Vepror Hasani: Zgjedhjet e 25 prillit kanë zgjuar ndërgjegjen e elektoratit “gri” të Korçës

270
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Përfaqësuesit e këqinj zgjidhen nga njerëzit e mire, që nuk shkojnë të votojnë”

Pritshmëritë e zgjedhjeve të 25 prillit janë të mëdha, pasi pritet të votojnë edhe zgjedhësit e munguar në zgjedhjet e fundit dhe të parafundit, dhe të gjithë ata që kanë mungur herë pas here, sepse në vijimësi patën mendimin se vota e tyre ishte e pavlerë, ajo nuk ndryshonte dot asgjë, gjithçka ishte e paravendosur, pasi të gjithë politikanët janë njëlloj, ndërtojnë ura edhe atje ku nuk ka lumenj. Mirëpo tashmë, pas 30 vitesh demokraci, në shpirtin e tyre ndodhi tronditja e madhe. U kuptua e vërteta, pse gjatë viteve të fundit Parlamenti shqiptar u mbush me njerëz pa vlera, pa ide, opsione dhe ndershmëri. U kuptua thënia e kritikut amerikan të artit George Jean Nathan, i cili thotë: “Përfaqësuesit e këqinj zgjidhen nga njerëzit e mirë që nuk shkojnë të votojnë”. Pra, pas kaq vite mundimesh, gjithçka u bë e qartë: nëse nuk voton, atëherë në Parlament, në vendin më të shenjtë të një kombi, sheh deputetë nga më të çuditshmit me edukatën më minimale, që flasin me fjalët nga më të ndyrat e më të turpshmet, që gënjejnë e mashtrojnë, që vjedhin e grabisin, që s’guxojnë të përballen me gazetarët, të cilët tashmë janë bërë tmerr për ta. Po në beteja të vërteta, çfarë do të bënin? Do të fshiheshin skutave? Ndaj këto zgjedhje do sjellin në votim edhe njerëzit e mirë të munguar deri më sot.

Çdo gjë po bëhet gati.

Tashmë për zgjedhjet e 25 prillit, pothuajse çdo gjë është gati. Është verifikuar gjithçka: konstituimi i komisioneve zonale të administrimit zgjedhor; qendrat e votimit dhe përmbushja e kushteve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve; emërimi i komisioneve të qendrave të votimit; listat paraprake të zgjedhësve të propozuara nga subjektet politike; afishimi i listave pranë qendrave të votimit; propozimi nga subjektet politike për anëtarët e grupeve të numërimit; vendosja e monitorëve dhe tavolinave; sigurimi i bazës materiale për ditën e zgjedhjeve, kutitë dhe fletët e votimit, të cilat do të tërhiqen 24 orë para fillimit të votimit; po kështu kanë mbërritur edhe kamerat e qendrave të votimit. Në total qarku i Korçës, ka 7 KZAZ dhe 427 qendra votimi. KZAZ-ja  nr 74 që përfshin qytetin e Korçës, me 103 qendra votimi dhe 75,079 zgjedhës, është vendosur në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, ndërsa KZAZ-ja nr. 73 është vendosur te godina e gjimnazit “Themistokli Gërmenji” të qytetit të Korçës.

Nëse nuk votojmë, ky vend s’ka të ardhme.

Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, mbërritja e 25 prillit po pritet me interes nga gjithë banorët e qarkut Korçë. Siç e pohuam edhe më sipër, interesi është zgjuar edhe te votuesi indifferent, që deri më sot nuk kishte shpresuar te ndryshimi, por që tashmë është bindur se vota e tij në këto zgjedhje do të jetë vendimtare;  kjo edhe për shkak të thirrjeve të drejtuara nga partitë politike të opozitës. Në këto zgjedhje, duket se qytetarët nuk do ta tolerojnë votën e tyre, nuk mund t’ia dhurojnë kunatit, krushkut apo kushëririt me që ata janë pjesë e kësaj apo asaj partie politike, siç ka ndodhur deri më sot. Sipas tyre, nëse shqiptarët do tregohen indiferentë, këtë vend do ta rrëmbejë mafia dhe vendi do të mbetet pa të ardhme për fëmijët e tyre, pasi gjithë pasuritë e këtij vendi do të shkojnë në drejtim të paditur. Në këto zgjedhje qendrat e votimit do të jenë të pajisura edhe me materiale anticovid, ndaj nuk ka arsye frike nga virusi corona.

Kandidatët e qarkut Korçë

Qarku i Korçës si zonë zgjedhore, përzgjedh 11 kandidatë për Kuvendin e Shqipërisë, të kandiduar nga 12 subjekte politike. Numri i zgjedhësve shkon 284,363 persona ose 1000 më shumë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2019. Me qenë se banorët e qarkut Korçë shpresojnë te ndryshimi, një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të pranishëm në të gjitha takimet e organizuara nga opozita; për këtë arsye vëmendja e tyre ka qenë e drejtuar nga kandidatët e saj. Lista e Partisë Demokratike kryesohet nga koordinatori politik i qarkut Korçë, Edmond Spaho; e dyta renditet kandidatja Sorina Koti; i treti Ervin Salianji, garues në bashkinë e Korçës; (më 2017-ën doli fitues në Bashkinë Maliq); i katërti në listë vjen ish-kryetari i bashkisë Devoll, Bledjon Nallbati; i pesti Salaudin Jakupllari; i gjashti Marjeta Halili, ndërsa i shtati Andrea Mano, ish-kryetari i degës së Partisë Demokratike në Korçë. Ndërsa lista shumëemërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim çelet me sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Endrit Brahimllari, i dyti Gentjan Çala, (kandidat në Pogradec); e treta, Brunilda Paskali, (e konfirmuar për herë të dytë); ndërsa i katërti renditet  kryetari i degës së LSI-së në Korçë, Petrika Mele. Pritet që rezultatet pozitive të opozitzës të jenë befasuese.

 

Kandidatët e Partisë Socialiste

Lista e kandidatëve  për deputet në qarkun e Korçës, të Partisë Socialiste, nis me kandidaten Enslemvera Zake, garuese edhe në zgjedhjet e mëparshme; pas saj renditen: deputetja Blerina Gjylameti (në Pogradec), Ilirian Pendavinji (i konfirmuar edhe më parë në Maliq), Ilir Topi (kandidat në Devoll) dhe Olta Xhaçka, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, fituese në zgjedhjet e mëparshme në Dibër, ndërsa i gjashti renditet Niko Peleshi drejtuesi politik i qarkut Korçë, njëherazi edhe ministër i Mbrojtjes. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 Partia Socialiste fitoi 6 mandate, nga 11 që ka qarku i Korçës; 4 prej tyre i fitoi Partia Demokratike dhe 1 Lëvizja Socialiste për Integrim, por dalja në skenë e votuesit “gri” duket se do të sjellë rezultate shumë më të ndryshme nga dy zgjedhjet e mëparshme, pasi vetëm konfliktet e pareshtura mes dy kampeve politike, ku protagoniste ka qenë Partia Socialiste, e kanë lodhur mjaft elektoratin dhe besimin e tyre, gjë që ndodh në çdo vend të botës, sa herë që qytetarët zhgënjehen nga pritshmëritë e partisë në pushtet. Por, kur të heshturit vendosin të votojnë, ndodh ajo çka është thënë nga kritiku amerikan i artit, George Jean Nathan: “Përfaqësuesit e këqinj zgjidhen nga njerëzit e mire, që nuk shkojnë të votojnë”, por kësaj radhe njerëzit e mirë duket se nuk do të qëndrojnë në shtëpi.