Më shumë se 30% e shqiptarëve janë të punësuar në sektorin e bujqësisë, duke u kthyer kështu në një nga fushat me numrin më të madh të punonjësve.
Ky sektor jep për ekonominë e vendit 20-21% të GDP-së, por që investimet nga buxheti janë minimaliste. Për këtë vit në buxhetin e shtetit janë përcaktuar 10.3 miliardë lekë për mbështetjen e zhvillimit rural, prodhimit bujqësor e blegtoral si dhe për sistemin e vaditjes.
Mungesa e financimit është problematikë serioze për sektorin e bujqësisë, i cili nuk gjen shumë hapësirë për financim as në sektorin bankar.
“Ekonomia e ushqimit jep në Shqipëri më shumë se 20% të PBB-së së vendit dhe merr nga buxheti për shpenzime deri në 2.5% të shpenzimeve që buxheti alokon për veprimtarinë e aktiviteve të ndryshme. Ky është një raport i zhdrejtë. Vendet ku bujqësia nuk ka këtë peshë alokojë një buxhet më shumë se 5% të totalit”, shprehet në një prenoncim për Gijotina, Agim Rrapaj kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.
Këto fonde të pamjaftueshme e kanë përkeqësuar gjendjen e këtij sektori. Ujitja mbetet një problem serioz pavarësisht se vendi është i pasur me burime ujore, por që mungesa e investimeve ka bërë që me mijëra hektar tokë të mbeten pa përdorur për shkak të problemeve me ujitjen, me gjetjen e tregut dhe me financimin.
Bujqësia kthehet 30 vite pas!
Në një raport mbi veprimtarinë e bashkive për vitin e kaluar është konstatuar se rezervuarët që ka vendi nuk mjaftojnë për të vaditur tokat bujqësore.
“Përsa i përket vaditjes në rang vendi Shqipëria ka 620 rezervuarë, por vaditet 50% e sipërfaqes që vaditej para viteve ’90”,- thuhet në raport.
Ky fakt i hidhur u vu re edhe në vitin e kaluar, ku vendi rrezikonte të mbeste pa grurë për shkak të luftës në Ukrainë, që solli edhe bllokim të anijeve të importit. Vjet vetëm për të nxitur mbjelljen e grurit qeveria doli me një masë subvencioni duke dhënë 100 mijë lekë për çdo hektar grurë që do të mbillet, por edhe nga kjo masë nuk përfituan të gjithë.
Mungesa e ujitjes u ngrit si shqetësim edhe në Kuvend nga deputeti socialist Erion Braçe, gjatë një interpelance me ministren e bujqësisë Frida Krifca, por që kjo e fundit e mohoi një problem të tillë.
“Uji i munguar për vaditje than gjithçka. Ka problem për të siguruar ujin e ëmbël për vaditje. Një pjesë e skemave ujitëse nuk janë plotësisht të rehabilituara, mbeten qindra hektarë tokë pa vaditur e pa kulluar. Përdoren pompa, kostoja shkon shumë, që nuk përballohen dot tani. Problemi më i madh që kemi do të jenë burimet ujore dhe dua të dëgjoj shumë për atë që do të jetë problemi më i madh, uji”, deklaronte Braçe në mars të 2022 nga foltorja e Kuvendit.
Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Këshilli i Agrobiznesit, tregohet se nga infrastruktura aktuale ujitëse bëhet i mundur mbulimi i 400 mijë hektar tokë me uji.
“Potencialin dhe rezervat ujore që kemi nuk po i përdorim sa dhe si duhet. Rezervë kemi akoma edhe për rreth 110 mijë ha tokë bujqësore, që nuk ujitet, por mund të ujitet”,- thotë KASH.
Ndërkohë në strategjinë Kombëtare të Ujitjes dhe Kullimit 2019-2031 është planifikuar që të rritet sipërfaqja e tokës bujqësore, që ende nuk vaditet.
Por që deri më tani duket se gjithçka ka mbetur në vend pasi vit pas viti fermerët e ngrenë si shqetësim mungesën e ujit, që ju shkatërron të mbjellat.
Këshilli i Agrobiznesit evidenton disa nga infrastrukturat ujitëse, që duhet të kenë prioritet dhe që të investohet sa më parë.
Rehabilitimi i lugjeve ekzistues përgjatë Kanalit kryesor Ujitës Peqin-Kavajë dhe ndërtimi i shkarkuesve të rinj, duke siguruar vaditje për 8 mijë hektar tokë.
“Ky kanal ka një amortizim të lartë dhe është në pamundësi të furnizojë me ujë për ujitje në mënyrë të qëndrueshme 3 bashkitë: Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë, që mbulojnë me ujitje nëpërmjet tij rreth 8000 ha tokë bujqësore”,- konstaton KASH.
Po ashtu duhet të ndërhyet për riparimin e digës së Vlashukut nëpërmjet së cilës mundësohet mbushja me uje e rezervuarit të Thanës në Lushnje. Gjithashtu, duhen rehabilituar kanalet kryesore të vaditjes si Mat-Lezhë, Bërdicë dhe Shkodër.
Pavarësisht këtyre ndërhyrjeve emergjente fondet e parashikuara për këtë vit vetëm për ujitjen e kullimin janë të ulta në raport me nevojat.
Nëse në këtë drejtim nuk ndërhyhet me financim situata do të jetë edhe më e vështirë në kushtet e thatësirës që tashmë ka nisur prej disa vitesh. Ndryshimet klimatike janë sfida e radhës thotë edhe banka botërore.
Jo vetëm mungesa e financimit, por edhe pakësimi i burimeve ujore si pasojë e shtimit të hidrocentraleve në vend ka ndikuar në sistemin e vaditjes. Me pak ujë ka qenë në dispozicion të fermerëve për shkak se nëpër rrjedha lumenjsh në Shqipëri kanë ngritur kryet qindra hidrocentrale, që kanë pakësuar ujin për bujqësinë pasi e kanë përdorur për energji.