Veliaj: “Nuk do ju mungojë asgjë, por të moshuarit duhet të qëndrojnë brenda”

83

Pako me ushqime për gjyshet dhe gjyshërit e vetmuar në Njësinë 8; 0800 0888 numri ku mund të kërkohet ndihmë

Lufta me COVID-19 është e vështirë për të gjithë, por sidomos për gjyshet dhe gjyshërit, të cilët janë më të rrezikuar se të tjerët dhe kanë më shumë nevojë për ndihmë. Për t’i ardhur në ndihmë, veçanërisht të moshuarve të vetmuar në banesat e tyre, Bashkia e Tiranës po kryen shpërndarjen e ushqimeve dhe të ilaçeve derë më derë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në Njësinë 8, ku çoi disa pako ushqimore dhe ilaçe për te moshuarit. Një prej tyre ishte dhe Dhurata Tabaku, e cila e falenderoi kreun e Bashkisë për këtë nismë. “Ju falenderoj juve dhe njësinë 8 që po na ndihmoni”, tha ajo.

Një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe të moshuarve që fëmijët i kanë jashtë shtetit dhe janë vetëm, si rasti i Naim dhe Shemise Bulicës, që e kanë vajzën në SHBA, dhe Aferdita Prespës e cila ka djalin në Greqi në këtë periudhë.

“Nuk do ju mungojë asgjë, duhet vetëm që të qëndrojmë brenda, do të vijmë ne në banesat tuaja t’ju sjellim ushqime”, tha Veliaj, teksa kërkoi edhe mbështetjen nga të rinjtë që t’i bashkohen rrjetit të vullnetarëve.

“Kjo është gjëja më e mirë për atdheun. Unë ndoshta s’e shpëtoj dot të gjithë botën, por një familje e marr unë. Duhet që ky rrjeti të fillojë të ndërtohet që tani”, shtoi më tej kreu i Bashkisë.

“Ju po përpiqeni shumë, ju falenderoj, ju dhe kryeministrin. Jeni shumë perfektë”, tha Aferdita Prespa, e cila është një nga të moshuarat që marrin ndihmën këto ditë nga Bashkia e Tiranës.

Bashkia e Tiranës vazhdon shpërndarjen e ndihmave pranë çdo të moshuari dhe familjeve në nevojë. Të gjitha njësitë janë të angazhuara të jenë derë më derë pranë çdo qytetari për të plotësuar kërkesat bazike të tyre. Numri ku të gjithë të moshuarit e vetmuar mund të kërkojnë për ndihmë në Tiranë është 0800 0888.