Vendimi i Parlamentit për Presidentin Meta, Blushi: Zero shqetësim, vendimi nga landfilli parlamentar monist

175
Sigal

Presidenca ka reaguar me një deklaratë të Zëdhënësit Tedi Blushi, lidhur me vendimin e Parlamentit, i cili me 104 vota pro, vendosi shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

“Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër!

Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit”, shprehet Blushi në reagimin e tij.

Në vijim, ai thekson se të paktën veç pensionit të përjetshëm, deputetët i siguruan edhe për këtë vit një palë pushime qyl!

“Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti!

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar.

Një ftesë e sinqertë edhe për kolegët gazetarë: Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore!”, shprehet Blushi