Vasili: Vuçiç kundër NATO-s dhe Kosovës, ç’hall i madh e shtrëngon Ramën të bëhet njësh me të?!

795
Sigal

Samiti i mini-Shengenit Ballkanik që u mbajt javën e shkuar në Tiranë shkaktoi mjaft debate në botën shqiptare, ku nuk u kursyen edhe akuzat nga ana e Kosovës për tradhti ndaj kryeministrit Rama, ndërsa ky i fundit theksoi se me dritshkurtësinë e tyre, liderët politikë atje po e fusnin vendin në rrugë qorre.

Por nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili teksa shprehet se presidenti serb Aleksandar Vuçiç është kundër NATO-s dhe Kosovës, ngre pikëpyetjet se ç’hall i madh e shtrëngon kryeministrin shqiptar Edi Rama që të bëhet njësh me të.

“Vuçiç kundër NATO-s dhe Kosovës, ç’hall i madh e shtrëngon Ramën të bëhet njësh me të! Presidenti i Serbisë Vuçiç është shumë i qartë në qëndrimin e tij kategorik kundër NATO-s. Po ashtu, është shumë i qarte në qëndrimin e tij kundër Kosovës, të cilën e konsideron pjesë të territorit të vet. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Vulin ka deklaruar kohë më parë pa ekuivok: “Nuk di çfarë do të ndodhë kur Aleksandar Vuçiçi të mos jetë komandant suprem dhe kur ai të mos jetë President i Republikës. Ndoshta do të vijnë njerëz të tjerë, të cilët do të mendojnë ndryshe. Por, derisa ai të jetë Komandant Suprem nuk do të hyjmë në paktin NATO. Për këtë të mos ketë kurrfarë dileme dhe dyshimi”! “Gjithashtu jemi duke bashkëpunuar me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në kuadër të Traktatit të Sigurisë Kolektive. Këto vende nuk na kërkojnë të heqim dorë nga një pjesë e territorit”, është shprehur ai. Për Serbinë, NATO është praktikisht një organizëm armiqësor tek i cili as nuk duan dhe as synojnë të jenë pjesë e saj. Shqipëria është anëtare e NATO-s, kontribuese në të, dhe politikisht e ka konsideruar një drejtim themelor të patjetërsueshëm të politikës së saj. Ku e gjen veten Kryeministri Rama në këtë ndarje parimore diametralisht të kundërt me Vuçiçin për NATO-n. Serbia nuk e njeh Kosovën dhe e konsideron pjesë të territorit të saj. Shqipëria e ka një çështje themelore politike, strategjike dhe kombëtare raportin me Kosovën dhe njohjen e Kosovës prej shteteve të tjera, një nga objektivat qeveritare më të rëndësishme të politikës së saj të jashtme. Ku e gjen veten kryeministri Rama në raport me qëndrimin totalisht të kundërt dhe të egër të Vuçiçit ndaj Kosovës. Projekti që mbështet Rama përmes Minishengenit, sigurisht, është një projekt i errët antishqiptar. Mbështetja që Rama i jep Serbisë duke anatemuar Kosovën dhe liderët e saj, si dhe duke legjitimuar anashkalimin e Kosovës, pra faktikisht asgjësimin real të problemit të njohjes nga Serbia, është qartësisht tradhti ndaj saj. Çfarë ja ka mbyllur sytë Ramës që e imponon të veprojë në këtë mënyrë antikombëtare? Ç’detyrime e mbajnë lidhur Ramën, që e bëjnë atë të mohoje çdo parim dhe të vihet në krah të anti-NATO dhe anti-Kosovës? Në ç’borxhe ka hyrë Rama dhe të ç’lloji janë ato që e shtrëngojnë në fyt dhe e detyrojnë të sillet si tradhtar i interesave të Kosovës dhe Shqipërisë? Cilit projekti i shërben Rama që e bën atë të harrojë qëndrimin e egër anti-NATO dhe anti-Kosovë të Serbisë, dhe të pranoje gjithçka duke ju kundërvënë të gjithë shqiptarëve, nga Tirana në Prishtinë? Ka mjaft përgjigje të cilat kuptohen dhe mjaft të tjera, që koha dhe institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë do t’i zbardhin në mënyrë të pashmangshme…. kësaj Rama nuk i shpëton dot në asnjë mënyrë”, shprehet në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.