Tritan Kalo: Bashkimi sjell fuqi, zhvillim, integritet

473
Disa javë më parë kam vendosur në murin tim komentin e mëposhtëm, në shenjë proteste për arrestimin e Albin Kurtit, i cili mu rikujtua dje pasdite në Muzeun Kombëtar, ndërsa isha duke ndjekur shpjegimet e tre përfaqësuesve më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me situatën politike në Kosovë dhe në Rajon. Koordinimi mes vendit, mes vet ne Shqiptarëve të ndarë padrejtësisht në pesë shtete nga etërit e atyre që sot drejtojnë BE-në, bashkëpunimi i përditshëm, në të gjitha sferat e jetës sonë: politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore etj., është çelësi i lartësimit dhe suksesit tonë si Komb. Parrudhës bajate dhe të pavlerë se: “Shqiptarët do të bashkohen një ditë të gjithë në Bruksel”, i ka dalë boja dhe sot është e pavlerë, përballë shovinizmit dhe ekspansionizmit të fqinjëve tanë, sidomos atyre Serb dhe lojës jo të pastër që po bëhet nga BE, duke e toleruar këtë lëvizje të mirë studiuar dhe të mirë planizuar të Beogradit, gjoja për hir të shpresës së një largimi të mundshëm të Serbisë nga ndikimi Rus. Loja e BE-së dhe planet ekspansioniste e shoviniste Serbe, si gjithmonë janë bërë dhe po bëhen vetëm në kurriz të interesave kombëtare të Shqiptarëve. “Zgjohuni shqiptarë, nga gjumi zgjohuni dhe si vëllezër të gjithë bashkohuni”: 
“ALBIN = Aksion për Liri, Bashkim e Integritet, si dhe ndërgjegjësim për misionin e shenjtë atdhetar.” Ka ardhur më së fundi dita që politikanët shqipfolës të heqin dorë një herë e mirë nga retorikat boshe për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në Bashkimin Europian. Shqiptarët duhet sa më parë të venë në jetë detyrën e lënë përgjysmë të mëvetësimit të tyre, në përputhje me Aktin e Pavarësisë së 28.11.1912, për shkak të ndërhyrjeve brutale të fuqive të kohës, të cilat me anë të Traktatit famëkeq të firmosur në Konferencën e Londrës së 1913, i shkëputën Shqipërisë së porsa mëvetësuar nga sundimi i gjatë i mynxyrës osmane, më shumë se gjysmën e territoreve të saja, duke lënë jashtë kufijve zyrtarë edhe më shumë se gjysmën e popullatës së kohës, të shpërndarë në 4 shtete: Mali i Zi, Serbi, Maqedoni e Greqi. Një Shqipëri 7 milionëshe e prosperuar dhe sovrane, paqësisht do të kontribuojë më cilësisht në zhvillimin e Ballkanit krahas 7 milionë Grekëve, 7 milionë Bullgarëve, 7 milionë Serbëve dhe miliona Kroatëve, Boshnjakëve, Sllovenëve e Rumunëve. Të copëtuar në territore, popullsi dhe politikë, në asnjë kohë dhe në asnjë mënyrë nuk do të mundemi të bëhemi një forcë e besueshme në arenën e zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare. BASHKIMI bën fuqinë, sjell zhvillim, sjell largimin e të inkriminuarve nga politika dhe mbi të gjitha sjell besimin në ardhmërinë tonë si Komb!!!
Sigal