Tubim më 7 korrik para Shtëpisë së Bardhë

511
Sigal

Shqiptarët e Amerikës tubim, më 7 Korrik, ora 12:00 para Shtëpisë së Bardhë i bëjnë kërkesë Presidentit Trump:

 Shpëtoje Shqipërinë nga Soros!

Pas deklaratave të presidentit Ilir Meta se, fondacioni Soros dhe themeluesi i saj George Soros po synon të kontrollojë të gjithë shtetin shqiptar, vijnë reagimet e radhës nga Shtetet e Bashkuara. Sipas asaj që njofton ‘Nova Media Albania’, kanali televiziv shqiptar në SHBA, më 7 Korrik Shoqata “Vatra” dhe shqiptarët e Amerikës do të bëjnë një tubim para Shtëpisë së Bardhë ku do t’i kërkohet presidentit Donald Trump të shpëtojë Shqipërinë nga spiralja e frikshme e kaosit ku është futur, ‘ne do të tubojmë për të kërkuar dhe njëherë ndihmë lidershipit, Presidentit të SHBA për Shqipërinë.’

Njoftim: Shoqata “Vatra” dhe shqiptarët e Amerikës

T’i kërkojmë Presidentit Trump, të mos lejojë segmente të Fondacionit Soros të rikthejnë komunizmin në Shqipëri!

Shoqëria “Vatra” dhe shqiptarët e Amerikës me shqetësim të thellë për situatën e ngjarjeve në Shqipëri, duke marrë në konsideratë përgjegjësinë që diaspora shqiptare ka për atdheun e familjet tona që jetojnë në Shqipëri, duke vlerësuar si të patjetërsueshme lidhjen e fortë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit shqiptar, të karakterizuar nga ndihma e sinqertë të SHBA në rastet më të vështira të kombit tonë, organizojnë të dielën. më datë 7 Korrik. ora 12:00 një thirrje drejtuar Presidentit Donald Trump. Me besimin se angazhimi ynë si shqiptarë të Amerikës dhe Presidentit Trump si President i vendit më mik i popullit tonë, mund të arrijë të shpëtojë Shqipërinë nga spiralja e frikshme e kaosit ku është futur, ne do të tubojmë për të kërkuar dhe njëherë lidershipin e Presidentit të SHBA për Shqipërinë.

  • Sot është koha të angazhohemi e të kthejmë vëmendjen te atdheu ynë.
  • Sot është momenti për të qenë të gjithë bashkë si shqiptarë, si bashkëkombës pranë shqiptarëve në Shqipëri që shpëtimin mund ta gjejnë vetëm te SHBA.

Shqipëria nuk mund të rikthehet në komunizëm prej synimeve të errëta të fondacioneve të huaja që kërkojnë pronësinë mbi atdheun që ekziston prej gjakut të të parëve tanë. Le të bashkohemi ditën e diel, më datë 7 Korrik, ora 12:00, përballë Shtëpisë së Bardhë në Washington DC.

Zoti e bekoftë Amerikën, zoti e bekoftë Shqipërinë!