“Vijoi propagandën e lugës bosh”/ Kryemadhi reagon pas rrëzimit të amendamentit për zhvillimin rural: Rama votoi kundër fermerëve sot

170
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas rrëzimit nga Kuvendi të disa amendamenteve të propozuara nga partia e saj lidhur me zhvillimin rural.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Kryemadhi sjell në vëmendje takimin e kreut të qeverisë me fermerët mëngjesin e sotëm, të cilën e cilësoi si “shoë”.

Sipas Kryemadhit, amendamenti i propozuar nga LSI do të ndihmonte për mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin rural por me rrëzimin e saj, qeveria ka vijuar me propagandën e lugës bosh.

Postimi i Monika Kryemadhit:

Pasi bëri shoun e mëngjesit me ta, gënjeshtari kronik në krye të qeverisë votoi kundër fermerëve sot pasdite në parlament! Ky ishte një nga propozimet e LSI për buxhetin, që e rrëzuan me arrogancën e kartonave. Amendamenti ynë për zhvillimin rural, i jepte një shans Kryeministrit dhe Ministres që të mbanin fjalën, siç e kanë dhënë me zë e figurë në video.

Sot mazhoranca nuk ka votuar 7.1 miliardë lekë mbështetje për fermerin dhe zhvillim rural siç kishin propaganduar. LSI kërkoi rritje të mbështetjes për bujqësinë, por qeveria vijoi propagandën e lugës bosh. Për saktësim, ndryshe nga ç’mendon qeveria, paga e ministres nuk është mbështetje direkte për fermerët e vendit.