“Vula e PD”, Gjykata e Lartë regjistron rekursin e Grupit të Rithemelimit

110
Sigal

Gjykata e Lartë ka regjistruar rekursin e Partisë Demokratike-Grupi i Rithemelimit, i cili kërkon të njihen strukturat e dala nga Kuvendi Kombëtar i datës 11 dhjetor 2021.

Sipas të dhënave zyrtare nga Gjykata e Lartë, rezulton se rekursi është regjistruar në datën 24 maj 2023 dhe relatori i çështjes është gjyqtari Artur Kalaja.

Rekursi është dorëzuar, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në mars të këtij viti, pranoi kërkesën e grupit të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj dhe riktheu për shqyrtim në shkallën e parë çështjen e emërimit të strukturave të Partisë Demokratike.

Në dhjetor të vitit 2021, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, me pjesëmarrjen e mbi 4 mijë anëtarëve, vendosi të shkarkonte nga detyra të gjithë drejtuesit kryesorë të subjektit politik, përfshirë ish-kryetarin Lulzim Basha.

Në vend të tyre, u krijuan disa struktura kolegjiale, të drejtuara nga Grupi i Rithemelimit, i cili do të udhëhiqte partinë në procesin e zgjedhjes së strukturave të reja drejtuese.

Pas vendimit të Kuvendit Kombëtar, Grupi i Rithemelimit iu drejtua gjykatës së Tiranës për të bërë ndryshimet përkatëse në regjistrin e Partive Politike.

Shorti i zhvilluar në atë kohë caktoi gjyqtar të çështjes Agron Zhukrin. Ky i fundit paraqiti kërkesën për dorëheqje para kryetarit të gjykatës, me argumentin se bashkëshortja e tij kishte punuar prej kohësh me Sali Berishën, i cili drejtonte Grupin e Rithemelimit.

Kryetari i Gjykatës nuk e pranoi kërkesën për dorëheqje. Në mars të vitit 2022, gjyqtari Zhukri pranoi kërkesën e Grupit të Rithemelimit, duke e regjistruar në Regjistrin përkatës.

Ndërkohë, grupimi i drejtuar nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj, i cili ishte autorizuar për drejtimin e partisë nga Lulzim Basha, pak para dorëheqjes së tij, më herët në mars 2022, iu drejtua gjykatës së Tiranës për t’iu njohur e drejta e ankimit mbi vendimin e Zhukrit.

Gjyqtarja Blerina Muça pranoi kërkesën e grupit të Alibeaj, në një vendim absurd, pasi vendosi të njihte të drejtën e ankimin një entiteti që nuk ishte palë në procesin e themelit.

Megjithatë, me vendimin e gjyqtares Muça në duar, grupi i Alibeajt iu drejtua Gjykatës së Apelit, ku kundërshtohej vendimi i Agron Zhukrit dhe rrjedhimisht, kundërshtohej emërimi i Grupit të Rithemelimit si struktura drejtuese e Partisë Demokratike.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, pasi e mbajti më shumë se një vit në zyrë ankimin e Alibeajt, e nxori për gjykim në mars 2023, vetëm pak ditë para përfundimit të afatit të partive për regjistrimin për zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Gjykata e Apelit, pas dy seancash, në 4 mars 2023, vendosi të prishte vendimin e Agron Zhukrit dhe e riktheu çështjen për shqyrtim në gjykatën e shkallës së parë të Tiranës, me një trupë tjetër gjykuese.

Gjykata e Apelit prishi vendimin e shkalles së parë dhe e riktheu çështjen për gjykim, me argumentin e “cënimit të parimit të paanësisë…” së trupës gjykuese, duke iu referuar faktit se Agron Zhukri ka njohje personale dhe familjare me Sali Berishën.

Sipas Gjykatës së Apelit, është gjetur i pambështetur në ligj vendimi i kryetarit të Gjykatës së Tiranës për të refuzuar dorëheqjen e gjyqtarit Agron Zhukri.

Tashmë, çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, pas rekursit të Partisë Demokratike-Grupi i Rithemelimt.