Valentin MACAJ/Burgjet janë ndryshimi “përpara”!?

507
Sigal

Heshtja shtetërore pas skandaleve të njëpasnjëshme në drejtorinë “bunker” të burgjeve, shton akoma më shumë akuzën publike që ky institucion është i kapur nga klane të rrezikshme mafio-politike, të cilat me ccdo mënyrë e veprim duan të shtyjnë pushtimin deri në zgjedhjet e Qershorit.

Nuk është pak, por gati një muaj që skandalet ndjekin radhën në Drejtorinë e Burgjeve  duke filluar me “shefin” e drogës që kapet në Itali e që ishte me “leje” të miratuar nga eprorët, duke vazhduar me policinë e burgut Durrës, dënuar nga drejtësia italiane por që këtu në vendin  e “ëndrrave” me anë të “zarfit” del i pastër dhe në dëshminë e penalitetit, policin që drejtonte një grup grabitësish në Lezhë, e shumë raste të tjera që janë bërë publike.

Ka 5-vjet që Sindikata ka ngritur me shqetësim problemin e rekrutimit të stafit pa pasur bazë njohje për të shkuarën e tyre penale në emigracion, por si gjithnjë “bunkeri-burgjeve” ka vazhduar me trashjen e shkeljeve. Sindikata dyshon se në stafin policor të burgjeve ka persona që vijnë nga bota e krimit të organizuar dhe që me anë të “zarfit të mbyllur” kanë gjetur shtegun e duhur për të hyrë në radhët e uniformave blu.

Skandali tjetër, ai i policëve-fals që “u zbuluan” në burgun e F.Krujës është vetëm maja e ajsbergut në gjithë atë armatë punonjësish që për hir të një vote apo të një zarfi “të mbyllur” kanë vënë në “sedër” drejtuesit e mëdhenj, të cilët kanë “vulën” në këtë linjë punësimi falsokratik. Duke filluar nga zyrat e burimeve njerëzore, deri me dërgimin në Drejtorinë e Burgjeve të dosjeve personale për çdo kandidat-polic, është një rrugë e hapur për abuzime dhe korrupsion në shkëmbim të një vendi pune. Nuk janë të pakta rastet kur policët i janë ankuar sindikatës për korrupsionin që ekziston në rastet e emërimit dhe të ndryshimit të vendit të punës brenda burgut. Për një vend në “grupet e sigurisë” apo në “grupet e shoqërim-transferimeve” kërkohet mik-deputet ose “zarf i mbyllur” dhe pa asnjë droje largojnë policin e aftë duke e zëvendësuar me “të aftin e zarfit”.

Në çdo burg gjenden falsokratë që kanë veshur uniformen e policit dhe që vazhdojnë të shtyjnë ekzistencën e tyre në dëm të ligjit dhe zbatimit të tij duke qenë kontingjent rezervë për fushatat elektorale. Nëse “SHKBB” do të vazhdojë punën e saj “të pavarur” në hetimin e çështjes pranë çdo burgu, atëherë numri 13 i falsokratëve të F.Krujës do të shumëzohej me 20,  e ky do të ishte skandali i vitit në një institucion të rëndësisë jetike, siç janë burgjet.

Rastet e mësipërme duke i shtuar edhe shkeljet në të drejtat sociale për punonjësit, e kanë kthyer DPBurgjeve në njërën prej hallkave më të errëta të shtetit shqiptar. Shtojmë këtu edhe cilësimin në dy progres-raportet e BE për Shqipërinë lidhur me të drejtën sindikale.

Zëri i sindikatës dhe protesta e ligjshme në mbrojtje të antarësisë dhe të drejtave të saj ligjore kanë shtuar “grumbullin” e ndalesave demokratike që Shqipëria aplikon nën petkun e një qeverie “aspiruese” për në BE.

Siç nuk ndodh në asnjë shtet europian dhe demokratik në botë, qeveria mjaftohet vetëm me pagën mujore të gardianëve, duke aplikuar ndalesën në pagesën e vështirësisë, vjetërsisë në punë, transportin, trajtimin ushqimor, orët suplementare dhe gatishmërisë në ditët e festave, pa harruar mos marrjen e “pagës së 13-të”, mungesën e uniformave policore që prej 5 viteve. Policia e burgjeve është shërbimi më i keqpaguar dhe keqtrajtuar në rajonin ballkanik e mesdhetar…! Standardet minimale europiane janë mollë e ndaluar për gardianët e burgjeve, të cilët punojnë e trajtohen në mënyrë  ç’njerëzore.  – Po, kush mban përgjegjësi për këtë situatë kaotike në burgje?? – Deri më sot asnjë titullari burgjesh apo drejtuesi të ministrisë së linjës, nuk i është “tërhequr” veshi, përkundër skandaleve e shkeljeve të ligjit në drejtimin e burgjeve!

Aspak qeveria nuk ka ndërhyrë për të ndëshkuar shkaktarët e situatës së krijuar, ajo thjesht ka bërë avokatin ndaj vartësve të saj duke dalë në mbrojtje të “bunkerit” drejtues të burgjeve! – Dhe kur shteti mbron padrejtësisht vartësit e saj , kujt ka ngelur t’i drejtohemi që të marrim përgjigjen ligjore për gjendjen e burgjeve!? –  Çfarë mund të presim nga kjo qeveri, nëse fondet e tenderit për uniformat e policisë së burgjeve kanë shkuar në faturat e CEZ-it !?  Kush na bind që uniformat e policisë së burgjeve nuk i ka “marrë” CEZ-i?

– Nëse për maxhorancën “burgjet janë ndryshimi”, atëherë  kurrë mos shkoftë “përpara”!

*Kryetar i Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë