Vëllezërit dhe motrat shqiptare, po e mbajnë gjallë identitetin kombëtar e gjuhën shqipe

544
Sigal

Presidenti Meta merr pjesë në festimet e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit viziton fshatrat Mexhitli dhe Nakolec në Maqedoni

Presidenti Meta: Mirënjohje të përjetshme patriotëve të Rilindjes sonë Kombëtare

Me shumë emocion rikthehem në qytetin e mrekullueshëm të Manastirit, për të përkujtuar së bashku me vëllezërit shqiptarë në Maqedoni, 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, këtë ngjarje historike për kombin tonë, që i bashkoi të gjithë shqiptarët rreth Alfabetit të gjuhës shqipe duke i paraprirë shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Mirënjohje të përjetshme patriotëve, veprimtarëve dhe përfaqësuesve më të spikatur të Rilindjes sonë Kombëtare, Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Sotir Peci, Taqi Buda, Nyzhet bej Vrioni dhe Parashqevi Qiriazi, të cilët i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, Alfabetit të gjuhës shqipe.
Lavdi të përjetshme Kongresit të Manastirit që i dha jetë Alfabetit tonë dhe përjetësoi gjuhën shqipe.

Takime me shqiptarët që mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar

Kreu i shtetit shqiptar, në këtë vizitë të parë të një Presidenti të Shqipërisë në fshatin me shumicë banorësh shqiptarë të Mexhitlis, u takua përzemërsisht dhe bashkëbisedoi ngrohtësisht me autoritetet vendore dhe banorët e zonës, duke vënë në dukje se ata dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk do të jenë vetëm. “Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë jush, sepse ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit. Ju falënderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve!” – iu drejtua Presidenti Meta banorëve të fshatit, duke shtuar se në historinë e kombit tonë Kruja, Prizreni, Manastiri dhe Vlora janë qytetet më të rëndësishme për ne, shqiptarët. Autoritetet vendore dhe banorët e zonës i shprehën mirënjohjen dhe falënderuan Presidentin e Republikës për vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshëm që tregon ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Presidenti Meta shkruan: Në Nakolecin e Prespës, mes vëllezërve e motrave shqiptare, të cilët po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe. Diaspora shqiptare e Nakolecit asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen dhe kombin, duke dhënë kontribut të çmuar e të jashtëzakonshëm për ruajtjen e traditave kombëtare. Një takim mjaft i përzemërt me shqiptarët e Mexhitlije (Manastir), fshatit më skajor në kufi me Greqinë. Ndamë së bashku bindjen se kohë më të mira po vijnë edhe për ta, me perspektivat e reja të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë dhe çeljes së negociatave me BE vitin e ardhshëm. Mirënjohje të gjithë atyre që qëndruan në kohë të vështira si shqiptarë dhe ruajtën me krenari gjuhën kombëtare, Alfabeti i së cilës u themelua në Manastir për t’i bashkuar shqiptarët kudo Emocion i jashtëzakonshëm t’u dhurosh Abetaren fëmijëve shqiptarë të Manastirit, aty ku lindi Alfabeti i gjuhës më të bukur në botë. Ndërsa në fshatin Nakolec, buzë liqenit të Prespës, Presidenti Meta u ndal në Teqenë “Dervish Ali”, duke vënë në dukje se kjo është një vatër e rëndësishme, jo vetëm fetare, por edhe e ruajtjes së vlerave, traditave, gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar. “Është kënaqësi e veçantë të vizitoj sot Nakolecin e Prespës, dhe të ndodhem mes vëllezërve e motrave shqiptare, që po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe. Diaspora shqiptare e Nakolecit asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen dhe kombin, duke dhënë kontribut të çmuar e të jashtëzakonshëm për ruajtjen e traditave tona kombëtare” – nënvizoi Presidenti i Republikës.