Veliaj: Jemi të parët në rajonin tonë për flotën e autobusëve të gjelbër “Go Green”!

219
Sigal

Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot linjën e re të autobusëve hibridë dhe elektrikë në Tiranë. 20 autobusët e parë “Go Green” mbërritën sot në sheshin “Nënë Tereza” dhe brenda muajit gusht do të futen në qarkullim, ndërsa investimi do të kompletohet gradualisht edhe me 22 mjete të tjera.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm për ata që përdorin transportin publik.

“E kam pritur me shumë ëndje këtë ditë. Kam përshtypjen se ashtu si unë, e kanë pritur edhe shumë qytetarë që thonë: kur do vijë dita që të kemi transport të gjelbër, që nuk ndot mjedisin, i denjë me hapin që po ndjek qyteti dhe me mënyrën se si po avancon. Sot hedhim një hap të paprecedentë dhe ndoshta jemi të parët në rajonin tonë me një flotë të gjelbër, diçka që kemi premtuar dhe më vjen mirë që e bëjmë realitet. Është një proces i modernizimit të transportit publik të Tiranës, të nisur që nga koha e Edi Ramës, i lënë pezull 4 vite, dhe sot falë një pune titanike është bërë realitet,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai ka kërkuar jo vetëm mirëkuptim, por dhe angazhimin e gjithsecilit për të kontribuuar me shembullin e tij për një qytet më të pastër.