Ardhja e Nikollë Dedës në krye të Urdhrit të Stomatologut dhe mënyra e drejtimit të tij të këtij institucioni ka shkaktuar jo pak pakënaqësi mes stomatologëve shqiptarë. Puna e parë që ai bëri, ishte shtrenjtimi i tarifës së rilicensimit me gati 6 herë më shumë.
Pra, nga 2400 lekë, që ishte deri në vitin 2015, ajo shkoi në 12.000 lekë të reja. Dhe po të llogaritësh numrin e dentistëve në të gjithë vendin, ajo natyrisht që është një shumë e konsiderueshme, të cilën shteti i detyron me ligj që t’ia paguajë një OJF-e, e cila nuk ofron asnjë shërbim.
Në fakt, ende nuk dihet tamam se çfarë roli luan urdhri i stomatologut. Në parim duhet të ishte mbrojtja e të drejtave të anëtarëve të tij, por duket më shumë si një institucion, që është ngritur vetëm për të marrë të ardhura dhe për të mos kthyer asgjë në shërbim. Më ironikja është se licenca e stomatologut lëshohet nga komisioni shtetëror i licencimit, por pas një viti duhet miratimi i Nikollë Dedës për të bërë të mundur riaktivizimin e saj.
Dhe stomatologët nuk duhet të paguajnë vetëm për licencën, por dhe për çdo trajnim, apo konferencë që organizohet nga ky institucion, me tarifa të konsiderueshme. Në rast të kundërt, pra po të mos paguash në institucionin e Nikollës, atëherë nuk është çudi që të lëshohen në kurriz tatimet dhe të gjitha institucionet e kontrollit të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat mund të çojnë deri në mbyllje të aktivitetit.
Po ku shkojnë të ardhurat që mbledh ky institucion. Kryesisht shkojnë për paga dhe duket se vetë Nikolla është fans i pagës së lartë, pasi si president ai rezulton me pagë të deklaruar prej më shumë se 215 mijë lekë të reja. Vartësit e tij kanë paga që variojnë nga 90 deri në 150 mijë lekë të reja në muaj. Këtu nuk llogariten dietat, shpenzimet e karburantit, udhëtimet jashtë vendit e të tjera. Por vetëm pagat.
Por natyrshëm lind pyetja: Çfarë ka bërë ky institucion në mbrojtje të interesave të anëtarëve të tij, përveç se ka vjelë tarifat vjetore. Nga një kërkim i shpejtë, na rezulton se i vetmi aktivitet i tij ka qenë një qokë për një të afërm të kryeministrit.
E dyta ka qenë një propozim i marrë për dyfishimin e tarifave të shërbimit dentar, dhe që këtë ta sanksiononte me ligj, duke harruar se jetojmë në një ekonomi tregu ku çmimet i vendos tregu dhe jo urdhri i Stomatologëve.
Ndoshta ka ardhur koha që këto lloj urdhrash të futen në sitën e organeve shtetërore. Antarëve të tyre, ata nuk u japin asnjë shërbim, përveç se janë institucione parazitare, të cilat nuk i kontrollon kush. Në rast se licensat lëshohen nga Komisionet Shtetërore, është absurde që të ketë dhe një institucion tjetër për rilicensimin.
Ato tarifa që shkojnë në xhepin e Nikollës, apo të tjerëve si ai, fare mirë mund të shkonin për rimbursim të shërbimeve për familjet e varfra dhe s’ka pse paguhen individë që nuk bëjnë asnjë punë, përveç freskut për pushtetin e radhës.