Uashington, java historike e transferimit të pushtetit

501
Këtë javë Uashingtoni është një qytet në tranzicion ndërsa presidenti Barack Obama përgatitet t’i lëshojë vendin presidentit të zgjedhur Donald Trump. Siç na njeh materiali në vazhdim, mbështetësit e zotit Trump po vijnë në kryeqytetin amerikan për të festuar inaugurimin e presidentit të 45 amerikan.
Pas tetë vitesh në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i parë afrikano-amerikan Barack Obama po përgatitet të lërë detyrën. Ai u tregua optimist në fjalimin e lamtumirës.
“Për ne që patëm fatin të jemi pjesë e kësaj pune dhe ta shohim nga afër, ju them që gjetëm energji dhe frymëzim. Dhe në të shumtën e rasteve konfirmon besimin që ke ndaj Amerikës dhe amerikanëve.”
Ndërkohë Uashingtoni vazhdon ritualin e përgatitjes së inaugurimit të presidentit Trump, me provat e paradës dhe të betimit të presidentit. Gjatë konferencës së shtypit javën e kaluar, Trump premtoi se ceremonia e inaugurimit do të jetë mbresëlënëse.
“20 janari do të jetë një ditë speciale dhe e bukur. Mendoj se do të ketë shumë të pranishëm sepse është një lëvizje. Është një lëvizje që bota nuk e ka parë asnjëherë.”
Inaugurimi i zotit Trump ka ngjallur protesta mes atyre që kundërshtojnë planet e tij për emigracionin dhe ndryshimin e ligjit për kujdesin shëndetësor që mban vulën e zotit Obama. Më shumë se 30 ligjvënës demokratë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë. Ndërsa përgatitet për të marrë pushtetin, zoti Trump përballet me një sfidë të madhe në përpjekjet për të bashkuar vendin, thotë analisti Michael Barone.
“Donald Trump përballet me një sfidë të madhe, për aq sa dëshiron të bëjë, sesa tre presidentët pararendës. Sejcili prej tyre u përball me një sfidë të rëndësishme në këtë drejtim.
Ndërkohë, zoti Trump ka sinjalizuar një qasje agresive ndaj medias ndërsa vazhdon të përfshihet në polemika përmes Twitter-it. Tom DeFrank është hulumtues me kompaninë “National Journal”
“Ky është stili i tij. Atij i pëlqen të jetë në qendër të vorbullës. E do kaosin sepse e di që në fund është ai që do marrë vendimin dhe kaq.”
Eksperti John Frontier thotë se ka shumë kontrast me zotit Trump dhe presidentit Obama.
“Është ndryshimi që sjell Donald Trump me stilin e tij. Trump është shumë më ndryshe nga çdo president tjetër kur flitet për komunikimin, ai hidhet pa frikë në polemika. Presidenca e tij nuk do të jetë e merzitshme.”
Ndërsa i vjen fundi presidencës së zotit Obama, epoka e zotit Trump pritet të fillojë me të gjitha pritshmëritë dhe pasigurinë e saj.
Sigal