Ushtaraku nga Elbasani deklaron: “Tuneleve me kallashnikovë po u del fundi”

436
Sigal

 

Skandali trondit sërish Ministrinë e Mbrojtjes

 

 

Maksim TUFA

Pavarësisht se
hashashi ka marrë “famë” dhe duket sikur gjithë vëmendja e shtetit, partive
politike dhe medias është zhvendosur tek bima që të bën milioner brenda muajit,
një tjetër skandal po shkatërron edhe atë pak ushtri, që ka mbetur akoma në
Shqipëri. Nën pretekstin gjoja “për demontim”, tunelet e ushtrisë në çdo cep të
vendit, po boshatisen me urgjencë nga municionet dhe veçanërisht nga
kallashnikovët dhe po nisen në “drejtimin e (pa)ditur”. Një burim i sigurt që i
referohet një ushtaraku nga Rajoni Ushtarak i Elbasanit i tha “Telegraf” se “prej
3 vitesh gjendemi në kaos dhe pas gjithë atyre problemeve me të cilat jemi
ndeshur. Po krijohet një klimë presionesh dhe terrori psikologjik tek ne, duke
nisur nga gjoja reformat  dhe rekrutimet
e reja, që janë një skandal i madh, shefat lart  kanë nisur me urdhër po nga lart, boshatisjen
e të gjitha tuneleve edhe nga kallashnikovët, duke krijuar linja paketimi  në pikat tona për t’i reklamuar  ato si “të reja”, dhe duke mbushur maunet që
nuk pushojnë ditën dhe natën, madje edhe të shtunave dhe të dielave, duke
vajtur për shitje, kur ne e dinim se shkonin për demontim në Uzinën e Mjekësit  apo Çekinit në Gramsh”. Sipas ushtarakut nga
Elbasani “bëhet fjalë për mijëra e mijëra kallashnikovë të cilët hiqen nga
arkat e vjetra që mbajnë stampën “Made in BRSS” ose “Made in China” dhe paketohen
me kuti kartoni, të cilat kanë ardhur posaçërisht nga Bullgaria për paketim
armatimesh. Por ajo që ne si ushtarakë na habit është fakti se, askush nuk
thotë dhe nuk shpjegon, se si ka mundësi që boshatisen tunelet e ushtrisë pa
patur dokumentacion të saktë dhe fletë-hyrje apo fletë-dalje, sikur të ishin
bajga lopësh në stalla. Si ka mundësi që gjithë ai mall, që dikur u ble me
paratë e shqiptarëve, sot shitet sikur të ishte mall belik, mall pa zot, dhe
askush nuk mban përgjegjësi, sepse edhe kur ndonjë ushtarak merr guximin  dhe flet apo pyet, ai përndiqet, qarkullohet
diku larg në male apo dhe largohet nga puna, sikur të ishte bari pylli”.

Presioni ndaj ushtarakëve

Duke e pyetur
mbi sasinë që ka mbetur akoma në tunele, ushtaraku tha se “tuneleve edhe pak
dhe do t’u dalë fundi, por ama do të mbushin thasët me miliona të atyre që nuk
kanë asnjë ditë të vetme  kontribute në
ushtri, dhe e vetmja meritë e tyre është, se janë ushtarë të Rilindjes, dhe që
në këto 3-4 vjet i dhanë grushtin e fundit strukturave të ushtrisë shqiptare”. Ushtarakët
në Shqipëri, gjenden nën presionin e drejtuesve të paaftë, e drejtuesve
servilë, të atyre që për hir të një grade të blerë, dhe jo të fituar, atyre që
për hir të një posti, janë gati të bëhen edhe roje hashashi vetëm të mbajnë
vendin e punës. Kjo situatë ka degraduar moralin e ushtarakëve profesionistë,
të cilët janë kthyer në kukulla dhe robotë të komanduar nga militantët e
Rilindjes, që duke ardhur nga rruga, janë graduar nga rreshter e tetar, në
togerë dhe kapitenë, pa njohur as gjërat më elementare të ushtarakut, që sot
është pjesë e NATO-s. Dhe përpos kësaj, duket se thellimin e skandaleve e
qartëson procesi i “demontimit” të armatimeve, ripaketimi i tyre, dhe shitja në
tregje të panjohura dhe të pa deklaruara të paktën verbalisht. Ushtaraku tha se
“një pjesë e municioneve shkon në uzinat e demontimit, por edhe një pjesë e
kallashnikovëve të ndryshkur, pasi pjesa tjetër shkon për shitje ndoshta në
vendet e tjera ku kanë nisur dhe vazhdojnë luftërat civile, por ama detyra e
shtetit, dhe dikasterit është t’i bëjë transparente gjithë procedurat, dhe jo t’i
mbajë të fshehta, sikur ne të ishin koloni, dhe jo shtet i pavarur  me ligje dhe kushtetutë, ndaj dikush duhet të
mbajë përgjegjësi”.