Vëzhguesit vendorë: Marrëveshja PS-PD ishte joshtetformuese

545
Koalicioni dhe disa organizata joqeveritare zbulojnë shkeljet ligjore ndaj procesit zgjedhor që rrodhën nga pakti politik i 18 majit
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) konstatoi një seri shkeljesh ligjore dhe problemesh të shkaktuara nga zbatimi i marrëveshjes politike të 18 majit. Marrëveshje që i dha fund krizës politike dhe përcaktoi zhvillimin më 25 qershor të zgjedhjeve parlamentare, edhe me pjesëmarrjen e opozitës. KVV bëri të ditur se si një aksion i një grupimi organizatash joqeveritare ka ndjekur proceset zgjedhore që prej vitit 2005. Procesi zgjedhor për zgjedhjet për Kuvend i datës 25 Qershor 2017 është procesi i shtatë i përgjithshëm i monitoruar deri më sot. “Dakordësia e Marrëveshjes Politike të 18 Majit, ndonëse shërbeu si një moment madhor dialogu politik, i cili tejkaloi ngërçin institucional dhe siguroi pjesëmarrjen zgjedhore të forcave opozitare si kusht për legjitimitetin e procesit, thelloi akoma më shumë traditën jo shtet-formuese të një vendimmarrje jo-gjithëpërfshirëse dhe jo-transparente për proceset themelore që po kalon vendi”, thuhet në raportin e vëzhguesve. Aty përcaktohet se edhe rivendosja e afateve për regjistrimin e partive politike opozitare si subjekte zgjedhore, e pashoqëruar me amendim të kuadrit ligjor, u bë shkak për një vendimmarrje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pa bazë ligjore. Ndër të tjera, vëzhguesit kanë konstatuar se ndryshimet në Kodin Penal për rritjen e penaliteteve të veprave që cenojnë integritetin e votimit dhe lirinë e zgjedhësve gjykohen si joefektive. “Këto amendime do të duhej të përcaktonin instrumente ligjorë realë dhe efektivë në denoncimin e rasteve”, vlerëson raporti. Në përgatitje të këtij dokumenti është ndjekur ecuria e përgatitjeve për procesin zgjedhor nga komisionet zgjedhore të nivelit të parë dhe të dytë; e institucioneve të tjera përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor; e procesit të ankimimeve dhe apelimeve; e mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore, si dhe e dinamikave politike.

Konstatimet
1- Dakordësia e Marrëveshjes Politike të 18 Majit, ndonëse shërbeu si një moment madhor dialogu politik, i cili tejkaloi ngërçin institucional dhe siguroi pjesëmarrjen zgjedhore të forcave opozitare si kusht për legjitimitetin e procesit, thelloi akoma më shumë traditën jo shtet-formuese të një vendimmarrje jo-gjithëpërfshirëse dhe jo-transparente për proceset themelore që po kalon vendi.
2 – Rivendosja e afateve për regjistrimin e partive politike opozitare si subjekte zgjedhore, e pashoqëruar me amendim të kuadrit ligjor, u bë shkak për një vendimmarrje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pa bazë ligjore.
3 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i gjendur nën trysninë e dinamikave politike dhe në volumin e zhvillimit të procedurave në ekstremitetet kohore, ka shfaqur një sjellje pozitive në komunikimin me vëzhguesit dhe në bërjen e transparencës. Sjellje kjo që nevojitet të përparojë gjithnjë e më shumë duke siguruar, jo vetëm një administrim korrekt të procesit, por edhe duke reflektuar besimin për një proces të tillë.
4 – Amendimet e “Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë” për rritjen e penaliteteve të veprave që cenojnë integritetin e votimit dhe lirinë e zgjedhësve gjykohen si joefektive. Këto amendime do të duhej të përcaktonin instrumente ligjorë realë dhe efektivë në denoncimin e rasteve.
5 – Veprimtaritë në funksion të fushatës zgjedhore, jashtë periudhës zgjedhore ligjore, nga të gjitha partitë politike, përpos shkeljeve të tjera, ishin edhe në shmangie të rregullimeve dhe transparencës që përcakton “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” për veprimtarinë financiare të subjekteve zgjedhore.
6 – Amendimet e kryera në ligjin “Për partitë politike” për sa i mbivendosen “Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, në analizë të hierarkisë të së drejtës janë të pavlefshme.
7 – Urdhri i Kryeministrit të Republikës dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave shënjuan një precedent pozitiv në adresimin e shqetësimit të përfshirjes së administratës publike në mënyrë të paligjshme në fushatën zgjedhore.
8 – Angazhimi i disa institucioneve jo të thirrur shprehimisht nga kuadri ligjor zgjedhor si përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, shënjuan një precedent pozitiv, që duhet përvijuar më tej në rritjen e frymës së ndërveprimit institucional.
9 – Transparenca dhe zbatueshmëria rigoroze e kuadrit ligjor prej institucioneve përgjegjëse në mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore mbetet një problematikë madhore.
10 – Rotacioni i ndodhur në përbërjen dhe drejtimin e trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zhbëri përfundimisht përpjekjet për një institucion kolegjial dhe të pavarur. Ky zhvillim e bëri akoma më emergjente ndërhyrjen e thelluar dhe integrale në legjislacionin zgjedhor.
11 – Precedenti i tejkalimit të afateve proceduriale me vullnet politik, kërkon masa drastike në ripërcaktimin e afateve ligjore në legjislacionin zgjedhor për të zhbërë traditën e deri sotme.
Rekomandimet
1 – Transparenca mbi ecurinë institucionale në përgatitjet në vazhdim të procesit zgjedhor duhet të jetë maksimale dhe në kohën më të shkurtër.
2 – Prokuroritë e vendit duhet të ndjekin me rigorozitet rastet e denoncimeve për përfshirjen e jashtëligjshme të funksionarëve publikë në fushatën zgjedhore.
3 – Subjektet zgjedhore duhet të frenojnë çdo përpjekje dhe sjellje që ka për objekt përfshirjen apo intimidimin e funksionarëve publikë për qëllime elektorale.
4 – Fryma e ndërveprimit ndërmjet institucioneve në përballjen e fenomeneve të korrupsionit zgjedhor, duhet të jetë në konkordancë me përcjelljen e informacionit Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
5 – Subjektet zgjedhore duhet të paraqesin platforma konkrete elektorale dhe të mbështetura në argumente të matshëm.
6 – Përfaqësuesit politikë të subjekteve zgjedhore duhet të jenë të matur në komunikimet publike, duke mos lejuar nxitjen e gjuhës së urrejtjes në vazhdim të fushatës zgjedhore.
7 – Subjektet politike të bëjnë publikisht të ditur planin e veprimtarive elektorale për periudhën e fushatës zgjedhore dhe të publikojnë para ditës së zgjedhjeve pasqyrën totale të kostove të fushatës zgjedhore, përfshirë evidentimin sipas kandidatëve.
8 – Kandidatëve iu bëhet thirrje të deklarojnë gjendjen e tyre pasurore zyrtare, duke përfshirë të ardhurat, kapitalet financiare, asetet materiale dhe detyrimet financiare që shlyejnë për këto pasuri. Kjo, si një domosdoshmëri në funksion të transparencës ndaj zgjedhësve, duke ndjekur të njëjtin standard të vendosur tashmë nga legjislacioni për publikimin e gjendjes së tyre penale. Ky deklarim vullnetar i të gjithë kandidatëve do të shërbente si një garanci më shumë për forcimin e besimit qytetar tek figura dhe integritetit i përfaqësuesve të tyre të ardhshëm.
9 – I bëhet thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të formave të korrupsionit zgjedhor, që nga shit-blerja e votës dhe deri tek të gjitha format e aferave korruptive që mund të përballen.
10 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxitet të luaj një rol aktiv në koordinimin e punës me njësinë Task-Force të ngritur, Prokurorinë e Përgjithshme dhe me institucione të tjera përgjegjëse.
11 – I bëhet thirrje operatorëve mediatikë të tregohen sa më objektivë dhe profesionalë në përcjelljen e veprimtarive të fushatës zgjedhore si në edicionet informative, ashtu edhe në programacionet e tjera të tyre.
Sigal