Veliaj: “Heqim përfundimisht mësimin me dy turne; Për pak ditë nis puna për rikonstruksionin e Bulevardit “Zogu I” dhe rehabilitimin e fasadave”

484
Sigal

Pas 54 vitesh, nis puna për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Jeronim De Rada”

Shumë shpejt komuniteti i Njësisë 9 në kryeqytet do të ketë një shkollë tërësisht të re, me kushte e mjedise dinjitoze për 1100 nxënësit e saj. Pas 54 vitesh, me mbështetjen e Katarit, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Jeronim De Rada”, e cila do të ketë jo vetëm më shumë klasa në dispozicion, por edhe laboratorë e palestër të re.

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri, inspektuan nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës, çka shmang përfundimisht mësimin me dy turne. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë me mikun tim, ambasadorin e Katarit, jemi në fillimin e punimeve për shkollën “Jeronim De Rada”, një shkollë që do duket totalisht e re, jo vetëm sepse do të rikonstruktohet nga e para, por sepse do t’i shtohet një palestër, do t’i shtohen disa klasa për të shmangur përfundimisht mësimin me dy turne. Një bekim i madh, edhe një arritje e madhe për Njësinë 9, por sigurisht për zonën e rrugës “Fortuzi’”, tha Veliaj.

Paralelisht me rikonstruksionin e shkollave ekzistuese, Bashkia e Tiranës po vijon punën edhe me ndërtimin e shkollave të reja në disa njësi, për të zgjidhur njëherë e mirë mësimin me dy turne në kryeqytet. “Bashkia po bën edhe 17 shkolla të reja me forcat e saj, ndërkohë për shkollat ekzistuese kemi zgjedhur partneritete me miqtë e Shqipërisë, siç është Ambasada e Katarit, për t’u siguruar që edhe nevojat në shkollat ekzistuese të plotësohen. Kështu, do të kemi një komunitet që e shikon si shkollën si qendër komunitare, jo thjesht si një vend parkimi, 6 orë, për fëmijët. Kemi një plan zyrtar për t’i përfunduar punimet deri në shtatorin tjetër. Megjithatë, sot morëm një premtim që do të sforcohemi pak, ndoshta dhe me dy-tre turne, për t’u siguruar që ndoshta që në semestrin tjetër të kemi gati shkollën e re “Jeronim De Rada’”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe prindërve, teksa u kërkoi atyre bashkëpunim që të regjistrojnë fëmijët në institucionet arsimore që kanë më pranë banesës së tyre, për të shmangur ngarkesën nëpër klasa. “Është shumë e rëndësishme që secili të regjistrohet në shkollën më të afërt, siç e kërkon ligji, dhe të mos dyndemi në shkollat e vjetra të Tiranës, që tashmë mezi po presin që të heqin turnin e dytë. Nëse dikush jeton në Kombinat, aty kemi shkollën “Betim Muço”, nëse jeton te Bregu i Lumit, kemi shkollën “Ardian Klosi”. Inercia e viteve të fundit për t’i çuar fëmijët në shkolla ku kalojnë 2-3 orë në ditë nëpër furgonë, shtojnë trafikun, duhet shmangur sepse në ato orë, në vend që të luajnë ose të mësojnë, i kalojnë tranzit nga shtëpia në shkollë e anasjelltas”, tha ai.

Veliaj theksoi se tashmë që zgjedhjet kanë përfunduar, fokusi duhet të jetë vetëm puna, pasi ato që na bashkojnë janë shumë herë më të rëndësishme se sa bindjet politike të gjithsecilit. “Jetojmë në kohë me shumë debate, shumë konflikte, me shumë sherre politike, ndaj dua t’ju kujtoj të gjithëve, se kur të shkruhet një ditë historia e Shqipërisë, njerëzit do të pyesin kush ndërtoi shkolla, kush ndërtoi ura, kush pajtoi njerëzit, jo kush mbolli sherr, kush mbolli konflikt, jo kush hapi pengesa. Zgjedhjet kanë mbaruar, rezultatet kanë dalë, puna ka rifilluar, kështu që gjërat që na bashkojnë, siç janë shkollat, kopshtet, çerdhet, hapësirat për fëmijët, janë shumë më të rëndësishme se sa bindjet politike që na ndajnë ndonjëherë”, u shpreh ai.

Por, krahas një shkolle tërësisht të rikonstruktuar dhe me ambiente moderne, komuniteti i Njësisë 9 në kryeqytet, do t’i gëzohet shumë shpejt infrastrukturës së re në Bulevardin “Zogu I”. Kryebashkiaku tha se do të nisë puna për rikonstruksionin e Bulevardit  “Zogu I” dhe për rehabilitimin e fasadave në të dy anët e saj. “Për pak ditë do të fillojmë nga puna. Do të bëhet jo vetëm nëntoka, por edhe të gjitha fasadat, sheshet e vogla, kështu që besoj janë fatlumë ata që jetojnë mes Bulevardit “Zogu I” dhe rrugës “Fortuzi”: do të kenë një bulevard të ri dhe një shkollë të re”, deklaroi Veliaj.

 

Ambasadori i Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al-Marri, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë e Katarit për të vijuar kontributin konkret. “Padyshim që kjo ngjarje është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë miq, dhe konfirmon edhe njëherë interesimin konkret të Shtetit të Katarit për të mbështetur Shqipërinë dhe popullin shqiptar në të gjitha fushat. Me këtë rast dua ta siguroj Kryetarin e Bashkisë me të cilin ndajmë një miqësi të veçantë, që ne vlerësojmë dhe çmojmë lart çdo bashkëpunim me Bashkinë, dhe se Ambasada dhe unë nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të mbështetur dhe realizuar çdo gjë që i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe lidhjeve të miqësisë mes dy vendeve dhe dy popujve tanë”, deklaroi ai.

Shkolla “Jeronim De Rada” është ndërtuar në vitin 1965 dhe që prej atëherë nuk është ndërhyrë plotësisht. Falë rikonstruksionit të plotë, kjo shkollë do të ketë më shumë klasa, nyje sanitare, një palestër të re me ambiente ndihmëse, laboratorë të mirëpajisur, si dhe vendosjen e sistemit qendror të ngrohjes.