Vërtetimet e vettingut do t’u grabisin familjeve të policisë 4 miliardë lekë

672
Ëngjëll Musai, drejtor i gazetës “Telegraf”
Gati protestat masive të policisë, bojkot të shërbimeve dhe grevë për t’i thënë jo, marrëzisë së bankave në bashkëpunim më Ministrinë e Brendshme
Me 88 vota pro në muajin Mars të këtij viti është miratuar nga Kuvendi ligji për vettingun në polici, Gardën e Republikës dhe Shërbimin e Çështjeve të Brendshme e Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Gjatë votimit nen për nen mazhoranca përfshiu në ligj edhe propozimet e bëra nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky ligj përfshin procesin e deklarimit të pasurisë, integritetit dhe aftësisë profesionale për uniformat blu. Miratimi i ligjit për vettingun në polici, Gardë dhe Shërbimin e Çështjeve të Brendshme e Ankesave në Ministrinë e Brendshme do t’i hapë rrugën edhe procesit të deklarimit të pasurisë për të rreth 13 mijë uniformat blu. Ata do të plotësojnë një formular që mbart detyrimin për deklarim të pasurisë për vete, bashkëshortin/en, bashkëjetuesin/en, fëmijët madhorë dhe çdo personi të përmendur në certifikatën familjare. Më pas, kjo deklaratë pasurie do të jetë një nga pikat e vlerësimit që do të bëhet për punonjësin e policisë, krahas kontrollit të figurës dhe aftësive profesionale. Faza e parë e rivlerësimit të policisë do të zgjasë 24 muaj dhe faza e dytë do të përsëritet në harkun kohor të 3 viteve. Projektligji përcakton parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit për punonjësit e policisë. “Është përzgjedhur një model i përzier ku gradat e larta vlerësohen nga komisione të pavarura me punonjës të rekrutuar nga jashtë, ndërsa në nivelet e tjera komisionet integrohen me punonjës që e kanë kaluar me sukses vlerësimin”, Gazeta “Telegraf” ka mësuar edhe një detaj tjetër që lidhet me Ministrinë e Brendshme, e cila nuk do jetë të pjesë e procesit e vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij. Deklarimi i pasurisë do të bëhet nëpërmjet plotësimit të një formulari tip, i cili këto ditë iu shpërnda në formë aksioni për 13 mijë efektivë të strukturave të Ministrisë së Brendshme ku uniformat blu do të deklarojnë të ardhurat dhe pronat për vete dhe familjarët e afërt. Deri këtu gjithçka është normale dhe meriton vlerësimin për këtë iniciativë pasi integrimi i vendit në strukturat e BE e bën të domosdoshme këtë ndërhyrje. Madje kanabizimi i vendit nën hundën dhe, në shumë raste, me mbështetjen e policisë të të gjitha niveleve deri në implikimin e ish-ministrit Tahiri do të bëjë që kjo polici të pastrohet dhe, padyshim roli i ministrit aktual Fatmir Xhafaj deri në këtë fazë meriton një vlerësim pozitiv. Por mesa duket telashet për shtresën më të përkushtuar dhe ndoshta më pak të shthurur në këtë administratë shqiptare nuk paskan të sosur. E themi këtë duke u nisur nga një shqetësim i orëve të vona të ditës së djeshme, kur kreu i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadedin Fishta bëri publike për Telegraf.al, se punonjësve të policisë u është kërkuar një vërtetim banke për pagat që kanë marrë dhe shumën e tyre. Këto vërtetime do të merren në bankat ku vetë ministria apo drejtoria përkatëse ka lidhur marrëveshjen e dhënies së rrogave. Por cilat janë problemet që kanë lindur dhe që përbëjnë një turp të madh, një skandal të vërtetë dhe një grabitje të turpshme për punonjësit e policisë. 

Së pari: Është shuma që duhet të paguajë çdo punonjës policie për tërheqjen e vërtetimit. Duke qenë klient i bankës vërtetimet kanë kushtuar 1900 lekë të vjetra dhe kjo është një detyrim i bankës për t’ua afruar falas si shërbim. Por bankat, jo vetëm që këtë shërbim nuk e bëjnë falas, jo vetëm që nuk e bëjnë me vlerën e zakonshme prej 1900 lekësh, por e kanë rritur duke e çuar vlerën e dhënies së 1 vërtetimi në 20 mijë lekë të vjetra për person. Sigurisht që kjo është e turpshme dhe duhet urgjentisht të hetohet dhe të korrigjohet menjëherë.

Së dyti: Vlera e vërtetimit prej 20 mijë lekësh është vetëm për punonjësin e policisë, por formulari kërkon edhe vërtetim nga bashkëshortja, fëmijët që janë në punë, prindërit që janë në trungun familjar apo edhe persona të tjerë në certifikatën familjare. Duke llogaritur që personat që do plotësojnë formularin brenda sistemit të Ministrisë Brendshme janë 13 mijë persona + Sistemi i Burgjeve + Sistemi i SHIK , atëherë shuma e personave që do marrin vërtetime arrin në rreth 20 mijë punonjës. Por kësaj shume do i shtohet mesatarisht edhe 3 persona shtesë për familje, gruaja, fëmija edhe prindi. Atëherë shuma e personave që do pajisen me vërtetim page arrin në rreth 80 mijë persona. 

Së treti: Shuma që punonjësit e policisë do të paguajnë për marrjen e të dhënave të pagës apo vërtetimit të rrogës personale të dhënë nga vetë shteti, arrin një vlerë, nga 60 mijë lekë deri në 80 mijë lekë për familje duke i shkaktuar ekonomisë së tyre një dëm të jashtëzakonshëm.

Së katërti: Bankat fitojnë dhe majmen duke rritur xhirot e tyre në kurriz të djersës, varfërisë dhe grabitjes që u bëhet familjeve dhe punonjësve të policisë së shtetit shqiptar. Bankat nga vërtetimet që janë të detyruara t’i japin falas ose me vlerën minimale arrijnë një fitim prej: 80 mijë persona X 20 mijë lekë e barabartë me 1 miliard 600 milionë lekë të vjetra

Së pesti: Kjo shumë është vetëm për 1 bankë, por gjatë këtyre 13 viteve bankat ku janë marrë pagat janë ndërruar dy herë dhe disa tre herë. Dhe për secilën bankë do merret vërtetim i veçantë dhe me vlerë po 20 mijë lekë për person. Pra shumës prej 1 miliard e 600 milionë lekëve po t’i shtohet minimalisht dyfishi, pasi e kanë marrë rrogën në dy banka shuma arrin në 3 miliardë e 200 milionë lekë vetëm vërtetime page. Kësaj shume duhen shtuar edhe vërtetimet në hipoteka, kadastra, dëshmi penaliteti etj., atëherë shuma që u grabitet punonjësve të policisë për vettingun arrin në rreth 4 miliardë lekë 

Së gjashti: Në këtë shumë nuk janë llogaritur edhe vërtetimet që mund të kërkohen në një të ardhme për ushtarakët dhe punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes

Pra, sikurse shihet dhe llogaritet, punonjësit e policisë së shtetit, Burgjeve dhe institucioneve të tjera e fillojnë vettingun me një padrejtësi dhe grabitje të paskrupullt. Duke folur për “Telegraf” Kreu i Sindikatave të policisë z. Fishta, deklaron se: Do kërkojmë takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe do t’i kërkojmë të shtyhet afati i plotësimit të formularëve, duke u bërë i ndarë me qarqe apo sipas gradave, ndryshe do ketë reagim paralajmërues, bojkotim të mos dorëzimit, grevë e pjesshme deri tek e përgjithshme. Pra, ne deklaron për “Telegraf”, kryesindikalisti Sadedin Fishta “do kërkojmë të shtyhet afati i dorëzimit, pasi kërkohet profesionalizëm në mbushje, të ulin vlerën, vetë banka t’i sjellë sipas borderove që dërgon çdo drejtori përkatëse, pasi punonjësit e policisë do të mbeten të shkarravitur nëpër radha, duke lëne punën, shërbimin dhe duke cenuar sigurinë e rendit dhe qetësisë publike, përfundon Fishta. Ndoshta ministri i Brendshëm dhe ministria e drejtësisë duhet të kërkojë urgjentisht rregullimin e këtij kaosi që ka filluar të përfshijë policinë duke i kërkuar bankave tarifat minimale ose zero, pasi janë klientë të përhershëm dhe ky është një shërbim i veçantë dhe detyrim për vetë bankën. Këtu nuk janë llogaritur vërtetimet e kredive, me të cilat kjo shumë e sipërpërmendur do të vazhdojë të rritet. Atëherë, përse shteti nuk mbron interesat e punonjësit të vet duke vendosur parimin e barazisë në shërbime dhe detyrime për shërbimin?! Të gjitha këto vërtetime do të jepen, nga viti 2005 deri më 2018, ndërsa për vitet para 2005 do të nxirren nga borderotë e financave të secilit institucion. Radhë të gjata, kaosi, aksion i menjëhershëm po konceptohen nga punonjësit e policisë jo vetëm si spastrim i merituar për një pjesë, po mendohet edhe si mundësi ideale për zëvendësimet partiake të këtyre punonjësve. Ministritë përkatëse t’i nxjerrin vetë pagat sepse i kanë në bordero dhe sikurse i çojnë një kopje të tyre në banka i kanë edhe vetë në kompjuter dhe shumë shpejt me listën përmbledhëse t’u jepet ose punonjësve të policisë ose ta përllogarisin vetë, se sa u kanë dhënë për çdo vit pune këtyre punonjësve dhe në formular të shënohet pasuria e punonjësve dhe automatikisht dalin diferencat për ata që kanë mospërputhje midis gjendjes aktuale të deklarimit dhe atyre që kanë marrë nga pagesat. Pra, financat e institucioneve t’i nxjerrin vetë, pasi i kanë pagat sipas gradave dhe ata që kanë mospërputhje për shpërblime dhe paga shtesë t’u saktësohet, prandaj kërkohet edhe një tolerancë kohore dhe jo data 30 prill, sikurse është lënë si afat i fundit i dorëzimit.

Sigal