Vjosa Osmani presion mbi institucionet e sigurisë për shtetësinë e Ditmir Bushatit, pritet aktivizimi i tij në Vetëvendosje

174
Sigal

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, pas një fushate të gjatë kundër establishmentit në Prishtinë dhe mitizimit të Albin Kurtit, këto ditë pritet të aderojë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Aderimi i Bushatit në Lëvizjen Vetëvendosje është shtyrë deri më tani, meqë ai nuk e posedon shtetësinë e Kosovës.

Por, pas vajtjes së presidentit Thaci në Hagë dhe zëvendësimit të tij nga Vjosa Osmani, kjo gjë si duket tashmë është çështje ditësh.

Për ta zyrtarizuar aderimin e Bushatit në Lëvizjen Vetëvendosje, tregojnë se Vjosa Osmani është duke bërë presion mbi institucionet e sigurisë që t’i përshpejtojnë procedurat e verifikimit për Ditmir Bushatin, të cilat janë parakusht për t’ia dhënë atij nënshtetësinë e Kosovës.

“z. Bushati tashmë e ka bërë kërkesën në Presidencë për nënshtetësi të Kosovës. U.d e Presidentës është duke u marrë personalisht me këtë ceshtje dhe u ka kërkuar institucioneve të sigurisë që t’i kryejnë procedurat e verifikimit të tij me procedura të përshpejtuara, që ajo të mund t’ia nënshkruaj atij dekretin. Për shtetësinë e Bushatit ditë më parë janë interesuar edhe zyrtarë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Presidencë, të cilët kanë diskutuar me kabinetin e Presidentes“, ka thënë një burim brenda Presidencës.

Sipas këtij burimi, Vjosa Osmani po e keqpërdor pozitën si Presidente për t’ia bërë këtë edhe si favor Albin Kurtit, duke e paijsur me nënshtetësi Ditmir Bushatin, i cili pritet të aderojë më pas në Lëvizjen Vetëvendosje.

Si duket qëllimi politik i Kurtit, duke e katapultuar Ditmir Bushatin në Lëvizjen Vetëvendosje, është që njëkohësisht ta dëmtojë pozicionin e Glauk Konjufcës, i cili në publik ka filluar të shihet si rival i brendshëm i tij.

Konjufca kishte fituar simpati në publik gjatë kohës që kishte shërbyer si kryediplomat i Kosovës dhe popullariteti i tij është duke u rritur.