Hekurudha Durrës Tiranë, një metaforë elektorale
Para se të fillonte projekti për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas minimalisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të dëgjonte zërin e qytetarëve, gjë e cila nuk është respektuar.
Ka qenë Kuvendi i Shqipërisë, që e pranon se nuk është zhvilluar konsultimi publik.
“Në mbështetje të pikës 2/1, të nenit 68, të Rregullores së Kuvendit, gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, Komisioni nuk ka zhvilluar proces konsultimi në kuptim të ligjit për njoftimin dhe konsultimin publik, por ka bashkërenduar dhe është konsultuar me përfaqësuesit e ministrive të linjës, kryesisht të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që është edhe një ndër institucionet e ngarkuara me ndjekjen dhe zbatimin e marrëveshjes në praktikë”, shkruhet në dokumentet zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë.
Por si ka qenë gara për tenderin?
Shpallja për tenderin ndërkombëtar të rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore deri në aeroportin “Nënë Tereza” u bë në 11 qershor 2019, në faqen online të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në fazën finale të tenderit, do të merrnin pjesë tre kompani “STS-KALPATARU (KPTL) J.V”, “SINOHYDRO- EEB J.V.A” dhe kompania italiane “INC S.P.A”.
Tenderi do të fitohej nga kjo e fundit me ofertën pasi paraqiti ofertën më të ulët prej 69.6 milionë eurosh, teksa dy kompanitë e tjera u skualifikuan pasi kishin oferta të njëjtë me njëra-tjetrën në vlerë 92.2 milionë euro.
Por gara ndërkombëtare, për këtë kontratë publike dhe monitorimi i investimeve nga BERZH, Bashkimi Europian dhe nga qeveria shqiptare, nuk dhanë dot garancinë se ky projekt publik do të realizohej dhe inagurohej brenda verës së vitit 2023.
Gjithashtu me kërkesë të autoriteteve shqiptare, përfituan pa garë një vlerë të konsiderueshme monetare, me justifikimin se ishin rritur çmimet dhe kostoja e punës, shumë që qeveria e siguroi sërish përmes një huaje nga BERZH-i.
Sipas të dhënave nga BERZH-i, ky projekt parashikon rehabilitimin e 34.7 km të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e 5.4 km deri në aeroportin e Rinasit. Ai është pjesë e rrugës së dytë të rrjetit kryesor të Ballkanit Perëndimor, që lidh qytetet e Podgoricës në Mal të Zi dhe të Vlorës në Shqipëri.
Sipas BERZH-it, projekti do të mbështesë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe do të kontribuojë në integrimin e vendit, duke fuqizuar lidhjen e qyteteve më të rëndësishme me Portin e Durrësit dhe aeroportin “Nënë Tereza”.
Në njoftim, BERZH shkruan se i ka dhënë hua qeverisë shqiptare në vlerën 77.5 milionë euro për realizimin e këtij projekti me kosto totale 140.8 milionë euro.
Sipas “INA MEDIA”, për tejkalimin e afateve në përfundimin e punimeve të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës nuk raportohen penalizime për askënd, ndërkohë që shoqëria italiane INC S.P.A. ka përfituar fonde shtesë pa garë, me argumentin se janë rritur çmimet dhe kostot e punës.
Sipas inxhinierit Enea Stavre, fondi fillestar ka qenë i pamjaftueshëm.
“Në qoftë se ne mendojmë për një fond fillestar në atë vlerë që ishte, ne mund të mendojmë për një fond që nuk është detajuar mirë, godinat, nënstacionet, linjat elektrike, heqjen e shinave të vjetra dhe vendosjen e infrastrukturës së re”, tha për “Vetting” inxhinieri Stavre.
Nga kërkime në terren rezulton se për rehabilitimin e linjës hekurudhore janë nënkontraktuar disa kompani të tjera për kryerjen e punimeve. Konkretisht nga filmimet në terren rezulton se disa nga punimet po kryhen nga “Elmazaj Konstruksion” në pronësi të Shkëlqim dhe Mirel Elmazajt.

Kjo kompani është themeluar në vitin 2013 dhe ka marrë miliona euro tendera nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe institucione të tjera. Deri në këtë pikë çdo gjë është në rregull, por është objekti i veprimtarisë së kompanisë që ka ngritur pikëpyetje për nënkontraktimin.
Nëse lexojmë te ekstrakti i kompanisë “Elmazaj Konstruksion” sh.p.k do të zbulojmë se deri në maj 2023 si fushë veprimtarie kishte ndërtime civile, turistike, industriale, bujqësore, rikonstruksione, ndërtime banesash shumëkatëshe, ndërtime rrugësh, punime të mirëmbajtjes dhe sinjalizimit në rrugë, ura dhe vepra arti, rikonstruksione godinash etj.
Ndërkohë që në 13 maj 2023 do të shtonte alternativat te objekti i veprimtarisë si “ura hekurudha” etj. Ka shumë pikëpyetje se si kjo kompani që nuk ka punuar asnjë ditë të vetme në sektorin hekurudhor, pa patur eksperiencë në punime dhe e pa patur objekt të veprimtarisë është marrë si nënkontraktor nga kompania italiane ndërkohë që Hekurudha Shqiptare e ka lejuar këtë ndryshim kontrate.
“Vetting” kontaktoi juristen e kompanisë “Elmazaj Konstruksion” për arsyet e vonesave me punimet, por deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi patur asnjë reagim nga kompania apo përfaqësuesit e saj.
Por nënkontraktimi është vetëm njëri nga problemet që bie mbi buxhetin e shqiptarëve me kostot që vetëm rriten dhe me vonesat e projektit që nuk realizohen.