Vokshi: Urdhri për mbylljen e RTV Orës është hakmarrje politike e Ramës

279
Sigal

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka dënuar në një deklaratë për shtyp, urdhërin e Ramës për mbylljen RTV Ora News, duke e cilësuar si një hakmarrje politike të Ramës dhe abuzim të rrezikshëm me pushtetin.

‘Urdhri për mbylljen e Radio Televizionit Ora është dhënë nga Edi Rama, pasi nuk ka asnjë punonjës publik që mund të guxonte të urdhëronte mbylljen e një media për një shkelje banale

Ky dënim krejtësisht joproprocional është abuzim i rrezikshëm i pushtetit ekzekutiv dhe është bërë me urdhër dhe për llogari të Edi Ramës.

Është Edi Rama autori i këtij urdhri si hakmarrje politike.

Shënjestra e parë e Edi Ramës ishin emisioni “Tempora” i Sonila Meços dhe “360 Gradë” të Artur Zhejit, dy emisione dhe dy figura mediatike të njohura si kritike ndaj qeverisjes. Mesazhi është i qartë: këto dy emsione dhe këta dy njerëz janë armiqtë e Edi Ramës.

Menjëherë pas kësaj, Edi Rama dha urdhrin për mbylljen e Televizionit Ora.

Mesazhi i këtij urdhëri është gjithashtu i qartë: Televizioni Ora duhet të pushojë kritikat ndaj qeverisë. Televizioni Ora duhet të mbyllë gojën e Sonila Meços, të Artur Zhejit, të emisionit investigativ Boom, të gazetarëve në emisionet e lajmeve dhe të emisioneve të tjera të këtij televizioni.

Kjo është dhunë ndaj pronarëve për të mbyllur emisionet kritike dhe për të përzënë gazetarët kritikë. Është i njëjti skenar që u përdor kudnër Ylli Rakipin dhe emisonit Të Paekspozuarit.

Kundër Adi Krastës dhe emisionit A-Shoë.

Kundër Artan Ramës dhe emisionit Publicus.

Të gjithë këto emisione u mbyllën nën dhunën direkte të Edi Ramës me mediat për arsye se këto emisione dhe këta gazetarë zbuluan korrupsionin, abuzimin e pushtetit dhe keqqeverisjen e Edi Ramës.

Është i njëjti qendrim armiqësor dhe hakmarrës që u përdor kundër televizionit Agon Channel derisa e mbylli gjithë televizionin.

Prandaj sot nuk duhet të heshtë askush. Nuk duhet të heshtë asnjë media, asnjë forcë politike, asnjë organziatë e shoqërisë civile, asnjë figurë publike.

Mbyllja e Orës nuk ka të bëjë me një televizon, por me lirinë e shprehjes, me lirinë e medias, me lirinë e të menduarit, me liritë politike.

Nëse i hapim rrugën këtij abuzimi pushteti dhe dhune ndaj medias, nesër do të vijë rradha e dhunës direkte ndaj qytetarëve.’