Veliaj uron Pashkët: Ne të politikës duhet të kemi turp, kur shohim si myslimanë e të krishterë përqafohen

728
Erion Veliaj uroi besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve, duke bërë dhe një kritikë për klasën politike. Për Veliajn, gjithë politikanët duhet të jenë pak me turp sot, kur shihen myslimanë e të krishterë që përqafohen, pajtohen dhe urojnë njëri-tjetrin.

Kreu i Bashkisë së Tiranës bëri thirrje që politikanët të lënë mënjanë inate të vogla personale për të mirën e vendit.

“Ne të politikës, ndoshta në ditë si sot, duhet të jemi pak me turp, kur shohim si myslimanë e të krishterë që përqafohen, pajtohen, urojnë njeri tjetrin, nuk ka asnjë arsye që ne, mes shqiptarësh, në parti të ndryshme politike, të mos gjejmë gjuhën e të lëmë inate të vogla personale për të mirën e vendit, për të mirën e qytetit dhe të Shqipërisë. Besoj që kjo ditë na kthjellon pak më shumë për të kuptuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se ato që na ndajnë dhe një Shqipëri e mirë është e mundur, e kemi vetë në dorë, që përtej kapriçove e inateve të punojmë për një vend më të mirë”, u shpreh Erion Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vizitoi Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse, ku i uroi festën kreut të besimtarëve ortodoks, Kryepeshkopit Anastas. Më pas urimin e tij Veliaj e përcolli edhe për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë dhe qytetarët e Tiranës në veçanti.
Sigal