Xhafaj premton rezultate, operacionet nuk “duken”

461
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u zotua për tolerancë zero gjatë operacionit “Forca e Ligjit”, ndërsa premtoi një bashkëpunim të shtuar me drejtuesin e ri të organit të akuzës. Ndonëse nuk dha shpjegime për mungesën e përfshirjes së prokurorëve në planifikimin e operacionit “Forca e Ligjit”, Xhafaj nënvizoi përpara ekspertëve të huaj, në konferencën rajonale kundër krimit të organizuar që po zhvillohet në Tiranë, se do të arrihen rezultate. “Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre”, tha Xhafaj. Ministri i Brendshëm shtoi se reforma në drejtësi do të sjellë që marrëdhënie tjetër mes policisë dhe organit të akuzës. “Prokuroria gjithashtu ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Natyrisht me ndryshimet e rëndësishme që do të pësojë prokuroria si rrjedhojë e reformës në drejtësi, unë jam shumë i bindur që do të kemi një partneritet tjetër dhe një marrëdhënie shumë më të besueshme seç kemi sot”, u shpreh ai.
Sigal