Vangjush Saro/ 1 Maji nuk ka nevojë për slogane por për të drejta, barazi dhe goditje të trafikut, prostitucionit dhe hashashit

613
Sigal

1 Maji s’do bujë, do të drejta

Prej kohësh, 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, nuk i pranon më sloganet dhe fjalët e bukura. 1 Maji ka nevojë për të drejta, jo për slogane fiktive. Fakti është që një premtim i hershëm i socialistëve për të hapur 350 vende të reja, tani duket si ndonjë përrallë e rrëfyer përmes një humori të zi; punësimi ka qenë në shifra të ulëta. Disa studime e sondazhe të organizuara nga ente të ndryshme, na kanë treguar se një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë janë tejet të pakënaqur, ëndërrojnë dhe përpiqen të gjejnë alternativë diku gjetkë. Për më tepër, ka disa kohë, po formulohen kritika gjithnjë e më të ashpra kundër kufizimit të lirisë dhe sigurisë së punës e të jetës. Tatëpjeta nuk ndalet me slogane dhe gënjeshtra.

1 Maji është dita kur ne sërish e sërish themi me gojën plot: Nder Punës! Kush nuk e vlerëson apo përpiqet t’i devijojë termit, e di vetë situatën e tij a të rrethit shoqëror ku bën pjesë; kjo jetë ofron vend për soj-soj alternativash. Kush e ka tjetërsuar punën në veprimtari të jashtëligjshme: hashash, prostitucion, trafik emigrantësh, etj., ushqen temën në të cilën përplas kokën ndonjë naiv, se qeveritë dhe politikanët nuk trazohen fort, madje këta të fundit, ndonjëherë, dalin… shokë me ata që përqeshin punën. Ndodh që iu japin licensa, i lajmërojnë kur i kanos dikush, i sjellin edhe në Parlament, shkëmbejnë ndere me ta. (“S’ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe…” Hegel)

1 maji është pjesërisht historia jonë e dhimbshme, e ndërlikuar, por asnjëherë mjaftueshëm njerkë zhgënjimesh dhe shpresash të humbura. Nuk do të përfitoja nga këto radhë, për t’u tallur me parakalimet dhe ‘festat’ e dikurshme, sikundër bëjnë një shumicë, ndërkohë që ishin ata më të përkushtuarit e që bërtisnin më shumë përpara tribunave… Besoj se në këtë bisedë, janë të humbur vetëm ekstremistët; të çdo pale qofshin. E shoh të shkuarën dhe të sotmen në një tragë përvoje, nga duhet të mësojmë; s’ka rëndësi nga cila kohë më shumë. Më në fund, bëj pjesë ndër ata që thjesht vlerësojnë punën, djersën, gjakun, jo shkallimet e liderëve (të çdo kohe) apo të shërbyesve prokomunistë, që tani bëjnë si disidentë e si modernë…

Puna i bëri prindërit tanë kokulur e të pajtueshëm me fatin e tyre; edhe pse gëzimet i patën shumë të pakta, ndërtuan një vend që ndryshoi, përparoi, paçka se disa e kanë gjetur dhe e gjejnë veten atje, kurse të tjerë jo. Puna e mijëra dhe mijëra njerëzve, të lirë apo të burgosur – për idetë, për shkaqe familjare apo për arsye të tjera private, deri banale – e shndërroi vendin, e rriti në disa sektorë, për aq sa mund të bëhej në kushte izolimi dhe ëndrrash me slogane. Puna, sidomos në disa dekada shtrëngese, na çoi në moshën më të bukur – mbase mund të them treçerekun e rinisë shqiptare – fshatrave më të largët të vendit, në kushte të vështira, ndonjëherë të padrejta e për shumë kohë. Por ani, njëfarësoj, ishin misione që lanë gjurmë në edukimin e brezave; dhe në këtë pamje, e pranoj, sërish një pjesë e kanë gjetur dhe e gjejnë veten, kurse një pjesë tjetër jo. (Pa problem. Do të vijë koha dhe do të qasemi të gjithë te pamja reale, e pazbukuruar, thënë ndryshe as e mohuar, as e duartrokitur më shumë nga sa e meriton.)

Më në fund, puna ka përcjellë gjysmën e shqiptarëve nëpër botë: në Greqi, Itali, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Kanada e gjetkë, ku punojnë, janë afirmuar në një sërë fusha, duke i dalë zot fatit të tyre dhe duke mbjellë farën për brezat që vijnë. Natyrisht, le të mos e zmadhojmë problematikën aktuale, punohet edhe në Shqipëri, në një numër të gjerë biznesesh: ndërtim, rrugë, ferma, arsim, shëndetësi, medie… Por të rrimë me këmbë në tokë; tri dekada duhej të kishin treguar më shumë në këtë temë. Për më tepër, ‘Rilindje’ nuk pamë. (“Asnjëherë nuk mund të jesh i kënaqur atje ku je…” Ekzyperi)

1 Maji ka qenë në kujtesën e të gjithëve njëlloj feste; për fat të keq, ende konceptohet si e tillë, sado që çdo vit tregohen histori pune e përndjekjeje, duke filluar nga ato më të vjetrat, pastaj balada Sako e Vanceti e, më tej, përplasjet për të drejta e kushte pune, vuajtjet për përmbysjen e regjimeve autoritariste, pa lënë jashtë kritikave dhe zhgënjimeve edhe sistemin kapitalist apo siç përpiqen ta zbukurojnë tani, rendin demokratik. Të mësuar me slogane, edhe ne shqiptarët harrojmë ndonjëherë që kjo ditë është për të kujtuar punën dhe për ta vënë atë mbi baza drejtësie, kontratash e ligjesh. Kjo ditë është për të formuluar pyetjet në lidhje me papunësinë dhe punësimin, në lidhje me mirëqenien dhe minimumin jetik, në lidhje me rolin e Sindikatave, që përgjithësisht nuk kanë shkruar histori për t’u kujtuar a marrë shembull dhe që duhet të ndryshojnë qasje, ashtu si e tërë politika. (“Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve.” V. Hygo)

1 Maji nuk ka nevojë për slogane, por për të drejta. Ul papunësinë, lufto abuzimet, mos mbaj afër kasta dhe mbro konkurencën e ndershme, konfirmo kontratat dhe sigurimet, redukto orët e punës si vendet më të përparuara, mos guxo të kthehesh prapa në të drejtat njerëzore dhe në akorde të tjera të fituara tashmë nga shoqëria shqiptare. Është e thjeshtë, por do inspirim dhe ndershmëri; këto nuk se janë sheshit. Kështu, përballë detyrimeve, provave, nuk vlen asnjë slogan, asnjë fjalim politik, asnjë premtim, sot dhe në të ardhmen. Abuzimet filluan te rrugët e kullat dhe vazhduan e vazhdojnë me ‘reformat’ shëndetësore, deri edhe me pasaportat dhe kartat e eidentitetit. (“Të besosh në progresin, nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.” F. Kafka)

Për sot, edhe njëherë: Lavdi punës!