Sigal

Vëllezër dhe motra. Jam i lumtur t’ju thërras vëllezër e motra sepse në LSI ka pasur vetëm vëllezër dhe motra, nuk ka pasur armiq. Këto racat e tjera jua kemi lënë këtyre që janë në pushtet. Vëruani emrin çfarë të doni, unë ju them ‘majmunë’, se s’kam çfarë i them.

Problemi që kemi përpara është shumë i thjeshtë. Znj. Kryemadhi tha: qeverisja, Kryeministri. Ne nuk kemi qeverisje, nuk kemi Kryeministër, kemi armik të popullit, pasi vetëm një armik i rreh njerëzit e thjeshtë, vetëm një armik i vjedh njerëzit e thjeshtë, vetëm një armik i përçan njerëzit e thjeshtë. Një mik i tyre bëhet pjesë e hallit të tyre dhe falë pushtetit ua zbut dhimbjen. Vetëm një armik mund ta bëjë këtë gjë dhe prandaj duhet trajtuar si i tillë. Prandaj, që kur jemi krijuar 14 vjet më parë, kushdo që është shfaqur si armik i popullit ka qenë armiku ynë, i papajtueshëm sot e mot.

Ka vajtur dhe i rreh njerëzit e Unazës së Re, i shkel me këmbë. Kush i shkel? Po u them edhe diçka tjetër që të mos e harroni kurrë, një frikacak. Mbajeni mend këtë që po ju them. Nuk keni parë dhe s’keni për të parë frikacakë më të mëdhenj. Rri me kriminelët se do të trimërohet me ta, vë Policinë përpara se do të trimërohet me ta. U vë dhe u mban fjalime siç mbante ky derdimeni që kanë vënë ministër të Brendshëm. I trimëronte me fjalime këta. Po kë trimëronte me fjalime? Ku do venin këta? Kë do luftonin këta? Me kë do e bëjnë betejën këta? Me popullin, me njerëzit e thjeshtë? Do marrin burrë e grua dhe do lënë rrugëve fëmijën 7 vjeç që nuk e dinë ku është dhe zhduket? Ky është mik i popullit? Ky është armik i popullit.

Këtij i ikin 79 për qind e të rinjve. S’ka problem thotë ky. Kështu ndodh në të gjithë botën. I ikin 80 për qind e mjekëve. Kështu ndodh në gjithë botën thotë. Fëmijët e mitur nga 7 deri në 14 vjeç po ikin nëpër Evropë, po i përdorin për trafik organesh dhe për shumë e shumë krime të tjera. Kështu ndodh në gjithë botën. Ky zuzar që thotë që kështu ndodh në gjithë botën, që po shkretohet Shqipëria, këtë do mbajmë kryeministër ne? Po kush mund të tërhiqet përpara kësaj beteje? Cili është misioni ynë? Ne të gjithë këtu kemi një mision. E kemi më të qartë se çdo herë tjetër, se çdo betejë tjetër që e kemi bërë në këto 14 vjet. Kemi bërë shumë beteja, edhe të pabarabarta, në të gjitha ja kemi dalë, në të gjitha kemi mbijetuar. Të tërë ata që lëshuan mallkime ndaj nesh, surratit u është kthyer se nuk patën ç’na bëjnë. Por sot e kemi shumë të thjeshtë. Do u shpjegojmë secilit, gjithë sa jemi këtu, por edhe plot e plot që nuk janë këtu, t’u themi që kemi përballë një armik dhe ata që kanë një moshë të caktuar do ta bëjnë për fëmijët, për nipat, për mbesat. Ata që anë të rinj do ta bëjnë për të ardhmen e tyre. Ta çlirojmë Shqipërinë nga armiku. Asnjë hap prapa s’mund të bëjmë. Po bëmë një hap prapa do të thotë të kemi këmbën e sunduesit, të pushtuesit brenda korridorit të shtëpisë sonë. Brenda shtëpisë sonë jemi vetëm ne. Asnjë këmbë s’mund të futet. Ai do ta fusë edhe atë.

Siç e keni parë, e kam shkruar edhe dje. Ky ka dy cilësi të vërteta, këtë nuk ja mohoj dot, që është gënjeshtar dhe antishqiptar. Këto i ka me meritë, nuk ia kemi zili, i ka si asnjë tjetër. Për gënjeshtar e keni parë ditë për ditë videot që dalin. E tha shumë mirë Endrit Braimllari, edhe Enver Hoxha të ngrihet nga varri, nuk do jua prishim shtëpitë. Enver Hoxhës i merr të keqen, sepse Enver Hoxha kur shpronësonte u jepte njerëzve shtëpi. Ky është më i lig se çdo diktator. Ky e merr gënjeshtrën dhe u thotë: Ju e keni ndërtuar me gjak. Djersa dhe gjaku juaj atje është prandaj dhe s’keni lekë të tjera dhe jeni pa punë. E dinte mirë në 2013-n kur donte të merrte votat. Tani që ky i ka marrë votat thotë që ata paskan nga dhjetë biznese. Dolën sikur janë të gjithë Berluskonëra ata, ndonëse janë njerëz hallexhinj dhe fukarenj. Pra, asnjë gjë s’do tu bëjnë shqiptarëve. Derë më derë, po u lutem si vëllai – vëllait dhe si njerëz të afërt po u them: merreni këtë mision: Kemi një gënjeshtar dhe një armik të popullit dhe duhet ta trajtojmë si të tillë.

Unë kam pasur mundësinë të flas në këtë foltore shumë të nderuar të LSI-së dhe gjithë jetën do ta quaj një favor shumë të madh që më jepet kjo mundësi gjithmonë të komunikoj me njerëzit. Kemi kritikuar qeveritë, edhe kryeministrat me të cilët kemi qenë përballë, për gabime, për të meta, për gabime më të rënda në momente të caktuara, por ishin kryeministra kundërshtarë, por ky është armiku, e dallon nga gjithë të tjerët. Mos harroni! Është thjesht një armik, sepse ky e urren popullin e tij.

Ky e di shumë mirë që vetëm nuk i fiton dot kurrë zgjedhjet dhe është shumë i lumtur që të ikin shqiptarët nga Shqipëria që të ketë mundësi ky që të mbeten në dorë me njerëz këtu dhe me ta të fitojë zgjedhjet. Pasi e di shumë mirë që nuk ka një shqiptar të vetëm që të besojë një mashtrues që ditën për diell thotë: e thashë dhe të nesërmen thotë si idiot: Nuk e thashë.

Kështu që vëllezër dhe motra unë nuk do t’ju marr asnjë sekondë kohë më shumë. Për çfarë arsye? Kohën më të madhe na presin qytetarët. Ka plot njerëz të cilët i ka pllakosur varfëria e madhe. Fjala jonë është shpresë, është optimizëm. Ka plot njerëz që me shumë të drejtë mendojnë të ikin nga Shqipëria, por nuk ikin dot. Pra, duan të ikin, nuk ikin dot dhe bashkëjetojnë me ankthin e ditës. Duhet të jemi ne shpresa e tyre dhe duke qenë të tillë do bindeni që ajo që me shumë të drejtë, 100 për qind të drejtë, Monika Kryemadhi tha: Nuk do të jemi 54 mijë, por do të jemi 540 mijë. Faleminderit të gjithëve.