Unioni i Prokurorëve, Manjani: Zbardhni dosjen e çdo zyrtari që abuzon, qoftë edhe ministër

545
Ministri i Drejtësisë ka marrë pjesë sot në një tryezë të organizuar nga Unioni i Prokurorëve për reformën në drejtësi. Nga ky takim, Manjani nga njëra anë ka dalë në mbështetje të prokurorëve por nga ana tjetër u ka përcjellë edhe kritika. Ministri i Drejtësisë u ka bërë thirrje prokurorëve të zbardhin dosjen e çdo zyrtari, ministri apo çfarëdo qoftë dhe të luftojnë si krimin në rrugë, ashtu edhe në zyrën e shtetit.
“Është kënaqësi që jam sot në këtë organizim i komunitetit të juristëve. Organizim i domosdoshëm dhe besoj që është shumë i veçantë sepse momenti është i veçantë. Në axhendën e shtetit shqiptar është sot reforma më e thellë e shtetformimit sepse nevoja për reformë është shumë e madhe. Drejtësia penale është pjesë e kësaj reforme të thellë që duhet ta bëjmë bashkë. Pikëpamja ime e padiskutueshme që çatinë e shtëpisë do ta rregullojë vetëm banori i shtëpisë. Ai e di ku pikon. Jo se ne nga jashtë nuk do të ndihmojmë por është e rëndësishme të komunikojmë bashkërisht. Koha është, i gjithë mjedisi publik është përgatitur tashmë duhet veprimi”, ka thënë Manjani.
Ministri ka kërkuar prokurorë aktiv që i dalin zot hetimit. “Të nderuar prokurorë ju jeni përditë në detyrë, firmosni urdhër-arreste, akuza jeni në përballje me elementë kriminalë. Nuk kam ndërmend të hyj në retorikë publike me asnjërin prej jush për sa kohë jeni në detyrë. Kam shprehur mbështetjen për të gjithë prokurorët që vazhdojnë detyrën në përputhje me ligjet. Duhet ta çojmë më para këtë punë. Na duhet një prokuror aktiv, që të jetë zot që në fillim të hetimit. Jo të hyjmë tek sekretari i prokurorit. Dosja hetimore është më sekret në gazetë se në prokurori. Nuk është faji juaj, por i sistemit hibrid që në një shoqëri si e jona nuk funksionon. Mbetem përkrahës i homogjenitetit në gjykimin penal. Nuk kemi pse t’i vendosim vetes afate që në filan kohë do ndodhë një gjë”, u shpreh ai.
Manjani ka dhënë mesazhe të qarta për prokurorët. “Zbardhini dosjen dhe bashkë me të dhëmbët çdo zyrtar që abuzon! Po, patjetër, ministër apo çfarëdo qoftë ai ose ajo! Nëse prokurorët stepen para abuzuesit, nuk ka reformë që i bën fajde kësaj gjëje. Bashkë duhet të ndërtojmë sistemin dhe duhet ta qepim këtë sistem që të mos rrjedhë asgjë. Por ju lutem shumë edhe brenda sistemit jepni përgjigje proporcionale krimit. Nëse ka patur kritikë ndaj jush, ka qenë krimi në rrugë dhe krimi në zyrën e shtetit duhet të ndëshkohet, nga unë i pari që po flas. Pikë mbaroi. Po bëri këtë prokuroria besoj e ka zgjedhur çështjen e besimit. Nga kjo pikëpamje unë si Ministër i Drejtësisë kam qenë dhe mbetem përkrahës i kësaj prokurorie. Dua t’ju përgëzoj, dua t’i uroj unionit tuaj jetë të gjatë, punë të mbarë! T’i uroj mirëseardhjen në mjedisin publik, sigurisht jo të na i thoni sekretet hetimore, jo se nuk i duam, se vdesim nga kurioziteti por kjo nuk është rruga ligjore. Të arrijmë në vendime të mira të përbashkëta”, deklaroi Manjani.
Nga ana tjetër kreu i Unionit, tha se kjo tryezë është mbledhur me qëllim që brenda pak ditësh të japë mendimet për reformën në drejtësi.
“Unioni është këtu për të kërkuar që brenda pak ditësh prokuroria të japë mendimet e veta”, u shpreh ai.
Sigal