Tirana Economic Forum/ Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli: Shqipëria një pol financiar për Ballkanin perëndimor!

Rama: Shqipëria garanton stabilitet, investimet e huaja direkte vijojnë me rritje

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria garanton stabilitet dhe qartësi për tërheqjen e investimeve të huaja.

Sigal

Rama ishte sot i pranishëm në “Tirana Economic Forum”, një takim me sipërmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, organizuar nën kujdesin e “Delphi Forum”, për të diskutuar mbi hapësirat për zhvillim që ofron Shqipëria.

Kryeministri theksoi se investimet e huaja direkte në vitin 2024 arrijnë 1,58 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe tendenca vazhdon në rritje edhe në vitin 2025.

“Kapitali nuk zgjedh rastësisht, por shkon aty ku ka stabilitet, qartësi dhe drejtim.
Sot Shqipëria është pikërisht ky destinacion, pra një vend, një destinacion me stabilitet, me qartësi dhe drejtim”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se realiteti ka ndryshuar dhe Shqipëria sot nuk shihet më si një cep i largët në hartë, por si një vend ku gjërat ndodhin, ku reformat nuk janë premtime, por praktika dhe ku shndërrimet dhe transformimet nuk janë slogane por fakte të përditshme.

“Vendi ynë qëndron si një shtyllë stabiliteti dhe një ekonomi në rritje. Ne kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në në një kohë rekord. Kemi dyfishuar GDP. Kemi gjithashtu edhe një sektor me rritje të turizmit dhe që po dominon në infrastrukturë nga portet, tek hekurudhat. Po shtyjmë transformimin digjital me një shpejtësi marramendëse”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se po bëjmë gjithçka duke luftuar korrupsionin dhe duke modernizuar shtetin, ndërkohë që pagat po rriten dhe industria ushtarake po rilind dhe po fillon me disa hapa shumë të mirë.

“Asnjë gjë nuk ndodh si aksident dhe kjo po ndodh hap pas hapi mes punës, besimit. Historia jonë e rritjes nuk është sasiore, por është cilësore. Ne po ndërtojmë një ekonomi që matet jo vetëm prej vëllimit, por prej vlerave, prej produktivitetit e inovacionit”, shtoi Rama.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takimin me sipërmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, për të diskutuar mbi hapësirat për zhvillim që ofron Shqipëria. Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se realiteti tashmë ka ndryshuar dhe Shqipëria nuk shihet më si një cep i largët dhe ku reformat janë praktike jo vetëm premtime.

EUROIZIMI DHE KAPITALI FINANCIAR, ENERGJIA E GJELBËR DHE TREGU I DIJEVE, NJË TRINOM  I RËNDËSISHËM PËR ROLIN E SHQIPËRISË NË BALLKANIN PERËNDIMOR.

Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli

Ekonomitë e vëndeve të Ballkanit Perëndimor janë shumë më të ndërlidhura sesa mund të duket   në   pamje   të parë. Lidhjet tona nuk kalojnë vetëm përmes marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe shifrave të importit dhe eksportit apo turizmit,   që   tashmë   është   shndërruar   në   një   sektor   të   suksesshëm   dhe   të rëndësishëm në strukturën e ekonomisë sonë, por edhe përmes një rrjeti më të gjerë marrëdhëniesh kulturore, historike, financiare dhe akademike. Ndaj dhe po ndalem në disa nga këto fusha që lidhen me: stabilitetin financiar e monetar, kapacitetin investues dhe vlerën e dijes  dhe kapitalit njerëzor  ku mendoj  se Shqipëria mund të luajë një rol parësor në rajon. Shqipëria është një rast unik në rajon. Megjithëse monedha jonë zyrtare mbetet leku, një pjesë e madhe e ekonomisë sonë funksionon de facto në euro. Ky fenomen i njohur si euroizim i pjesshëm shumë i diskutuar në literaturë e specializuar shqiptare në konceptin e “Asimetrie Monetare”, paraqet njëkohësisht një dobësi relative, por dhe mundësi absolute shumë të rëndësishme. Po ndalem vetëm në dy të dhëna:

 

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rezultojnë si vendet me ekspozimin më të lartë ndaj depozitave dhe kredive në euro. Kjo tregon një mekanizëm të fuqishëm të menaxhimit të sistemeve të tyre financiare në monedha të huaja, e cila i bën ato shumë të ndjeshme ndaj vendimeve të politikës monetare të ECB-së dhe luhatjeve të EURIBOR-it. Bosnja dhe Hercegovina gjendet në një pozicion të mesëm, ndërsa Serbia është një rast i veçantë, me një përqindje dukshëm më të ulët.

Në këtë situate, që shpesh shihet si sfidë, mund të shifet dhe si një potencial strategjik që personalisht e konsideroj si mundësi absolute që Shqipëria mund të shndërrohet në një “Pol financiar rajonal”, duke shfrytëzuar lidhjen organike që ekziston tashmë me euron. Përse? Le ta shofim nga një kënd tjetër vështrimi gjithë fenomenin. Në rajon, Kosova dhe Mali i Zi e përdorin euron zyrtarisht. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë sisteme të ndërmjetme. Shqipëria, me përvojën e saj në menaxhimin e një ekonomie të euroizuar, mund të ofrojë një model të balancuar duke treguar si mund të ruajmë fleksibilitetin e politikës monetare kombëtare, ndërkohë që afrohemi natyrshëm me arkitekturën e Eurosistemit. Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të bëhet ura monetare midis vendeve që tashmë janë në orbitën e euros dhe atyre që ende ruajnë monedhën kombëtare. Kjo do të ndihmonte në harmonizimin e rregullave bankare, lehtësimin e tregtisë ndërkufitare, dhe forcimin e integrimit financiar të rajonit tonë. Një Shqipëri e fortë financiarisht, me institucione të qëndrueshme, nuk do të ishte vetëm në shërbim të stabilitetit të vet ekonomik, por do të shërbente si “garant i besimit rajonal”, si një “stabilizator monetar” në pritje të integrimit të përbashkët në Bashkimin Europian. Proceset e modernizimit ekonomik në vendet e vogla dhe të hapura shpesh kërkojnë identifikimin e avantazheve strukturore që mund të shndërrohen në burime konkurruese rajonale. Në rastin e Shqipërisë, dy fusha paraqiten si potencialisht transformuese: sistemi financiar në zgjerim dhe modernizim, i karakterizuar nga përhapja e përdorimit  të  euros në ekonomi, dhe sektori energjetik i mbështetur fort te burimet e rinovueshme, veçanërisht hidroenergjetika.  Ndonëse këto dy fusha duken të ndara në mënyrë tradicionale, ndërthurja e tyre strategjike mund të krijojë   një   model   zhvillimi unik, ku stabiliteti financiar dhe kapitali ndërkombëtar   shfrytëzohen   për   të   ndërtuar një industri energjetike  të qëndrueshme dhe të orientuar drejt eksportit. Në të njëjtën kohë, prodhimi i pastër i energjisë rrit besueshmërinë dhe perceptimin e vendit si destinacion për investimet financiare ndërkombëtare. Rritja e përdorimit të euros në ekonominë shqiptare ka sjellë një shkallë të lartë stabiliteti   monetar.   Ky   euroizim   de   facto   ka krijuar një mjedis më  të parashikueshëm për investitorët e huaj dhe për institucionet financiare rajonale. Nëse   ky  proces  shoqërohet   me  reforma  të   thelluara  në  infrastrukturën  financiare,  Fintech,   digjitalizim   të   veprimeve   bankare   deri   në   Bankë   Digjitale   dhe   sidomos modernizimi i sistemeve të pagesave i realizuar kohët e fundit me platformat europiane si SEPA, Open Banking dhe shumë shpejt me sistemin e pagesave TIPS, projekt i BQ Italiane me mbështetje të BQE, (ku Shqipëria është angazhuar e para bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor) dhe zgjerimi i instrumenteve të tregut të kapitaleve, atëherë   Shqipëria   mund   të   pozicionohet   si   nyje   financiare   në   Ballkanin Perëndimor. Të qenit një pol financiar nuk kuptohet vetëm si prania e bankave, por si aftësia për të mobilizuar kapitale afatgjatë, të tërheqë fonde institucionale dhe të krijojë tregje funksionale të reja. Sektori financiar, nëse arrin këtë nivel zhvillimi, bëhet një mekanizëm i rëndësishëm për të mbështetur transformimin energjetik. Projekte të tilla si parqet diellore (fotovoltaike), turbina eolike, magazinimi i energjisë në bateri, zgjerimi i hidrocentraleve ekzistuese apo digjitalizimi i rrjetit energjetik kërkojnë kapital te konsiderushem dhe periudha të gjata kthimi. Këto karakteristika i bëjnë projektet e energjisë së gjelbër ideale për financim përmes instrumenteve si obligacionet e gjelbra, fondet e investimeve të specializuara dhe partneritetet publik–privat.  Një vend që funksionon si qendër financiare mund t’i strukturojë   këto   instrumente   në   mënyrë   më   efikase   dhe   tërheqëse   për   investitorët ndërkombëtarë. Për shembull, krijimi i një tregu të obligacioneve të gjelbra në Tiranë do t’i mundësonte vendit të kanalizonte kapitalin global drejt projekteve të energjisë së pastër, duke kombinuar reputacionin energjetik me stabilitetin financiar. Nga ana tjetër, sektori energjetik shqiptar mbështetet tashmë në një avantazh të rrallë në rajon: prodhimin gati tërësisht të bazuar te burimet e rinovueshme, kryesisht për shkak të hidrocentraleve. Ky profil e vendos Shqipërinë në një pozicion unik për t’u afirmuar si furnizues rajonal i energjisë së pastër, në një kohë kur Bashkimi Europian po orienton gjithnjë e më shumë politikat dhe fondet drejt ekonomive me karbon të ulët. Potenciali për energji diellore dhe të erës mbetet i pashfrytëzuar plotësisht, ndërsa projektet e interkoneksionit me vendet fqinje, përfshirë lidhjet me Italinë, krijojnë mundësi të reja për eksport dhe për stabilizimin e rrjetit energjetik. Integrimi i dy sektorëve financiar dhe energjetik mund të realizohet përmes krijimit   të   institucioneve   të   specializuara   dhe   instrumenteve   të   dedikuara financiare. Këtu kërkohet nga njera anë, rritja e rolit të sektorit financiar e bankar në fushën e investimeve dhe projekteve të zhvillimit duke pasur në fokus edhe Investimet për Energjinë e Gjelbër, e modeluar sipas praktikave më të mira europiane që do të mund të ofronin kredi të buta dhe do të nxiste partneritete me institucione si EBRD apo BEI, e do të zvogëlonte rreziqet për sektorin privat. Në të njëjtën kohë, emetimi i obligacioneve të gjelbra sovrane do të siguronte burime financimi afatgjata për projekte strategjike të infrastrukturës energjetike. Nga ana tjetër, Investimet në keta sektor dhe ata strategjik kërkon dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, për të mundësuar një “filtrim” të investitorëve në këto fusha, vecanërisht të burimeve financiare të tyre. Këto   ndërhyrje   financiare,   të   kombinuara   me   rregullore   të   favorshme   për investimet e gjelbra apo atyre infrastrukturore me partneritet publik-privat, dhe me stimuj fiskalë, do të krijonin një ekosistem ku kapitali ndërkombëtar do të drejtohen drejt sektorit energjetik shqiptar.  Nëse Shqipëria ndërmerr reformat e duhura në të dy sektorët, ajo mund të shndërrohet   në   një   pol   të   dyfishtë   financiar   dhe   energjetik   në  Ballkanin Veriperëndimor. Kjo do të  përmirësonte   ndikimin   ekonomik   rajonal, do të rriste eksportet dhe do të siguronte qëndrueshmëri afatgjatë në zhvillimin ekonomik. Modeli i propozuar   synon   jo   vetëm   rritjen   e   kapacitetit   prodhues   të   energjisë,   por   edhe transformimin strukturor të ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie të integruar me tregjet europiane dhe të orientuar drejt së ardhmes. Në këtë proces qe analizova me lart, “Edukimi Universitar” ka një rol jetik. Universitetet shqiptare duhet të përgatisin ekonomistë te gjithanshëm por edhe ekonomistët e gjelbër të së  ardhmes,  profesionistë që kuptojnë lidhjen midis financës,   energjisë   dhe   mjedisit,   që   dinë   të   projektojnë   modele   biznesi   të qëndrueshme dhe të menaxhojnë riskun klimaterik. Rajoni ynë ka nevojë për një element qe une e quaj “infrastrukturë të butë”, ose me thjeshtë, për nje treg universitar rajonal, ku akademikët, studentët, pedagogët dhe kërkuesit të lëvizin lirshëm, të ndajnë programe të përbashkëta, dhe të krijojnë qendra ekselence që bashkëpunojnë ngushtë me bizneset e rajonit. Ky duhet të kthehet si një mision kombëtar. Universitetet shqiptare mund të bëhen “qendra të dijes”, ku formohen brezat e rinj që do të udhëheqin integrimin ekonomik, financiar dhe teknologjik të rajonit. Tiparet e këtyre qëndrave duhet të jenë:

  1. Ndërveprim midis akademisë, biznesit dhe institucioneve publike;
  2. Krijim dhe transferim i njohurive, jo vetëm ruajtja e tyre ne nivel kombetar;
  3. Rrjetëzim ndërkombëtar qe presupozon bashkëpunim me qendra të tjera të dijes;
  4. Një qasje e hapur ndaj informacionit dhe inovacionit;
  5. Një dikim real dhe praktik në zhvillimin ekonomik, social ose teknologjik.

Për mua ky bashkëpunim universitar nuk është thjesht akademik. Ai duhet të konsiderohet si një investim strategjik në konkurrueshmërinë rajonale, sepse tregjet nuk janë vetëm pronë e mallrave apo e parasë, sot ato janë mbi të gjitha “tregje idesh”. E ardhmja e rajonit tonë nuk do të përcaktohet vetëm nga marrëveshjet politike apo nga korridoret e transportit. Ajo do të përcaktohet nga “besimi në stabilitetin monetar”, nga “zhvillimi energjitik”, dhe nga “hapësira e përbashkët e dijes”. Vetëm kështu duke e parë monedhën, energjinë dhe dijen si tre shtylla të një realiteti të ri, mund të avancojmë drejt një Ballkani Perëndimor më të integruar, më të begatë dhe më europian. Shqipëria është e përgatitur të japë kontributin e saj në të treja këto fronte, duke ndërtuar ura monetare, energjetike dhe universitare ndërfunksionale, qe jo vetëm ti afrohemi Europës, por të sjellim Europën më afër nesh.