Vasilika Hysi:“Mungon vullneti politik për të luftuar krimin”

1389
Sigal

INTERVISTA/Vasilika Hysi, deputete e PS-së: “Krimi merr zemër kur në gjirin e policisë ka punonjës policie të lidhur me krimin, të korruptuar, jo profesionistë”

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi në intervistën për “Telegraf”, si një nga specialistet më të zonja të fushës së kriminalitetit, skanon fenomenin e krimit në shoqërinë tonë, duke argumentuar se politika qeveritare nuk ka vullnet të luftojë krimin, pasi shteti është kapur dhe nënshtruar  nga krimi i organizuar. Njëkohësisht, si politikane dhe juriste, zonja Hysi argumenton se, PS-ja do të luftojë krimin, jo thjesht si dukuri, por edhe mentalitetin e mosndëshkueshmërisë së krimit.

– Zonja Hysi, përse krimi kohët e fundit ka marrë përmasa kaq të mëdha?

– Faktorët që nxisin ose mundësojnë kriminalitetin ndryshojnë në varësi të llojit të krimeve. Faktorët janë të shumtë: ekonomikë, socialë, psiko-kulturor, mungesa ose politika të dobëta parandaluese, reagim jo profesional dhe efektiv të organeve të ngarkuara me ligj për parandalimin dhe goditjen e tij. Në Shqipëri, krimi urban, pra vjedhjet, vjedhjet me dhunë, plagosjet dhe vrasjet, dhuna në familje, aksidentet rrugore kanë njohur rritje të madhe nga viti në vit. Krimi i organizuar, si trafiqet e paligjshme, trafikimi i drogës, pastrimi i parave, krimet në fushën e mjedisit ndikohen nga faktorë që kanë lidhje kryesisht me ligjin dhe zbatimin e tij, institucionet e zbatimit të ligjit dhe korrupsionin. Kapja e shtetit është më e mundur në këtë fusha.

A ka policë që janë të inkriminuar në botën e krimit?

– Arrestimet dhe dënimet e personave edhe në radhët e policisë tregojnë ka persona të inkriminuar. Disa prej tyre janë dënuar, të tjerëve mund të ketë.

– Sipas jush, përse krimi ka vënë në shënjestër edhe vetë komisarët e policisë?

– Krimi merr zemër kur në gjirin e policisë ka punonjës policie të lidhur me krimin, të korruptuar, jo profesionistë. Kriminaliteti nuk mund të parandalohet dhe luftohet duke punësuar në polici persona që nuk kanë formimin e  duhur profesional, ligjor, me të drejtat e njeriut dhe aftësi komunikimi me publikun, sidomos ata që janë të ngarkuar me policimin në komunitet. Keqpërdorimi i policisë nga politika dhe emërimi i personave jo profesionistë si drejtues dhe punonjës që duhet të parandalojnë krimin, heqja nga puna e profesionistëve, transferimi i tyre nga pozicionet ku ata kanë përvojë dhe emërimi në fusha ku ata nuk janë të specializuar është dëmi më i madh që i është bërë policisë shqiptare. Pjesa më e madhe e investimeve të bëra nga misionet e huaja që kanë asistuar policinë shqiptare ka shkuar dëm, pasi personat janë hequr nga puna ose janë transferuar në sektorë ku japin më pak ose ku eprori i tyre është një person më pak i aftë se vetë ata. Ka mungesë totale transparence se çfarë bëhet me specialistët dhe drejtuesit e policisë, sa janë hequr nga puna dhe pse, sa janë transferuar, sa janë emëruar në funksione të larta drejtuese dhe cilat janë meritat e tyre profesionale etj..

A ka strategji për të parandaluar dhe luftuar krimin?

–  Edhe kjo qeveri ka miratuar disa strategji. Por, si në çdo fushë tjetër, edhe në fushën e luftimit dhe parandalimit të kriminalitetit, strategjitë mbetet shumë të bukura në letër, ose rezultatet e tyre maten me ligjet dhe aktet nënligjore të miratuara. Shumicës së strategjive të shkruara, edhe me asistencën e  huaj, i mungojnë treguesit sasiore dhe cilësore të matshëm dhe fatura financiare, ose shumë veprime përcaktohen si përgjegjësi e të gjithëve dhe në fakt janë e askujt. PS-ja, me ardhjen në pushtet, ka një program të detajuar lidhur me rivendosjen e rendit dhe sigurisë, parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit.

– Cilat politika favorizojnë, qoftë tërthorazi, qoftë edhe drejtpërdrejt krimin e organizuar?

– Kapja e shtetit nga krimi i organizuar është e keqja më e madhe që ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e kriminalitetit në përgjithësi dhe veçanërisht të krimit të organizuar, ligje dhe akte nënligjore të miratuara për të kënaqur kërkesat e klientëve pranë qeverisë në fushën e investimeve dhe prokurimeve publike, koncesioneve, në fushën e naftës dhe gazit  janë politika që ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e një klime ku lulëzon krimi ekonomik i organizuar, pastrimi i parave, korrupsioni. Nga ana tjetër, kjo situatë shqetësuese për Shqipërinë, ndikon në pabarazinë dhe krijimin e një klime ku krimi, përfshirë edhe atë urban lulëzon frikshëm dhe del jashtë kontrollit. Korrupsioni, paaftësia profesionale e punonjësve të ngarkuar me luftimin hetimin goditjen e krimit të organizuar bën që ai të marrë frymë lirisht dhe të bëjë ligjin në vend.

-Si e shpjegoni që ligji nuk zbatohet në proporcion më rrezikshmërinë e krimit dhe autorit?

– Ka shumë arsye, ndër të cilat mund të rendisë, kuptimin dhe zbatimit jo të njëjtë të ligjit, korrupsionin në radhët e punonjësve të drejtësisë, paaftësinë, presionin e politikës, etj.. Këto dhe shumë faktorë të tjerë bëjnë që disa persona të mos dënohen, pra, pandëshkueshmëria “të mbretërojë” dhe të tjerë të dënohen edhe për sjellje me rrezikshmëri më të vogël shoqërore.

– Sipas jush, përse 1/3 e çështjeve të lidhura me krimin që procedohet penalisht dërgohen në gjykatë? Dhe përse 1/3 e procedimeve penale pushohen dhe rreth 1/3  e procedimeve pezullohen?

– Studimi i statistikave zyrtare të prokurorisë tregon se këtë 8 vjet ka një tendencë në rritje, të numrit të procedimeve penale që pezullohen pasi nuk dihet autori, ose ai dihet dhe ka ikur në drejtim të paditur. Pak raste pezullimesh kanë të bëjnë me shkaqe shëndetësore të autori të veprës penale.  Mosgjetja e autorit të krimit ka të bëjë kryesisht me mungesën e profesionalizmit që në kryerjen e veprimeve të para të kërkimit, zbulimit dhe hetimit të krimeve, korrupsionin, bashkëpunimit i dobët të policisë me komunitetit për të mbledhur provat e krimit dhe marrë dëshmitë. Shumë çështje pezullohen për arsye nga më të ndryshmet. Unë do të doja të nënvizoja një shqetësim që lidhet me tërheqjen e ankimeve nga viktimat e krimit që gjenden të pambrojtura para drejtësisë dhe kërcënimeve të autorit të krimit, paaftësia për të gjetur prova për autorin dhe vërtetuar fajësinë e tij.

 – Suksesi i luftës kundër krimit është çështje vullneti politik, apo çështje e profesionalizmit të policisë?

– Të dyja. Vullneti politik materializohet në strategji, financime, ngritje institucionesh, krijimin e gjithë mundësive që institucionet të lihen të funksionojnë në mënyrë të pavarur, por nga ana tjetër, policia, prokuroria dhe sistemi i drejtësisë janë  institucione kryesore në zbatimin e këtyre strategjive, prandaj detyrimisht kërkohet edhe një me shumë profesionalizëm, mbështetje njerëzore dhe financiare dhe bashkëpunim  për zbatimin e strategjive që burojnë nga vullneti politik.

PS-ja, cilat masa do të zbatojë për t’u kthyer qytetarëve sigurinë për jetën?

Parandalimi dhe luftimi i kriminalitetit kanë nevojë për strategji afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjatë. Ka një sërë masash që përfshihen në programin e PS që synojnë kthimin e sigurisë për jetën, pronën dhe rendin, duke filluar nga zbutja e ndikimit të faktorëve që nxisim përfshirjen në krim dhe viktimizimin e popullatës, një polici profesionale, që i bindet ligjit dhe vetëm ligjit, e pavarur nga politika, e mirëvlerësuar dhe mirëpaguar. Padyshim, parandalimi nuk është vetëm detyrë e policisë, por edhe e institucioneve të tjera si prokuroria, gjykata, përfshirë familjen shkollën, shoqërinë, por policia ka detyrën e saj themelore ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Sistemi i drejtësisë, civil dhe penal janë një hallkë tjetër teje i rëndësishëm në parandalimin dhe ndëshkimin e krimit. Qytetarët do të jenë të barabartë para ligjit dhe kushdo që shkel atë, pavarësisht pozitës sociale, ekonomike do të dënohet. Parimi i pandëshkueshmërisë do të marrë fund. Do të investojmë që policia, prokuroria dhe sistemi i drejtësisë të jenë efektive, parandalues dhe ndëshkues ndaj krimit dhe të respektojnë liritë dhe të drejtat  e personave.

– Faleminderit!

 Krimi ka kapur  dhe nënshtruar shtetin

Krimi ka marrë përmasa të mëdha se nuk ka vullnet politik dhe profesionalizëm për ta goditur atë. Vullnet politik, nuk do të thotë bërja e deklaratave për tolerancë zero ndaj krimit, por kur realisht  shteti, pra policia ka aftësinë, kapacitetet njerëzore, materiale dhe financiare të tilla që mundësojnë një parandalim dhe një luftë efektive ndaj krimit; prokuroria procedon dhe heton me profesionalizëm dhe gjykata jep drejtësi. Gjithashtu, pandëshkueshmëria e funksionarëve të lartë, përfshirë ministrat, familjarë të tyre është inkurajim për njerëzit e krimit. Mosraportimi i krimit si rrjedhojë e frikës apo mosbesimit të publikut te drejtësia ndikon, gjithashtu, në rritjen krimit dhe mosdënimin autorëve të veprave penale.