Votimi në OKB zbulon ndasitë mes shteteve të Ballkanit

598
Hamdi Fırat Buyuk

Vendet e Ballkanit votuan në mënyra të ndryshme në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku shumica e vendeve nxitën Shtetet e Bashkuara të tërheqin njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Shumica e vendeve sfiduan presidentin e SHBA-së Donald Trump të enjten dhe votuan në favor të rezolutës që bën thirrje që Uashingtoni të tërhiqet nga plani për të zhvendosur ambasadën e SHBA-së nga Tel Avivi për në Jeruzalem. Rezoluta u miratua me 128 vota pro dhe 9 kundër, një votim masiv ku tri të katërtat e kombeve votuan “po”. Tridhjetë e pesë vende të tjera abstenuan ndërsa 21 vende nuk votuan. Të vetmet vende që votuan në favor të SHBA-së ishin Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Palau, Toko dhe, natyrisht, Izraeli. Në kontrast me këtë, shumica e vendeve evropiane, përfshirë aleatë të ngushtë të SHBA-së, votuan në favor të rezolutës në përputhje me deklaratat e mëparshme. Vendet e Ballkanit e panë veten të zënë në mes të konfliktit mes SHBA-së dhe BE-së, por shumica e tyre ndoqën rrugën e BE-së dhe jo të Uashingtonit. Para votimit në OKB, ministrat e jashtëm të Evropës hodhën poshtë thirrjen e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, që ata të ndiqnin shembullin e Trump dhe të njihnin Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Serbia dhe Turqia votuan në favor të rezolutës, duke sfiduar paralajmërimet e SHBA-së. E njohur si aleat i ngushtë i SHBA-së si dhe si vend me marrëdhënie miqësore me Izraelin, Shqipëria ndjeu nevojën për të shpjeguar votën në OKB, duke thënë se Shqipëria “mbajti pozicionin e përbashkët të shumicës së vendeve anëtare të BE-së”. Gjithsesi, disa nga opozita në Shqipëri shprehën zemërim mbi vendimin. Ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së, Sali Berisha, shkroi në “Facebook” se vota ishte “kundër interesave të vendit”. Në rrjetet sociale, shumë shtetas komentuan qëndrimin e Shqipërisë, duke argumentuar se abstenimi mund të ishte qëndrim më i mirë. Ky ishte pozicioni që mori Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Rumania, ndërkohë që Moldavia nuk u paraqit për të votuar. Sipas medias vendase në Bosnjë, Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak i presidencës tripalëshe të Bosnjës, deshi të votonte kundër vendimit të Trump, por kroatët dhe serbët zgjodhën abstenimin. Pas kritikave se si Bosnja me popullsinë e saj të madhe myslimane abstenoi mbi çështjen e Jeruzalemit, Halid Genjac, një figurë e lartë e partisë kryesore boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, i rikujtoi kritikëve se presidenca tripalëshe kërkon konsensus mbi vendime të tilla. “Bosnja dhe Hercegovina është një vend i përbërë nga opinione të ndryshme. Nën këto kushte, ne nuk kishim zgjidhje tjetër veç abstenimit,” shpjegoi Genjac.

Statusi i Jeruzalemit është tema më e nxehtë në bisedimet e paqes që kanë ngecur në vendnumëro mes Izraelit dhe Palestinës. Bashkësia ndërkombëtare nuk e njeh përpjekjen e Izraelit për të marrë kontrollin mbi të gjithë qytetin e Jeruzalemit, përfshirë Jeruzalemin lindor të banuar në përgjithësi nga palestinezë. Kryeministri i Izraelit Netanyahu sulmoi OKB-së si një “shtëpi gënjeshtrash” para votës.
Sigal