Bushati: Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, në rrugë të mbarë

672
Shqipëria dhe Greqia janë në rrugë të mbarë në zgjidhjen përmes dialogut të mosmarrëveshjeve që shqetësojnë të dyja vendet dhe kësaj fryme i shërbeu edhe takimi Rama-Tsipras në Nju Jork. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, e vlerësoi këtë takim si të frytshëm.
“Ishte një takim i frytshëm, një takim njohës dhe u zhvillua në frymën e mirëkuptimit dhe besojmë që shtron mundësinë për një kontakt edhe më të thelluar në nivelin e dy kryeministrave, që është mjaft i domosdoshëm për të adresuar çështjet mes dy vendve”, tha Bushati.
Në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës ndodhen në mes çështje si kufiri detar dhe ligji i luftës.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë do t’i konsideroja të mira, por jo aty ku ne do të dëshironim që këto marrëdhënie të ishin. Besoj që është edhe një shqetësim i palës greke për të identifikuar rrugët që do të përmirësonin edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Ka patur zhvillime pozitive gjatë kësaj periudhe, siç ishte adresimi i çështjes së toponimeve dhe riaktivizimi i komiteteve të përbashkëta”, thotë Bushati.
Ministri i Jashtëm shqiptar foli edhe për fluksin e emigrantëve. Ai tha se Shqipëria është një vend me kapacitete të kufizuara për pritjen e tyre, por shtoi se po punohet bashkë me organizata dhe shoqata ndërkombëtare për të gjithë skenarët e mundshëm, njëri prej të cilëve është edhe ai se me ardhjen e dimrit, vala e emigrantëve do të zhvendoset nga Ballkani Qendror drejt Perëndimit, ku moti është më i butë.
Sigal