Vasili, letër Xhafës: Po rrezikoni koalicionin

452
Zbulimi i hapit të fundit që ka bërë dje Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit Vitoria Nuland, e ka gjetur të papërgatitur, duket edhe të përjashtuar LSI-në, aleaten e PS-së. Një gjë e tillë mësohet pas një letre që kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, njëherazi edhe anëtari i komisionit të reformës në drejtësi, Petrit Vasili, i ka dërguar kryetarit të këtij komisioni, socialistit Fatmir Xhafaj. Në letër Vasali i kërkon Xhafajt të njihet me variantet e propozuara dhe që po negociohen. Midis rreshtave të letrës së Vasilit, nuk mungojnë edhe dozat ironike, kur ai i “kërkon” Xhafajt që edhe në se këto negociata janë konfidenciale, ai të informohet…”

Ja letra e plotë e Vasilit

Reforma në sistemin e drejtësisë ndodhet aktualisht në momentet e shqyrtimit e miratimit parlamentar në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë. Siç është bërë e njohur edhe në punimet e Komisionit, që Ju drejtoni në cilësinë e Kryetarit të këtij Komisioni, krahas dakordësisë së gjerë për shumë çështje, qoftë të karakterit të ndryshimeve kushtetuese ashtu edhe të ligjeve, që rrjedhin si pasojë e këtyre ndryshimeve kushtetuese, ka dhe disa momente për të cilat nuk është gjetur mirëkuptimi mes maxhorances dhe opozitës në këtë komision. Për këto çështje, siç dihet, opozita nuk është më e pranishme në punimet e komisionit të posaçëm, i cili ndërkohë po vijon punën e tij. Gjatë punës në komision si edhe në takime me përfaqësues ndërkombëtarë të përfshirë në çështjen e reformës në sistemin e drejtësisë është folur për negocime të disa varianteve konkrete për gjetjen e mirëkuptimit mes maxhorancës dhe opozitës lidhur me çështje të mbetura pezull e sidomos çështjes së procesit të rivlerësimit (Vetingut). Si anëtar i komisionit të posaçëm të reformës në sistemin e drejtësisë kërkoj nga ju të informohem konkretisht lidhur me këto variante zgjidhjeje; të cilat po negociohen, pasi kjo është një domosdoshmëri politike dhe parlamentare si dhe detyrim i imi edhe në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të LSI për të informuar grupin parlamentar, si dhe për të formësuar një qëndrim politik e profesional të argumentuar lidhur me to. Në se ky negocim është tërësisht konfidencial dhe është e pamundur për të më informuar konkretisht për të dhe variantet konkrete që diskutohen, ju lutem më informoni edhe për këtë. Duke vlerësuar mirëkuptimin reciprok edhe personal me ju, mendoj se komunikimi institucional është një domosdoshmëri për të ecur me dimensionin e transparencës, që i hap rrugën zgjidhjeve të problemit, si dhe ndihmon në çuarjen përpara të procesit të reformës në sistemin e drejtësisë, si dhe të ndërgjegjësimit të përgjegjshëm për hapat dhe zgjidhjet e ndërmarra.
Sigal