VIDEO/ “Rruga Egnatia është greke, “apokalipsi” më elegant se qameti… 0.075 baraz me 7.5, perlat e Belinda Ballukut sot në Kuvend, pse e humbi toruan për 1.2 miliardshin (NJË MË NJË)

88

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori në dorë sot në Kuvend, mbrojtjen e koncesionit 1.2 miliardë euro, për rrugën Milot – Fier. Pasi i emëroi deputetët e opozitës false si përfaqësues të popullit dhe ata të opozitës së vërtetë “lukuni e rrugës”, Balluku bëri edhe disa zbulime.

I pasi zbulim ishte që rruga Milot – Fier, pavarësisht famës modeste, paska qenë ëndrra e gjithë shqiptarëve, e atyre të Veriut për të shkuar në Jug dhe e atyre të Jugut për të shkuar në Veri.

Ky zbulim i rëndësishëm dhe i papritur i Ministres, e lë ku e ku më pas atë të Kryeministrit, që kur prezantoi projektin, tha se më këtë rrugë do tw shkurtohet shumë rruga Milot–Fier. Pasi të bëhet rruga, sipas tij, do të shkohet për 3 orë nga Miloti në Fier dhe anasjelltas.

Sot i njëjti segment, duke mos e anashkaluar Durrësin, bëhet për 3 orë, pasi Milot – Tiranë është jo më shumë se 1 orë e 45 minuta dhe Tiranë – Fier jo më shumë se 1 orë e 15 minuta. E reja e kësaj rruge, i bie të jetë që do shpenzohen 1.2 miliardë dhe do ketë pagesë.

Aty te pagesa, Ministrja lëshoi perlën tjetër. “Kjo autostradë do të kushtojë 0.075 euro për kilometër, ose ndryshe 7.5 euro për kilometër, asnjë lekë më shumë”, tha Balluku, duke lënë me gojë hapur edhe Kryetarin e Akademisë së Shkencave, matematikanin Skënder Gjinushi që dëgjonte nga ana tjetër e murit.

Që nga koha e Euklidit, askujt nuk ia kishte prerë mendja që 0.075 është as më shumë e as më pak se 7. 5, ose e shprehur matematikisht: 0.075 = 7.5.

Me këtë llogari, pa dyshim ka nxjerrë edhe që qeveria e mëparshme nuk ka ndërtuar rrugë, po vetëm ka shkatërruar, ndërsa qeveria Rama vetëm ndërton.

Një llogari të ngjashme, e bëri edhe me llogaritjen e kohës që PS ka patur në drejtim ministrinë e Infrastrukturës. Sipas Ballukut, “PD e LSI bashkë për 12 vite, nga 2005-2012, nuk kanë bërë dot më shumë se Damian Gjiknuri dhe ajo vetë”.

Do të duhet të ishte 2005-2017 që të na dilte hesapi, por Belinda e bëri prapë pa “hanxhiun”…

Megjithëse si shembull të ndërtimit solli vetëm Bypassin e Fierit, kjo është shenjë që “Zoti më në fund e ka parë Republikën e Shqipërisë”.

Hyrja në punët e Zotit si anëtare e Qeverisë së një shteti laik, nuk mund të mos ishte i vështirë. Se fare mirë një besimtar e di që Zoti nuk shet as Republika, as Mbretëri, ai sheh besimtarët, pa ndarje kufijsh shtetërorë.

Po nuk ishte këtu fundi i gafave të Ballukut. Tek punët e Zotit, ajo është edhe raciste.

Duke e akuzuar opozitën e zbuloi këtë anë të panjohur të saj. Në fillim i quajti “zëdhënës të Apokalipsit” por menjëherë u pendua për këtë. “Apokalipsi është fjalë elegante për ju, jeni zëdhënës të Qametit”, korrigjoi veten Ministrja.

Për të gjithë jobesimtarët që ndoshta nuk e dinë kuptimin, apokalipsi dhe qameti janë e njëjta fjalë, e para në Bibël e dyta në Kuran. Bëhet fjalë për fundin e Botës. Ajo e Biblës sipas Ballukut është elegante, ndërsa kjo e Kuranit është banale dhe i shkoka më shumë opozitës.

Mesa duket ministrja i ka mësuar në Greqi edhe fenë edhe historinë. Se përveç racizmit fetar, që prek shumicën e popullsisë shqiptare, na mori edhe rrugën Egantia dhe ia çoi Greqisë. “Gjurmë ekzistuese është Via Egnatia, andej nga kalonte Cezari, mbi të cilën u ndërtua një nga autostradat më të mëdha në Greqi”, tha Balluku, duke iu referuar asaj që Grekët e quajnë Egnatia Odos, dhe që lidh portin e Selanikut me portin e Igumenicës.

Një projekt i shpikur, pikërisht pas zbulimit të Korridorit 8, një inicativë e Klintonit dhe Prodit në 1996, që parashikonte kalimin e korridorit në rrugën Egnatia, atë të vërtetën ku kalonte Cezari, gjurma e së cilës në Shqipëri është nga Qafë Thana deri në Durrës.

Nuk dihet për cilin Cezar e ka patur ministrja, por rruga Egnatia është bërë e njohur si rruga më e shkurtër që lidh Azinë me Europën, pas pushtimeve Romake. Po të llogarisësh kilometrat dhe ta fshish historinë, prapë i bie që ViaEgnatia të jetë kjo që kalon nga Shqipëria, jo Egnatia Odos. Në fund të të gjitha perlave që këputi, duke treguar njohje të tepruar në të gjitha fushat, Ministrja Balluku e mbylli me një akuzë për kundërshtarët: Jeni injorantë.