.
  • Mandati i Presidentit 7 (shtatë) vjet pa të drejtë rizgjedhjeje

Këshilli i Ministrave

Objekt diskutimi mund të jenë:

  • Parashikimi kushtetues për ndryshime në përbërjen e Këshillit të Ministrave pas shpalljes nga Presidenti të datës për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
  • Rishikim i dispozitat që lidhen me mocionin e besimit dhe mosbesimit për Kryeministrin

Për referendumet dhe iniciativën qytetare

Objekt diskutimi mund të jenë:

  • Dispozitat për referendumin lokal.
  • Dispozita për iniciativës qytetare për vendimmarrje për çështje të qeverisjes vendore.
  1. NDRYSHIME NË KODE E LIGJE

Kodi zgjedhor

Objekt diskutimi mund të jenë:

Ndryshimet në Kod për të pasqyruar rekomandimet e dhëna në raportet e misioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR, vëzhguesve vendas dhe kërkesat e partive të ndryshme politike. Në veçanti vëmendje duhet t`i kushtohet trajtimit të çështjeve që lidhen me:

  • Ndërtimin e administratën zgjedhore, në të gjithë piramidën e saj, sipas parimeve dhe rregullave që zbatohen për administratën publike dhe jo mbi bazën e propozimeve të partive politike,
  • Financimin e fushatës zgjedhore, me objektiv parandalimin e financimeve jo transparente, forcimin e detyrimit ligjor për transparencën e burimeve të financimit, rritjen e kapaciteteve institucionale për monitorimin, në kohë reale, të financimit të fushatës zgjedhore,
  • Ngushtimin e hapësirave për ndërhyrje jo ligjore ne procesin zgjedhor, për shitblerjen e votave, përdorimin e aseteve publike etj..
  • Ndryshimet në Kodin zgjedhor që do të krijojnë kushtet e nevojshme për parandalimin e fenomenit të kriminalizimit të zgjedhjeve.

Ligji për referendumet

Hartim i ligjit për referendumin kushtetues dhe referendumin e përgjithshëm popullor, duke synuar ndërtimin e procedurave që do të bëjnë realisht të mundur iniciativat qytetare për referendum të përgjithshëm.

Hartim i ligjit për referendumin lokal.

Ligji për partitë politike dhe financimin e tyre

Objekt diskutimi mund të jenë:

  • Ndryshime në ligjin aktual me objektiv mbështetjen e proceseve të demokratizimit të jetës së brendshme në partitë politike, si mund të jenë:
  • Kufizimi i numrit të mandateve për lidershipin e partisë.
  • Zbatimi i procesit të primareve për përzgjedhjen e kandidateve me të cilët subjekti politik do të hyjë në garat zgjedhore për Kuvendin ose organet e qeverisjes vendore.
  • Detyrimi ligjor për raportimin periodik dhe për transparencën e burimeve të financimit të partive politike.
  • Ngritja e një institucioni të pavarur për monitorimin dhe auditimin e financave të partive politike.