Ulsi Manja i audio-përgjimeve të Dosjes “184” do të shkarkojë …Presidentin e Shqipërisë

440
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Në sirtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është dosja “184”, në të cilën përmbahen audiopërgjime të bëra nga institucione shtetërore shqiptare (ndoshta edhe të huaja) ku dëgjohet qartazi zëri i Ulsi Manjës, deputetit të PS-në në qarkun e Dibrës dhe njëkohësisht edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, që bashkëbisedon me persona të tjerë për të blerë votat në zgjedhjet bashkiake të 2016-s. Nëse në Shqipëri do të kishte një drejtësi të pavarur, atëherë me kohë Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kishte përfunduar hetimet dhe deputeti Ulsi Manja do të ishte ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatë që të jepte llogari pse bashkëpunoi me persona të tjerë për të blerë votat në Dibër. Nëse në Shqipëri, do të kishim sado pak demokraci, Ulsi Manja, do të kishte dhënë dorëheqjen si deputet, derisa sa kohë gjykata të jepte vendimin për dosjen 184. Nëse Ulsi Manja, si deputet nuk ka kaq ndjeshmëri qytetare dhe morale sa të dorëhiqej si deputet, atëherë i takonte kryeministrit Rama që ta shkarkonte Ulsi Manjën nga detyra si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe ta përjashtonte edhe nga Grupi Parlamentar i PS-së. Mirëpo, as Ulsi Manja nuk dha dorëheqjen si deputet, as kryeministri Rama nuk e shkarkoi Ulsi Manjën nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, edhe pse tashmë gjithë Bota dëgjoi Ulsi Manjën në publikimet që bëri gazeta gjermane “Bild” të audiopërgjimeve, kjo do të thotë se Ulsi Manja nuk i bleu votat me kokën e vet, por me urdhër partie. Si të mos mjaftonte deri këtu skandali, kryeministri Rama e emëron Ulsi Manjën kryetarin e Komisionit Hetimor Parlamentar për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Ky është morali i kryeministrit Rama. Emëron Ulsi Manjën e dosjes “184” të blerjes së votave për të shkarkuar Presidentin e Shqipërisë, në një kohë që ka 2 vjet e ca që ka shkatërruar edhe Gjykatën Kushtetuese. Pra, kryeministri Rama, pasi ka marrë peng të gjitha institucionet kushtetuese, të gjitha pushtetet në Shqipëri, tani me Ulsi Manjën, arkitektin e vjedhjes së votave në Dibër, do të marrë peng edhe Presidencën e Shqipërisë. Kush më mirë, sesa një vjedhës votash mund të bëjë një Grusht Kushtetues për të rrëzuar Presidentin e Republikës sesa Ulsi Manja, njeriu që e dëgjoi gjithë bota tek “Bild”, sesi bënte pazare me njerëzit e botës së krimit për të blerë votat në Dibër.